Aktualitet

Atentati i sotëm në vazhdën e 5 vrasjeve mes dy familjeve në Mirditë

Shkruar nga Liberale
Atentati i sotëm në vazhdën e 5 vrasjeve mes dy familjeve në

Preng Gjinit iu bë atentat mbrëmjen e sotme në kryeqytet, ndërsa ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Drejtori i Policisë tha se dyshohet për pista hakmarrjeje dhe se po hetohet më tej.

Ndërkohë, nga mediat u mësua se i plagosuri është vëllai i Armando Gjinit, i vrarë në 2019, ndërsa pas fshihet një seri e gjatë vrasjesh mes dy familjeve në Mirditë.

Saga e vrasjeve fillon me ekzekutimin e Sajmir Jakut, drejtor i Tensionit të Lartë së OSHE për Veriun, më 9 shtator 2016. Dyshohet se dy persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje zyrtarin, ndërsa nga të shtënat me armë edhe një person tjetër mbeti i plagosur. Policia ka thënë se Sajmir Jaku është qëlluar me kallashnikov kur ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet e zonës më të frekuentuar të qytetit të Rrëshenit me një shok.

Pas vrasjes, autorët braktisën automjetin tip “BenzMercedes” në një fshat të Kurbinit ku e kanë djegur dhe më pas u larguan. Me dhjetëra veprime hetimore u kryen për disa muaj me radhë, por përfundimisht ngjarja ka mbetur pa autorë. I vetmi fakt që dihet është se autorët e atentatit kanë qenë dy persona.

Një tjetër krim që u dyshua se kishte lidhje me këtë serial hakmarrjeje, ishte vrasja e ndodhur më 28 prill 2017 në Itali, ku u ekzekutua shtetasi Gaspër Reçi, i cili u qëllua me katër plumba. Policia dyshonte se vrasja e Gaspër Reçit mund të ishte kryer si hakmarrje për vrasjen e Sajmir Jakut.

Pak më vonë, më 6 shtator të po atij viti, vritet 31-vjeçari Kreshnik Gjini në komunën e Forestit të Belgjikës. Gjini ishte nipi i Sajmir Jakut dhe u dyshua se ishte vrarë në shenjë hakmarrje për ekzekutimin e Gaspër Reçit në Romë.

Më 13 gusht të vitit 2019 u ekzekutua në qendër të qytetit të Rrëshenit, në sy të dy fëmijëve, Armando Gjini, i njohur edhe me emrin Tonin Gjini. Shkak për këtë ngjarje, sipas Policisë dyshohej e kaluara e tij në Belgjikë. Gjini u qëllua disa herë me pistoletë, ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij përballë katedrales. 48- vjeçari dyshohet që të jetë vrarë për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Më 7 janar të këtij viti, u ekzekutua në mënyrë mafioze Kastriot Reçi, vëllai i Gaspar Reçit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH