Letërsi

"Ata ishin njerëz", dramë apo tragjedi?

Shkruar nga Liberale
"Ata ishin njerëz", dramë apo tragjedi?

Kadri Tarelli

… Ajo që bie në sy në të gjitha tregimet dhe veprat e Shpendit, është se ngjarjet i vendos në truallin shqiptar. Ato i merr nga jeta dhe janë aq të vërteta, sa edhe personazhet në pjesën dërmuese të tyre, mbajnë të njëjtin emër e mbiemër. Një dëshmi kokëfortë e Shpendit, për t’i qëndruar besnik ngjarjeve dhe kohës, dukë qenë sa më i vërtetë, ndaj edhe shkrimet veç veshjes dhe kostumit artistik, nuk kanë teprime dhe fantazi shkrimtari. Kam përshtypjen se kjo formë e të shkruarit, i bën shkrimet e Autorit, jo vetëm të besueshme, por edhe të pëlqyeshme për cilindo lexues, tani edhe spektator në sallat e teatrove, pavarësisht shkallës së arsimimit dhe kulturës që ata zotërojnë. I besoj plotësisht shkrimtarit Nikolae Jorga, që thotë: “Gjithkush, kur të mbarojë së lexuari këtë libër, do të ndiejë se ka njohur një Njeri, i cili shkruan edhe për të”.

Përmbajtja e dramës-tragjedi, është e thjeshtë në dukje, sidomos për brezin që e jetoi: Shkatërrimi i familjeve të atyre shqiptarëve që u martuan me vajza jo shqiptare, pra me gra të huaja. Shkatërrim, jo thjesht ndarje, por edhe dënime, burgosje, internime, ndëshkime dhe humbje jete, apo më thjesht: Pushkatime. Është një temë tashmë e rrahur në letërsinë shqiptare, pasi numri i këtyre familjeve ishte tepër i madh. Aq sa cilido do të bënte pyetjen që ka edhe përgjigjen brenda: Pse ndodhi?

… Drama filloi kur u prishën marrëdhëniet politike me Kampin Socialist, koha kur strukturat tona shtetërore u përkujdesën të prisheshin këto familje, me pretendimin se dëmtonin Shqipërinë. Si fillim me propozim për ndarje dhe largim të grave të huaja, të dyshuara si agjente të zbulimit të huaj. …..“Unë në emër të Partisë, u kam thirru juve që keni gratë e huaja, që të mendoheni mirë se ç’do të bëni me to. Interesi ynë, pra i vendit, është që t’i ndani”. Ky është dialogu i Ministrit të mbrojtjes me të gjithë ata oficerë që ishin martuar me gra të huaja, duke shtuar: “Mos harroni pasojat që do të keni, qoftë ju si komunistë, qofshin edhe të afërmit tuaj”. Në këtë oxhak vullkani u ndodh çiftit Thoma Rafaeli dhe Maja nga Ukraina, vitete para familje e lumtur, e më pas përfundim tragjik, pushkatim dhe pa varr, ku njerëzit e dashur të venë e ta kujtojnë. Ishte një fund gati i parashikuar që në bisedat e para me të dashurën bukuroshe Maja, kur Rafaeli i thotë: “Te ne thonë, se fatin e ka në dorë vetë njeriu. Por nga një herë ndodh, që fati yt ecën sipas tekave të dikujt tjetër. Dhe ti je i pafuqishëm ta ndryshosh”.

…Ndryshe nga format klasike të dramave apo tragjedive, ku konflikti është në mes personave apo grupeve shoqërore, këtu është individi i pafuqishëm, përballë ingranazheve të një sistemi të tërë, që vendos për jetën, ta le, por të bën të vuash, apo ta merr, kur dhe si t’i dojë qejfi. Ja si shprehet Zhani Ciko: “I kam njohur nga afër personazhet e kësaj drame dhe them se Shpendi i ka dhënë me vërtetësi të pashoqe, ashtu sikurse ka përshkruar pa asnjë tepri edhe kohën e mbrapshtë kur ata jetuan”.

Mjerë ai njeri që përfshihej dhe përtypej nga nofullat e kësaj makinerie vrastare, e organizuar përsosmërisht, ku askush nuk guxonte të ndihmonte, apo të thoshte së paku një fjalë të mirë. Nuk di sa mund të përshtaten këto pak fjalë të të madhit Dritero Agolli: “Më ndodh sikur s’jetoj në vendin tim, /Po në një vend të huaj dhe të largët, /Në një qytet me buba dhe me minj/Mes mureve të rrjepur dhe të lagët”.

Duhet përshëndetur autori, sepse ka një meritë të veçantë: brenda zymtësisë së ngjarjeve, mjeshtërisht gjen vend për gërshetimin e ndodhive të çastit apo të pritshmërive, me vargje të poetit kombëtar Ukrainas Taras Shevenko, vargje të qëmtuar hollë nga vepra “Kobzari”. …. “Përmbi mua kush do qajë/heshtur me trishtim?/Kush do m’i vadisë kalinat/ përmbi varrin tim? Shijoni edhe katër vargje të tjerë: “Ja ç’gjynahe përmbi tokë/ bëjnë njerëzia;/ vajzën pa faj në botë/ ndajnë nga shtëpia”.

Nuk mungojnë edhe vargje të poetëve tanë. Është një kombinim i përkryer i të bukurës, të magjishmes, hyjnores për jetën dhe dashurinë, përballë të shëmtuarës, të egrës, vrastares, tragjikes, të cilës nuk i shpëtuan jo vetëm “Armiqtë e klasës”, por edhe ata që i besuan dhe i shërbyen me përkushtim sistemit dhe adhuruan si perëndi “Zeusin” tonë. Tema i kërkon si me porosi këto vargje të poetit Trifon Xhagjika, oficer i gjykuar dhe dënuar bashkë me Thoma Rafaelin: “Nga Olimpi vin’ rrufetë/ Vrasin njerëz të pafaj/ Hidhet Zeusi përpjetë/ Nga gëzimi qerrataj”.

Në mugëtirën e shtegut pa rrugëdalje, vetiu lindi pyetjet: kush i kërkonte, kujt i interesonte dhe përse? Pyetje që mbeten pa përgjigje, në monologun që bën secili me vete, kur ndjen fundin e kësaj drame-tragjedi, në veçanti ushtarakët, kohanikët e viktimave.

Më pëlqejnë falët e kritikut Luan Laze, i cili shprehet: “Sikur dramaturgjia jonë të kishte përherë këtë nivel artistik, dua të besoj se sallat e teatrove do të ishin gjithmonë plot”.

Urime Shpendi në këtë gjini të bukur letrare. Na solle një copëz jete të historisë shqiptare, plot dhimbje! /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH