Aktualitet

Arti dhe shkenca e menaxhimit të biznesit në një libër

Shkruar nga Liberale

Kolana UETPRESS-15 Vjet

Titulli:  HYRJE NË BIZNES

Autorë: Gaspar, Bierman, Kolari, Hise, Smith, Arreola-Risa

Nga Autorët

 Hapja e dyerve ndaj botës së biznesit përmban shumë sfida, si për pedagogët, ashtu dhe për studentët. Qëllimi i këtij teksti është të sigurojë çelësin e suksesit që do të çojë në një përvojë shpërblyese edukative dhe do të krijojë mjedisin e duhur për të bërë karrierë në biznes.

Çdo biznes, qoftë ky i madh apo i vogël, është i mbushur me rrezik dhe, nëse studentët nuk kanë një ide të qartë të parimeve bashkëkohore të biznesit, ata do të ndërmarrin rreziqe të panevojshme, që mund të çojnë në dështim. Të kuptosh kolonat e sotme mbajtëse të mjedisit të biznesit, siç janë globalizimi, teknologjia dhe etika, është gjithashtu thelbësore për arritjen e suksesit. Qëllimi i këtij libri është t’u paraqesë studentëve këto parime thelbësore, artin dhe shkencën e menaxhimit të biznesit, në një mënyrë interesante, domethënëse dhe angazhuese për ta, me shpresën se ata do të ndërtojnë një karrierë të suksesshme biznesi.

Një grup ekspertësh mund të bëjnë ndryshimin

Hyrja në biznes mbulon një hapësirë të madhe, duke prekur të gjitha fushat kryesore funksionale të biznesit. Ne e pranojmë se është një sfidë për studentët që të kuptojnë sesi të gjitha fushat e ndryshme funksionale janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe është një sfidë, po ashtu, është sfidë edhe për një pedagog që t’i mbulojë të gjitha këto fusha me të njëjtin entuziazëm dhe aftësi. Për hyrjen në biznes janë shkruar tekste edhe nga autorë të tjerë, që janë ekspertë në një, dy apo ndoshta dhe në tri fusha funksionale. Por librin tonë e bën të veçantë një tjetër element, ekipi i autorëve të tij, të cilët janë ekspertë në gjashtë fusha funksionale. Për më shumë se dy vjet, ne si ekip kemi bërë takime të përjavshme për të diskutuar ide, për të rishqyrtuar dorëshkrime, për të analizuar reagimin e tregut dhe për t’u siguruar se kemi krijuar një paraqitje koherente, të qartë, gjithpërfshirëse dhe autoritare, që  është e pakrahasueshme në treg. Dhe gjatë gjithë rrugës në këtë proces, na ka ndihmuar këshilltari ynë redaktues, duke bërë të mundur që ky material të paraqitet qartë dhe të jetë i përshtatshëm. Ai u ka mësuar mijëra studentëve hyrjen në biznes dhe i kupton sfidat me të cilat ata dhe ti, pedagogu, përballeni.

Kushdo që dëgjon lajmet dhe ndjek ngjarjet aktuale të biznesit e di që biznesi bashkëkohor, pavarësisht se ku zhvillohet, është jashtëzakonisht i ndikuar nga globalizimi i shpejtë, nga përparimet në teknologji dhe nga përforcimi i standardeve etike. Nëpërmjet globalizimit, nocioni i firmave tërësisht lokale është kthyer në një mit. Në të njëjtën mënyrë, progresi në teknologji, në formën e E-Biznesit, tregtia elektronike, operacioneve, menaxhimi zinxhir i mallrave, transfertat bankare elektronike etj., po e bëjnë të suksesshme mënyrën e operimit të bizneseve operojnë. Vështirë se mund të gjendet një biznes që është “teknologjikisht i pandjeshëm”. Së fundi, firmat duhet të menaxhohen në një mënyrë të përshtatshme etike, nëse duan të mbijetojnë, t’u përçojnë vlerat e tyre investitorëve dhe klientëve dhe të jenë të suksesshme në një periudhë afatgjatë. Për të qenë të suksesshëm në biznes, sot dhe në një të ardhme të afërt, studentëve u nevojitet një tekst që i integron plotësisht të tria këto tema në të gjitha aspektet e biznesit. Kjo është arsyeja që ne i kemi përqafuar dhe parashtruar këto koncepte nëpërmjet shembujve të shumtë të dhënë në tekst dhe në formën e përkufizimeve brenda kuadrateve.

Shembujt e dhënë

Një tjetër tipar i veçantë i këtij teksti është ndërthurja e strategjive dhe e veprimeve të tri kompanive kryesore globale, DaimlerChrysler, McDonald’s dhe Sony-t. Ky tipar vihet re në të gjithë librin, me qëllim që studentët të mund të shohin sesi temat që ata do të studiojnë, përmes fushave të ndryshme funksionale, lidhen me këta shembuj të botës reale. Këto tri kompani, për të cilat studentët, me siguri, kanë dëgjuar, përfaqësojnë tri rajone të rëndësishme të botës: Europën (DaimlerChrysler), Amerikën e Veriut (McDonald’s) dhe Azinë (Sony). Këto kompani po ndjekin, gjithashtu, strategji biznesi jashtëzakonisht sfiduese dhe interesante, në mënyrë që të ruajnë pozicionin drejtues në fushat respektive. Rastet studimore, të cilat janë shembuj përforcues dhe që theksohen nga segmentet kufizuese në kuadrate përgjatë tekstit, i ndjekin këto tri kompani në tërë librin. Shumë prej këtyre kuadrateve prekin, gjithashtu, tema rreth globalizimit, teknologjisë dhe etikës. Një historik i shkurtër dhe një përmbledhje për secilën prej këtyre kompanive paraqitet te Shtojca.

Një tekst i përshtatshëm dhe i thjeshtë

Duke qenë se ky është një tekst prezantues i biznesit, ne kemi synuar ta paraqesim idetë në formë bisedore dhe të përmbledhur. Kritikët kanë folur pozitivisht për lexueshmërinë e tekstit. Shpresojmë që ky tekst të jetë “i lehtë në përdorim”, në mënyrë që studentët t’i lexojnë kapitujt dhe të vijnë në klasë të përgatitur. Çdo aspekt i Hyrje në biznes synon ta bëjë lexuesin të mendojë më thellë për subjektin, pra, për mjedisin bashkëkohor të biznesit, për fushat funksionale dhe për veprimet e biznesit. Qëllimi ynë kryesor është të ndihmojmë lexuesin të vlerësojë plotësisht parimet thelbësore të biznesit dhe të krijojë një karrierë në biznes, qoftë si një pronar apo si një punonjës.

 Veçoritë që janë çelësat e suksesit të këtij libri…

 Pjesa përshkruese dhe hyrja e kapitullit

Çdo pjesë përshkruese i jep studentit një ide të asaj që ata do të hasë më tej dhe ndihmon për të lidhur së bashku pjesëza të ndryshme. Çdo kapitull fillon me një përshkrim dhe me një listë objektivash për t’u mësuar, në mënyrë që të orientojë leximin e studentit. Objektivat për t’u mësuar përsëriten në tekst, në mënyrë që studentët të kontrollojnë progresin e tyre gjatë kapitullit. Përmbledhja e kapitullit organizohet, po ashtu, me objektivat për t’u mësuar, në mënyrë që t’i ndihmojë studentët që ta ruajnë përqendrimin e tyre mbi pikat kyçe.

Skicat që hapin kapitullin

Çdo kapitull përfshin, të paktën, një Rast studimor, ku përmendet DaimlerChrysler, McDonald’s apo Sony. Gjithashtu, në çdo kapitull gjendet një tjetër kuadrat, i cili flet për njërën prej tri temave që lidhet me kapitullin, Biznesi global, Teknologjia dhe biznesi dhe Etika në biznes. Çdo kuadrat mbyllet me pyetje që i inkurajojnë studentët të mendojnë për atë që lexuan dhe që mund të çojnë në diskutime interesante në klasë.

Grafika, ngjyra dhe shembuj realë

Faqosja e librit është ideuar në mënyrë të tillë që ai të jetë i qartë, me një paraqitje të rregullt dhe të sofistikuar. Në të njëjtën kohë, ky imazh pasurohet me ngjyra dhe me grafika, që kanë si qëllim t’u rrisin interesin temave dhe ta përqendrojnë vëmendjen e lexuesit te konceptet më të rëndësishme të biznesit. Shembuj të jetës reale përdoren gjatë gjithë tekstit për të treguar sesi ndikon tema në fjalë te bizneset e vogla dhe të mëdha. Roli i rëndësishëm që luajnë globalizimi, teknologjia dhe etika në të ardhmen e biznesit dalin në pah pikërisht prej këtyre elementeve.

Përkufizimet në korniza

Teksti Hyrje në biznes është e mbushur plot e përplot me terma që janë të rinj për studentët. Për ta bërë këtë fjalor të ri më të lehtë për t’u kuptuar, të gjithë termat e rëndësishëm të kapitullit jepen me të zezë të theksuar dhe janë përshkruar qartë në tekst, në korniza dhe në fjalorin gjithëpërfshirës në fund të librit.

Verifikimi i realitetit

Çdo pjesë e objektivit që duhet studiuar mbyllet me një Verifikim realiteti, një pyetje kjo që kërkon të dijë nga studentët sesi ka ndikuar tek ata ajo pjesë e objektivit që studiuan. Duke i kaluar çështjet e biznesit në një nivel personal, studentët janë më të prirur që të angazhohen në këtë subjekt.

Pedagogjia e fundkapitullit

Pedagogjia e fundkapitullit përforcon qartë rëndësinë e përmbajtjes së kapitullit, ashtu si dhe të kuptuarin e terminologjisë, të koncepteve, të mjedisit dhe të operacioneve të biznesit. Një listë detyrash i lejon pedagogët të zgjedhin se cilat aktivitete janë më të përshtatshme për kursin e tyre.

Karrierat: Para përmbledhjes së çdo kapitulli, një syth u kushtohet mundësive në karrierë, që i përkasin fushës së atij kapitulli. Studentët informohen rreth mundësive të ndryshme të punësimit që janë të disponueshme në atë fushë të biznesit. Në këtë mënyrë, atyre u jepen këshilla se si të kërkojnë punësim.

Përmbledhja e kapitullit: Çdo përmbledhje e kapitullit është e organizuar sipas objektivave për t’u mësuar. Kur studentët të përfundojnë së lexuari përmbledhjen, ata do t’i kenë kaluar tri herë objektivat që duhen studiuar dhe ka shumë të ngjarë që do të dinë ku ta gjejnë informacionin e kërkuar në lidhje me ta.

Pyetjet e kapitullit: Rreth pesëmbëdhjetë Pyetje të kapitullit i ndihmojnë studentët të rikujtojnë konceptet e biznesit, të kuptojnë sesi këto koncepte zbatohen dhe t’i nxisin ata të përdorin arsyetimin kur ndërtojnë përgjigjet e tyre.

Interpretimi i lajmeve të biznesit: Duke u bazuar në artikujt standard dhe/apo aktual të lajmeve të biznesit, që lexuesit do të gjejnë në gazetat, si Wall Street Journal, Financial Times, Business Week etj., studentëve u kërkohet të komentojnë artikullin, duke përdorur njohuritë e tyre për materialin që është trajtuar në atë kapitull.

Detyra Web-i: Studentët udhëzohen të vizitojnë faqe të ndryshme interneti, që u përkasin kompanive të caktuara, për të marrë informacionin e nevojshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të kapitullit lidhur me biznesin.

Projektet në dosje: Për t’i ndihmuar studentët që të krijojnë dosjen e tyre të biznesit, atyre mund t’u jepet si detyrë individuale apo në grup një ose dy Projekte në dosje. Objektivi i rubrikës Shqyrtimi i rasteve studimore zhvillohet për t’i nxitur studentët të kryejnë një analizë të hollësishme të një kompanie të madhe (p.sh., të një kompanie Fortune 500 [një listë e përpiluar dhe e botuar nga revista Fortune, ku radhiten sipas të ardhurave të tyre bruto 500 kompanitë kryesore amerikane]). Studentët zgjedhin një kompani që njihet gjerësisht dhe marrin informacion që mund të gjendet lehtë në internet dhe në bibliotekë. Duke iu përgjigjur pyetjeve specifike të kapitullit në këto paragrafe, studentët do të bëjnë një analizë të hollësishme të kompanisë deri në fund të kursit. Pyetjet te Hapja e biznesit tuaj synojnë t’u japin studentëve mundësinë për të krijuar një plan të hollësishëm biznesi, që është dhe hapi i parë në krijimin e një ndërmarrjeje të re. Këtu, objektivi synon t’i nxisë studentët të bëhen sipërmarrës të suksesshëm, duke i ndihmuar ata të krijojnë përparësi, strategji dhe metoda veprimi të qarta në biznes.

Testi përgatitor: Si pedagogët, ashtu dhe studentët e kanë lavdëruar këtë element si diçka unike dhe që i shton vlera këtij libri. Pa qenë nevoja për t’iu drejtuar një libri udhëzues studimi, studentët mund të testojnë njohuritë e tyre mbi subjektin e një kapitulli, duke përdorur këto pyetje me disa përgjigje.

Trajtimi organizativ dhe tematik i tekstit

Përmbajtja e tekstit është përshtatur në mënyrë të tillë që secili kapitull të ndërtohet në bazë të atyre paraardhës. Si rrjedhim, çdo temë trajtohet duke shpjeguar me kujdes elementet thelbësore të biznesit përpara se të kalohet te shembujt dhe në detajet e tjera. Sekuenca logjike e pjesëve dhe e kapitujve jepet më poshtë.

Pjesa e parë: Natyra e biznesit bashkëkohor, përbën një hyrje prej katër kapitujsh për sa i përket biznesit, qoftë ky i madh apo i vogël. Kreu 1, Çfarë është biznesi? e përkufizon biznesin në lidhje me organizatat përfituese dhe ato jo përfituese. Gjithashtu, në këtë kapitull trajtohet dhe mënyra sesi këto organizata veprojnë në sisteme të ndryshme ekonomike. Ne shpjegojmë koncepte si input-et, output-et dhe sesi matet rendimenti i biznesit në një ekonomi tregu të drejtuar nga konsumatori në epokën dixhitale.  Në Kapitullin 2, Mjedisi i biznesit, ne shpjegojmë me kujdes pse biznesi ka natyrë globale pavarësisht llojit dhe vendndodhjes së aktivitetit të biznesit. Ju vëmë në dukje se me rënien e kufijve tregtarë dhe investues dhe me zhvillimet në teknologjinë informatike, ne jetojmë në një fshat global ku importi i mallrave dhe i shërbimeve është një normë dhe ku do të lulëzojë biznesi etik. Kapitulli 3, Qeverisja e biznesit, etika dhe përgjegjësia shoqërore, hedh një vështrim aktual te strukturat e qeverisjes së biznesit dhe të konfliktit të mundshëm të interesave që ekziston brenda këtyre strukturave. Gjithashtu, ai analizon kodet e etikës në biznes dhe mënyrën sesi kompanitë po mundohen të nxisin një sjellje më të mirë etike nga ana e punonjësve të tyre. Në Kapitullin 4, Biznesi i vogël dhe sipërmarrja, ne diskutojmë rolin kritik që ka biznesi i vogël në ekonomi dhe mbështetjen që qeveria u siguron bizneseve të vogla. Tema të tjera që diskutohen në këtë kapitull janë: cilët lloj individësh bëhen sipërmarrës të suksesshëm, si të zhvillosh një plan të shëndetshëm biznesi dhe të krijosh një organizatë biznesi të vogël dhe, e fundit, vendimet kryesore menaxheriale të biznesit të vogël. Ky kapitull është i pajisur me elemente thelbësore për të nisur një biznes të vogël dhe përmban shumë shembuj nga bota reale e sipërmarrësve dhe e ndërveprimeve të bizneseve të tyre të vogla.

Pjesa e dytë: Menaxhimi i sjelljes në biznes, përmban tre kapituj dhe analizon veçoritë e menaxhimit të biznesit, duke qenë se të gjitha firmat duhen menaxhuar. Në Kreun 5, Menaxhimi dhe organizimi i biznesit, studentët do të mësojnë funksionet bazë menaxhuese të planifikimit, organizimit, drejtimit dhe kontrollit. Ky kapitull flet, gjithashtu, për llojet e ndryshme të menaxherëve dhe të aftësive menaxhuese që nevojiten për të drejtuar në mënyrë të suksesshme një biznes. Në Kapitullin 6, Menaxhimi i burimeve njerëzore, studiohet menaxhimi i njerëzve në organizata. Këtu diskutohen çështje, si punësimi i punonjësve, përcaktimi i rrogave dhe i përfitimeve të tyre, mjedisi ligjor i MBNJ dhe diversiteti i forcës punëtore në periudhën pas 11 shtatorit 2001. Në Kapitullin 7, Motivimi dhe udhëheqja e punonjësve, përqendrohemi te roli kritik që luajnë motivimi dhe udhëheqja në mbarëvajtjen e suksesshme të biznesit. Pas përkufizimit të motivimit, ne analizojmë teori madhore motivimi nga perspektiva e mënyrës sesi mund të rriten pritshmëria dhe rendimenti i punonjësve në punë. Gjithashtu, një vëmendje e veçantë i kushtohet mënyrës sesi bizneset mund të praktikojnë programe balancimi punë-jetë, të cilat mund t’i bëjnë punonjësit që ta balancojnë më së miri ditën aktuale të punës me jetën familjare. Kjo pjesë mbyllet me një analizë të hollësishme dhe me një diskutim të teorive madhore të drejtimit dhe modeleve të udhëheqjes, së bashku me një analizë të rëndësisë që ka etika te ky funksion.

Pjesa e tretë: Marketingu, i bën studentit një prezantim prej tre kapitujsh me rëndësinë e përgjegjësisë së biznesit. Kapitulli 8, Bazat e marketingut, përshkruan tipat e ndryshëm të tregjeve që kompanitë mund të zgjedhin për t’i shërbyer. Çfarë natyre ka marketingu, si mblidhet informacioni për tregjet dhe për ambientin rrethues, cilat janë strategjitë më efikase që ato mund të aplikojnë për t’i arritur ato objektiva dhe si t’i menaxhojnë klientët në mënyrë efektive? Kapitulli 9, Zhvillimi i produktit miks dhe i çmimit miks, trajton produktin dhe elementet përcaktuese të çmimit, shumëllojshmërinë e marketingut. I familjarizon studentët me aspektet bazë të produktit. Këtu paraqiten procesi i ri i zhvillimit të produktit, si dhe mënyrat për të menaxhuar në mënyrë efektive produktet ekzistuese. Paraqiten objektivat përcaktues të çmimit bashkë me konceptet bazë të përcaktimit të çmimit. Kapitulli 10, Zhvillimi i shumëllojshmërisë së promocionit dhe të shpërndarjes trajton elementet e tjera të shumëllojshme të marketingut, reklamën dhe shpërndarjen. Këtu përfshihet një diskutim për shumëllojshmërinë e reklamimit. Theksohen programet e integruara reklamuese të marketingut, ashtu siç theksohen avantazhet dhe dizavantazhet e përdorimit apo të mospërdorimit të kanaleve të shpërndarjes. Gjithashtu, identifikohet rëndësia e marketingut të drejtpërdrejtë dhe diskutohet rritja e vëmendjes nga bota e biznesit ndaj logjistikës.

Pjesa e katërt: Kontabiliteti, që përbëhet nga dy kapituj, përshkruan rolin që kontabiliteti luan te njerëzit brenda dhe jashtë firmës së biznesit. Kapitulli 11, Kontabilitet për vendimmarrje, përshkruan mënyrën sesi sistemi i informacionit të kontabilitetit shërben në zhvillimin e një strukture organizative të shëndetshme, garanton që punonjësit të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe ruan një marrëdhënie të qëndrueshme midis kostos dhe efektivitetit të biznesit. Jashtë firmës, deklaratat financiare përdoren nga individë të tillë, siç mund të jenë investitorët dhe institutet huadhënëse, për të marrë, respektivisht, vendime investuese dhe huadhënëse. Në Kapitullin 12, Raportimi financiar, përqendrohemi në katër deklaratat financiare: deklarata e të ardhurave, deklarata e fitimeve të mbajtura, bilanci dhe deklarata e xhiros. Të katërta këto deklarata financiare përfaqësojnë një firmë biznesi në terma financiarë. Këto deklarata u tregojnë njerëzve se u duhet të marrin vendime të dobishme biznesi.

Pjesa e pestë: Financa, përbëhet nga tre kapituj që shqyrtojnë elemente të rëndësishme të financës të zbatueshme nga firmat e biznesit, investitorët dhe individët. Në Kapitullin 13, Menaxhimi financiar i firmës dhe menaxhimi i investimit, shqyrtojmë mënyrën si kompanitë krijojnë fonde për të investuar dhe përcaktojnë mënyrën më të mirë për t’i investuar këto fonde. Gjithashtu, shqyrtojmë mënyrën sesi investitorët që blejnë borxhin dhe aksionet e firmave mundohen të vërejnë se sa mirë po i kryejnë detyrat e tyre menaxherët financiarë. Kapitulli 14, Të kuptojmë sistemin financiar, paranë dhe veprimet bankare, hedh një vështrim më të gjerë në sistemin financiar si një i tërë. Sistemi financiar përbëhet nga tregje, institucione dhe instrumente financiare. Ne paraqesim sesi sistemet financiare ndikojnë në jetët e individëve dhe në suksesin e firmave. Kapitulli 15, Planifikimi i financave personale, trajton parime të rëndësishme të këtij planifikimi. Planifikimi financiar përfshin grumbullimin e të gjitha të dhënave personale financiare, analizimin e këtyre të dhënave dhe krijimin e një plani financiar për të ardhmen. Ky kapitull praktik mund të ndihmojë çdo individ që të krijojë një plan financiar personal të shëndoshë.

Pjesa e gjashtë: Menaxhimi i operacioneve të biznesit, sistemet e menaxhimit të informacionit dhe ndërmarrjet dixhitale, përbëhet nga tre kapituj, të cilët, edhe pse të  pavarur, janë të ndërthurur me njëri-tjetrin. Në Kapitullin 16, Menaxhimi i operacioneve të biznesit, studenti vihet përballë funksionit të veprimeve dhe vëzhgon sesi menaxhimi i mirë i këtij funksioni çon në avantazhe konkurruese për firmën dhe në krijimin e efekteve të dobishme për klientin e firmës. Këtu shpjegohen vendimet thelbësore të menaxhimit të veprimeve në lidhje me produktin, procesin, kapacitetin, vendndodhjen, përbërjen, normën e prodhimit, kërkesat për materiale, blerjen, inventarin, planifikimin dhe cilësinë. Në Kapitullin 17, Sistemet e menaxhimit të informacionit, studentit i paraqitet funksioni i sistemeve menaxhuese të informacionit. Në fillim paraqiten elementet kryesore të SMI-ve bashkëkohorë: pajisjet kompjuterike, programet kompjuterike, bazat e të dhënave dhe rrjetet e telekomunikimit. Pastaj sistemet e menaxhimit të informacionit klasifikohen nga lloji i menaxherit ose nga funksioni i biznesit të cilit ato i shërbejnë. Kapitulli u referohet, gjithashtu, zhvillimit të sistemeve informuese, strategjive për globalizimin e sistemeve informuese dhe aktiviteteve që firmat zhvillojnë në mënyrë që të garantojnë sigurinë dhe saktësinë e sistemeve të tyre informative. Në Kapitullin 18, Ndërmarrja dixhitale, ne ndajmë me studentin përpjekjet e kompanive për t’u integruar në mënyrë dixhitale me funksionet e biznesit nëpërmjet sistemeve planifikuese të burimeve të ndërmarrjes, me firmat nëpërmjet menaxhimit zinxhir të furnizimit dhe me klientët dhe partnerët e tyre nëpërmjet biznesit elektronik. Ky kapitull i shpalos studentit fakte se për ndërmarrjet dixhitale, e ardhmja ka mbërritur. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH