Dossier

Arshi Pipa: Poezia shqipe, pre e vetëkënaqësisë autoriale

               Publikuar në : 10:03 - 06/07/19 V Liberale

UET PRESS sjell librin “Simbolikë mitike e krijimit” me autore poeten dhe profesoreshën e Universitetit Europian të Tiranës, Brikena Smajli

 “Simbolikë mitike e krijimit” quhet libri studimor i poetes dhe profesoreshës së Universitetit Europian të Tiranës, Brikena Smajli. Botim i UET PRESS ky libër u promovua dje në ambientet e UET në prani të botës akademike e njerëzve të kulturës. I shoqëruar me një parathënie nga Adrian Ndreca, ky studim mëton të hulumtojë një histori të misterit të krijimit në art, duke vendosur përballë poezinë shqipe me atë europiane.

Autorja u referohet përfundimeve studimore të Arshi Pipës, i cili e përcakton individualitetin letrar shqiptar dhe vetë letërsinë shqipe, sipas konceptit të Friedrich Schiller-it, në veprën “Mbi poezinë naive dhe sentimentale” si: …naive në këtë kuptim dhe, faktin që shkrimtarët shqiptarë i krijojnë veprat e tyre më të mira në rini e sheh si tregues në këtë drejtim. Poezia shqipe, vazhdon Arshi Pipa, shkarkohet pas një periudhe të shkurtër intensive dhe pothuajse shpërthyese, e paaftë me mbërrit ekuilibrin e pjekurisë dhe të qëndrojë kështu. Ajo bie pre ose e vetëkënaqësisë autoriale, ideologjisë ose letërsive të tjera simotra, të cilat i shtypin vetëdijen me sistemin e tyre të mirorganizuar.

Pyetja që shtrohet sot, kur poezia dhe letërsia shqipe po rizbulohen dhe po plotësohen me vepra dhe autorë, dikur të panjohur a të shfaqur pjesërisht, është: A është kjo natyra e vërtetë e shkrimtarisë / letërsisë (përkatësisht poezisë) shqipe? A ekziston në poezinë shqipe një vetëdije mbi krijimin si krijim? A ekziston në poezinë shqipe dukuria të cilën Kanti e përcakton si “kënaqësia pa interes”, ajo endje tekstore e tekstit letrar, si technos, për të përfunduar në kërkimin si i tillë? Në fund, a ekziston në poezinë shqipe zëri transcendental?

Autorja përpiqet t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve të lindura herët përmes një udhëtimi të pasur në literaturë dhe ide që bashkëshoqërojnë këtë studim. Një ndër qëllimet e kësaj teze është, nisur nga pohimet e mësipërme, që duke vënë në pikëpyetje përfundimet sipërcituara të Arshi Pipës, njërit prej kritikëve më të ndriçuar e më konstruktivë të letrave shqipe, të hulumtojë rreth kundërgjasave dhe dukurive reale, të cilat, në mos e zhvleftësofshin, të paktën e relativizojnë një hipotezë të tillë.

Po në këtë drejtim, rishikimi apo edhe rivlerësimi i përfundimeve të Arshi Pipës, motivohet edhe nga fakti se për një studim të letërsisë, të botuar më 1978-n, viti i botimit të “Trilogia Albanica”-s, mund të paramendojmë edhe vjetrim të tezave apo edhe dalje të dhënash të reja (tekste letrare, vepra të reja poetike, madje edhe zbulime tekstesh të vjetra), nga të cilat përfundimet e Arshi Pipës, në lidhje me natyrën e letërsisë e të shkrimtarisë shqiptare, të kenë edhe nga vetë autori sot, rishikimin e vet.

Në këtë këndvështrim, synimi ynë drejt relativizimit të termit, priret të zbulojë të reja tekstore poetike, të cilat, konceptualisht e tejkalojnë përcaktimin e Arshi Pipës apo synojnë, edhe pjesshëm, të zbulojnë atë që vetë Arshi Pipa nuk na e thotë në studimin e tij: risitë sistemore, të cilat megjithëse nuk kanë mbërritur të përgjithësohen në poezinë shqipe, do ta afronin bindshëm vetë letërsinë, poezinë, në veçanti, me thelbin e vet, qenësinë e vet, për rrjedhojë edhe të krahasueshme me të ngjashmet e veta europiane”, thotë Smajli./Gazeta Liberale

(Visited 87 times, 1 visits today)

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *