Globi

Arrihet marrëveshja, Dritan Abazoviç pjesë e qeverisë së re

Shkruar nga Liberale
Arrihet marrëveshja, Dritan Abazoviç pjesë e qeverisë

Udhëheqësit e tre grupeve kryesore të opozitës që fituan shumicën në zgjedhjet e 30 gushtit në Mal të Zi, nënshkruan të mërkurën një marrëveshje koalicioni, duke premtuar se qeveria e re do të respektojë të gjitha detyrimet ndërkombëtare, do të forcojë dhe çojë përpara bashkëpunimin me NATO-n, dhe do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësim me të drejta të plota të Malit të Zi në BE.

Përfaqësuesit e koalicionit “Për të ardhmen e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë”, dhe “E bardha mbi të zezën”, Zdravko Krivokapiq, Aleksa Beçiq dhe Dritan Abazoviç, në një konferencë për shtyp u përpoqën të fashisnin shqetësimet se do ta ndryshonin orientimin e vendit nga ai pro-perëndimor, drejt Serbisë dhe Rusisë.

Sipas pikave të marrëveshjes nënshkruar nga qeveria e re, ajo nuk do të ndërmarrë asnjë nismë për ndryshimin e flamurit shtetëror, stemës dhe të himnit, si edhe nuk do të ndërmarrë asnjë veprim për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Udhëheqësit e partive të koalicionit thane gjithashtu se përparësi e qeverisë së re do të jetë zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër korrupsionit, që ka qenë një nga problemet kryesore për qeveritë e kaluara.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në 30 gusht, ku tri koalicionet e opozitës fituan më shumë se gjysmën e vendeve në përbërjen e ardhshme të parlamentit të Malit të Zi, megjithëse Partia Demokratike e Socialistëve e Milo Gjukanoviçit, fitoi më shumë vota si subjekt mp vete.

Nga 81 vende që numëron parlamenti, Partia Demokratike e Socialistëve e drejtuar nga Milo Gjukanoviç fitoi 40 vende me partitë e pakicave dhe partnerët tradicionalë, ndërsa tre parti të opozitës fituan 41 vende.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH