Aktualitet

Arrestohen dy adoleshentët që grabitën me armë lodër filialin e postës

Shkruar nga Liberale
Arrestohen dy adoleshentët që grabitën me armë lodër

Identifikohen dhe arrestohen autorët që dyshohet se vodhën nën kërcënimin e një arme lodër, një shumë parash në filialin e Postës shqiptare. Sekuestrohen një shumë parash dhe një nga biçikletat e përdorura për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Në vijim të veprimeve intensive hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 15.12.2021, bazuar në provat e grumbulluara dhe informacionet e marra në rrugë operative u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Filiali”.

Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi i autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasve R. S., 15 vjeç, banues në rrugën “Gani Kryeziu” dhe E. L., 17 vjeç, banues në rrugën “Ilmi Kolgjegja”.

Këta shtetas, më datë 15.12.2021, rreth orës 09:15, të maskuar me kapuçët e xhupave që kishin veshur, kanë hyrë në filialin e postës Shqiptare në Babrru dhe nën kërcënimin e një arme lodër, kanë marrë 200.000 lekë dhe janë larguar me biçikleta.

Gjatë kontrollit të banesave të tyre janë gjetur e sekuestruar 160.500 lekë të rinj dhe një nga biçikletat e përdorura për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH