Globi

Aroma e çuditshme alarmon banorët, policia zbulon 115 trupa të pavarrosur në shtëpinë funerale 

Shkruar nga Liberale
Aroma e çuditshme alarmon banorët, policia zbulon 115 trupa të

Të paktën 115 trupa në dekompozim u zbuluan nga policia amerikane, të ruajtura në pjesën e pasme të një shtëpie funerali në Kolorado, SHBA, ku të afërmit ishin drejtuar për të varrosur ose djegur eshtrat e të dashurve të tyre. Sipas policisë, trupat nuk ishin varrosur me kohë dhe tani po kalben në pritje të procedurës së kërkuar.

Në fakt, alarmi u ngrit kur dikush raportoi se një erë e keqe po vinte nga ndërtesa. Kur hetuesit nga Zyra e Sherifit të Qarkut Fremont mbërritën në vendngjarje të mërkurën e kaluar, ata zbuluan se në fakt ishin 115 trupa të ruajtur në mënyrë të parregullt. “Një skenë e tmerrshme” e përkufizoi sherifi që aktivizoi edhe FBI-në.

"Ka pasur shumë pyetje dhe shqetësime nga komuniteti, veçanërisht nga ato familje që i kanë besuar të dashurit e tyre në këtë zyrë funerali. "Prioriteti dhe fokusi ynë është te familjet," tha sherifi, duke shtuar: "Ne jemi të përkushtuar për të gjetur përgjigje për familjet sa më shpejt të jetë e mundur”.

Familjarëve që përdorën shtëpinë e varrimit u është kërkuar të kontaktojnë hetuesit për të marrë kufomat e të dashurve të tyre, por kjo nuk do të jetë e lehtë dhe do të nevojiten analiza të ADN-së, duke pasur parasysh gjendjen e trupave. “Ky do të jetë një proces shumë, shumë, i gjatë që mund të zgjasë disa muaj”, shpjeguan autoritetet lokale.

Për momentin nuk ka të arrestuar por hetimet vijojnë për të kuptuar nëse përveç atyre administrative ka edhe krime penale. Zyra e funeralit nga ana e saj pranoi se kishte pasur probleme por nuk ishte e qartë pse kishte lënë mënjanë trupat e të ndjerëve, për të cilët duhej të kujdesej. Tani ajo po bashkëpunon në hetim. Është një kompani që kryen “varrime natyrale”, pa kimikate dhe vetëm me arkivole të biodegradueshme apo në tokë të zhveshur duke i mbështjellë kufomat me qefina.

Sipas ligjit të Kolorados, të ashtuquajturat varrosje "të gjelbra" ose "natyrale" janë të ligjshme, por kodi shtetëror kërkon që çdo trup që nuk është varrosur brenda 24 orëve duhet të ruhet në frigorifer siç duhet. Më tej, sipas dokumenteve zyrtare, edhe regjistrimi i strukturës kishte skaduar që në nëntor./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH