Dossier

Aristokracia mesjetare shqiptare si qytet-themeluese në Ballkanin…

               Publikuar në : 09:41 - 05/03/20 liberale

Dritan EGRO*

Sipas traditës turke qytet konsiderohej: vendi ku falej xhumaja (falja e së premtes) dhe vendi ku ngrihej pazari (Cuma kılınur, bazar durur): Ndërtimi i një xhamie apo më gjerë, i një kompleksi godinash me karakter social urban (külliye: xhami, mencë publike, pazar, teqe, medrese etj.) me në qendër xhaminë shërbente për të orientuar popullsinë myslimane që vinte rishtazi në qytet; pra, i jepte perspektivë zhvillimit urban të qytetit duke i dhënë fund realitetit urban pararendës, por pa e shkatërruar atë.

Ndërtimi i një Saraji dhe disa godinave të tjera në Edirne, menjëherë pasi qyteti ra në duart e osmanëve, në fakt përbëjnë ndërtimet e para jashtë mureve të qytetit bizantin. Duke filluar me sulltan Orhanin (1326-62), çdo sulltan ngriti të paktën një kompleks. Derisa Kostandinopoja ra në duart e osmanëve komplekset e ndërtuara nga sulltanët ishin modeste në dimensione; vetëm pas kësaj date ato do të bëhen monumentale, duke ecur paralelisht me logjikën e madhështisë së ngritjes së një perandorie që po i zinte vendin Bizantit/Romës II.

Çdo sulltan që ndërtonte një xhami apo kompleks të ri automatikisht i hapte udhë procesit të urbanizimit të një distrikti të ri / mëhallë e re. Duhet patur parasysh që veprimtaria ndërtuese e një qendre urbane vazhdoi me breza, jo vetëm nga themeluesi. Kështu që sulltanët osmanë shërbyen si model me veprat urbane që ndërtuan nëpër kryeqytetet e hershme të shtetit osman. Në fakt, kalimi i qyteteve nga tradita romako-bizantine në atë turko-islame ishte një proces i shtrirë gjatë në kohë dhe hapësirë.

  1. Ndërtimi i xhamive

Një ndër të parët investitorë publikë në kryeqendrën osmane në Ballkan, në Edirne, ishte i biri i Bogdan Muzakës, Sinan Pasha, i njohur në vitet ‘20-30 të shek. XV si sanxhakbeu i Tërhallës e më pas si bejlerbeu i Rumelisë. Ai ndërtoi në Edirne një xhami të tipit T.

Mes pashallarëve shqiptarë që ndërtuan xhami në Edirne janë edhe të bijtë e shqiptarit Vukashin: Çaush beu dhe vëllai i tij, Is’hak Pasha, që sipas dokumentacionit osman rezulton të jetë senjor i hershëm në zonën e Myzeqesë.

Ndërsa i biri i Ajdin Klopesit,  i njërit prej zotërve të krahinës së Tomorricës, i njohur me emrin Haxhi Shehabedin Pasha, në 1436 ndërtoi një xhami po në Edirne, e njohur me emrin Kirazlı. Ajo shënon xhaminë më të hershme të tipit domed-square structure në Edirne. Ky objekt kulti ka edhe portikë, çka shihet për herë të parë në arkitekturën turke të xhamive. Ky personalitet, i njohur edhe me emrat Lala Shahin apo dhe Arnavud Shahin, në fillim të viteve ’40 të shek. XV u bë bejlerbej i Rumelisë dhe një nga njerëzit më të afërt të sulltan Murat II, madje edhe lala/ mësues i sulltan Mehmetit II.

Evliya Celebiu thotë se ndër xhamitë më të famshme të qytetit të Manastirit ishin Xhamia e Çaush Beut të sipërpërmendur dhe Xhamia e Gazi Hajdar Pashës Muzakës. Po ky Çaush bej është edhe ndërtuesi i xhamisë më të hershme në Gramsh, një pikë e rëndësishme strategjike mbi luginën e Devollit aty ku ky lum hapej drejt fushës për në Adriatik. Kurse, Hajdar Pashë Muzakën, kushëri i Gjon Muzakës, dhe ish-zoti i territoreve buzë liqenit të Maliqit, e hasim edhe si ndërtuesin e një lagjeje që do të mbante emrin e tij në qytetin e Ohrit.

  1. Ndërtimet e kulliye / lagjeve

Ish-senjorët shqiptarë tanimë dinjitarë të lartë osmanë nuk u mjaftuan vetëm me ndërtime faltoresh të besimit islam. Ata ndërtuan edhe külliye, komplekse godinash dhe institucionesh me karakter fetar dhe social në qendra urbane me rëndësi strategjike për vendosjen e sundimit osman në rajon.

Rasti më tipik është ai i Çaush Beut të sipërpërmendur, birit të Vukashin shqiptarit. Ky personalitet në vitin 1434 ndërtoi më të hershmin kompleks institucionesh me karater fetaro-social osman në qytetin e Manastirit, por që njëkohësisht shënon edhe më të hershmin kompleks të tillë të dokumentuar deri më sot. Ky kompleks riformuloi jo vetëm bërthamën e re urbane të Manastirit, por përcaktoi edhe perspektivën e zhvillimit urban të tij përgjatë periudhës osmane. Nga ana tjetër, përmes objekteve të vakufuara të Çaush Beut mund të krijosh idenë e qartë të fuqisë që konvertët shqiptarë fituan dhe deri diku të kuptosh edhe një nga  arsyet se pse ata preferuan të kalonin në anën e osmanëve. Përmes ndërtimeve të komplekseve të tilla ata lanë pas emrin dhe trashëgiminë e tyre, duke i vënë vulën personale një urbanistike të re të qyteteve në rajon, tashmë pjesë integrale e një perandorie të re që po lindte.

Interesant është fakti që mes dëshmitarëve në dokumentin themelues të vakëfit të Çaush Beut, që në fakt është edhe tapia e rithemelimit të qytetit të Manastirit, ishte edhe Haxhi Shehabettin Pasha i sipërpërmendur. Ky fakt flet për shkallën e solidaritetit dhe të mbështetjes që ekzistonte mes elitës shqiptare të konvertuar në Islam.

Në këtë vazhdë, shqiptari Zaganos Pasha i dha emrin e tij një distrikti të Stambollit, sapo ky qytet kaloi në duart e osmanëve. Ai ishte personaliteti që ndikoi direkt mbi sulltan Mehmetin II që ta merrte kryeqytetin e Bizantit. Më pas ai u bë edhe kryeministër i Perandorisë Osmane, dhe vajzën e tij e mori për bashkëshorte vetë sulltan Mehmeti II.

Po ashtu Çakirxhibashi Hamza Pasha, biri i fisnikut shqiptar Kozma, arriti në postin e drejtuesit të qytetit të Stambollit pak kohë pasi qyteti ra në duart e osmanëve. Sipas regjistrimit të parë kadastral të Stambollit, ai rezulton të jetë një tjetër personalitet shqiptar që i dha emrin e tij një tjetër distrikti të këtij qyteti.

Të gjitha këto zhvillime vërehen para se tokat shqiptare të binin plotësisht nën sundimin osman. Pra, ish-senjorët shqiptarë po shpalosnin ambiciet e tyre, por po dëshmonin me vepra edhe kapacitetin e tyre qytet- dhe shtet-formues. Në kushtet e një bote që po ndryshonte rrënjësisht, kjo shihej prej tyre si e vetmja rrugë që ata të linin pas gjurmë në histori: emër, prona dhe trashëgiminë e tyre. Interesat e kësaj kaste senjorësh shqiptarë përputheshin më së miri me politikat afatgjatë të një perandorie në ngritje.

  • Themelues qendrash të reja urbane

Gjenealogjinë e tij Gjon Muzaka rrëfen se një nga hallat e të atit, znj. Helena Muzaka pati dy djem: Haxhi Beun (Haxhi Shehabettin Pasha), Hasan Beun; dhe një vajzë, Despinën, që ishte martuar me Aliun, sanxhakbeun e Nikopojës (në Bullgarinë e sotme).

Nga regjistrimet kadastrale osmane në fundshek. XV mësojmë se zonja Despina në pronat e saj në Thrakën veriore themeloi disa fshatra duke u dhënë emrin e saj: Arnavud Despine köyleri (fshatrat e shqiptares Despina). Duhet hulumtuar më tej në se bashkëshorti i Despinës, Ali Beu, është i njëjti personalitet që mori përsipër themelimin e një qyteti krejt të ri, Karlovos, pranë Plovdivit në Bullgarinë e sotme!

Por le të ndalemi pak më gjatë te Haxhi Shehabettin Shahin Pasha, si  rithemeluesi i qytetit të Plovdivit/Filibe, sot qyteti i dytë më i rëndësishëm në Bullgari.

Xhaminë e parë në këtë qytet e ndërtoi sulltan Murati II. Përzgjedhja e territorit dhe planvendosja e xhamisë së sulltanit në fakt shërbeu si pika e Arkimedit për lindjen e qytetit të ri osman.

Aktiviteti i mëpasëm transformues urban i Shehabettin Shahin Pashës ishte një proces ringritjeje i Plovdivit në pozicionin e qendrës së bejlerbejllëkut të Rumelisë, post të cilin e mbante pikërisht ai në fund të viteve ’30 të shek. XV. Personi që themelonte apo rithemelonte një qytet ishte edhe patroni i parë i këtij qyteti. Ndërtimi i një xhamie shoqërohej zakonisht me banjo publike (hamam) dhe infrastrukturë për tregti (pazar). Edhe në rastin Plovdivit Shahin Pasha ndërtoi: xhami / pazar / hamam.

Me ndërtimin e institucioneve të tilla fetare dhe sociale Shehabettin Pasha përcaktoi hapësirën e re të zhvillimit urban të qytetit. Ai ndryshoi rrugën Edirne-Istanbul, duke e kaluar brenda qytetit, madje e ridrejtoi atë brenda qendrës tregtare të qytetit. E rëndësishme është të theksohet se vendosja urbane e kompleksit të Sehabettin Pashës, pra përcaktimi i aksit të ri urban ka përcaktuar edhe zhvillimin e mëpasëm dhe mënyrën si ka vazhduar më pas zhvillimi i hapësirës urbane së këtij qyteti.

Falë kontributit të këtij personaliteti me origjinë shqiptare Plovdivi u tranformua në metropolin e Thrakës Veriore; njëkohësisht, ky qytet u transformua në një nyje shumë të rëndësishme përgjatë rrugës që lidhte Edirnenë me Beogradin, pra që lidhte me rrugë tokësore territoret osmane me ato të Europës Qëndrore.

Ndër efektet urbane të ndërtimit të kompleksit të Shehabettin Shahin Pashës veçojmë:

  1. zhvilloi pjesën tregtare të qytetit;
  2. riformuloi hapësirën urbane të qytetit;
  3. përcaktoi një pjesë të kufijve të rinj të qytetit;
  4. ndryshoi pamjen simbolike të qytetit.
  5. përmes këtyre ndërtimeve të reja me në qendër objektet e kultit islam u përcaktuan edhe politikat demografiko-fetare që do të aplikoheshin në këtë qytet.

Osmanologu bullgar G. Boykov, si të gjithë studiuesit e tjerë para tij që janë marrë me aktivitetin transformues urban të shtetarëve në shekujt e parë të historisë osmane, nuk ka arritur ta zbulojë se cili ishte Shehabettin Pasha dhe cilat ishin rrënjët e tij etnike dhe historike. Ndërkohë që, vetëm një personalitet shqiptar si Shehabettin Shahin Pasha mund të ishte nga njëra anë rithemelues i një qyteti, e nga ana tjetër të ishte mbrojtës/protektor i madh i manastireve ortodokse të Malit Athos, murgjërve ortodoksë dhe i fisnikëve që kishin gjetur strehë aty.

Shehabettin Pasha ka ndërtuar objekte me karakter ekonomik edhe në qytetin tjetër të Bullgarisë, Tatar Pazarxhik. Madje, ai shfaqet shumë aktiv edhe në qytetin tjetër të Thrakës, Mallkara; dhe për këtë aktivitet të tij ai thirrej edhe Mallkarali Shahin.

Procesi i themelimit të qyteteve nga shtetarët shqiptarë në Perandorinë Osmane vijoi me Korçën nga Iljaz bej Mirahori (fundi i shek. XV); Kaçaniku nga Koxha Sinan Pasha nga Topojani i Lurës dhe biri i tij Mehmet Pasha (gjysma e sytë e shek. XVI); Tirana nga Sulejman Pashë Bargjini (fillimi i shek. XVII), Peqini nga Abdurrahman Abdi Pasha (mesi i shek. XVII), madje edhe Fieri në gjysmën e dytë të shek. XIX nga nga Kahreman Pashë Vrioni.

*

Procesi i themelimit të qyteteve në periudhën osmane paraqit specifika të variojnë sipas kohës dhe hapësirës. Ai nuk ishte dhe nuk mund të ishte unik në të gjithë rajonin përgjatë gjithë periudhës osmane. Në se në fillim ishte fryt i aktivitetit militant të sulltanëve dhe dinjitarëve të tij të lartë, duke filluar nga fillimshek. XVII e më pas ky proces fitoi shkaqe mirëfilli strategjike dhe ishte më së shumti reflektim i marrëdhënieve mes Perandorisë Osmane dhe fuqive perëndimore.

Shekujt XVIII-XIX më së shumti demonstruan ambiciet e familjeve të mëdha për të kontrolluar pikat nyje të rrugëve të tregtisë dhe fuqizimin ekonomik të tyre. Duhet vënë në dukje që deri në mes të shek. XVII themelimi i një qyteti ishte edhe një nga rrugët për krijimin e Oxhaqeve apo siç njihen Dyerve të Mëdha (households); kurse, më pas, do të ishin oxhaqet që në përmbushje të ambicieve të tyre për fuqi ekonomike dhe prestigj do të themelonin qytete të reja (Vrionët dhe themelimi i Fierit).

Shqiptarët e integruar në shtetin osman kanë mbajtur mbi supe një pjesë të madhe të peshës së drejtimit të Perandorisë Osmane. Falë elementit etnik shqiptar mund të kuptohet edhe më mirë karakteri multietnik i kësaj perandorie dhe fleksibiliteti i treguar prej saj në ndarjen e pushtetit, çka është edhe një prej faktorëve që i garantoi jetëgjatësi asaj veçanërisht në Ballkan. Nga ana tjetër, elementi shtetformues shqiptar që u integrua në shtetin osman shërbeu si model suksesi, duke krijuar tërthorazi terrenin e përshtatshëm për konvertimin masiv të shqiptarëve në Islam në shekujt e mëpasëm.

Në historinë urbane të Ballkanit periudha osmane shënon një etapë të caktuar të saj, e cila pazgjidhshmërisht lidhet me kontributin që dhanë pinjollët e fisnikërisë vendase që iu bashkuan shtetit osman. Ndërtimet e objekteve të kultit dhe publike, sipas modelit islamo-osman prej konvertëve ballkanas ishte një nga format e shprehjes së devocionit ndaj besimit të ri dhe dinastisë osmane. Nga ktitorë kishash ata u shndërruan në ktitorë (bani) xhamish dhe objektesh të tjera publike islame, duke përmbushur kështu detyrimet e tyre me karakter fetar islam, që përshpirtja dhe bamirësia e tyre të kujtohej edhe pas vdekjes. Megjithatë, krenarë për origjinën e tyre familiare, edhe pas kalimit te osmanët ata vazhduan ta përmendnin fort identitetin e tyre etnik. Nga ana tjetër, pikërisht për këta djem të talentuar kishte nevojë edhe sulltani: për shtetarë me rrënjë historike, por që tashmë ishin bërë të devotshmit e tij. Kontributi i tyre në proceset e shtetndërtimit ishte një garanci e fuqishme për t’i hapur rrugë aktivitetit të tyre ndërtues dhe themelues urban.

*

Studiuesi i historisë nuk është vetëm reporter i së kaluarës dhe aq më pak një gjykatës. Historiani është personi që teston kufijtë e njohjes për të shkuarën; është ai që kupton i pari dhe shpjegon ndryshimet që koha ka sjellë duke përfshirë gjithë shoqërinë. Por është edhe ai që përmes analizës kritike i hap udhë gjithmonë qasjeve dhe analizave të reja.

Tashmë historia nuk duhet shkruar vetëm si praktikë thjesht mekanike e rreshtimit të dokumentave apo edhe e përzgjedhjes së tyre; ajo duhet të parashtrojë logjikën dhe anti-logjikën në ecurinë dhe zhvillimin e proceseve historike. Ndaj para se të shkruhet duhet menduar mirë. Nga kjo mënyrë të menduari dalin gjithmonë jo vetëm qasje të reja, por çka është më e rëndësishme edhe fusha të reja studimi.

Studimet historike gjithnjë e më tepër duhet të fitojnë thellësi, që të shpjegojnë më shumë se atë që duket në sipërfaqe; atë që ekziston por edhe atë që nuk ekziston sot, por që ka ekzistuar dhe sot në mënyrë të padukshme ndikon mbi realitetin tonë. Duhen vënë në dukje elementët e vazhdimësisë dhe të ndërprerjes që ndoshta nuk duken, por që ekzistojnë e ndihen edhe pa u parë. Kjo e bën historinë shqiptare më të ndërlikuar se të tjerat.

* Pedagog UET /Gazeta Liberale

Tags: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back