Letërsi

Ardhja e fshehtë e ikonoklastëve “anglezë” 

Shkruar nga Liberale

Preç Zogaj

Në grupin letrar të Lezhës aty nga fundi i viteve shtatëdhjetë dhe fillimi i viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar Rudof  Marku ishte i vetmi që, si në një parashkrim apo fanitje të ardhmërisë  së vet, kishte mësuar anglisht. Mbante një lloj misteri me anglishten e tij, nuk them aureolë, sepse aureolën e kishte edhe pa  këtë gjuhë të  hemisferave të ndaluara. Në takimet tona, ndërsa  tregonte sekush për leximet e fundit, ai  kishte gjithnjë diçka nga Anglia apo SHBA, një subjekt në prozë, një poezi, një emër autori, një  kuriozitet, një histori që nuk e kishte asnjë tjetër dhe  rrallë e gjeje në botimet  tona. Dhe mua më dukej se edhe hapi i tij i gjatë dhe i nxituar, që vendoste ritmin e ecjeve tona të pangjashme me ngenë e shëtitjeve, i përgjigjej në një formë instiktive nijetit për t’ju afruar e për t’ju afruar një mirazhi, që ishte e largëta, e ndaluara.

Një ditë  vjeshtë të vitit 1978 Rudolfi tha se i kishte rënë në dorë një antologji e poezisë angleze ku kishte gjetur autorë dhe poezi të jashtëzakonshme, disa prej të cilëve  na premtoi se do t’i përkthente për ne. Çasti i shumëpritur  nuk vonoi. Një të diel plot me diell dhe reflekse  të arta hurmash në rrugën që shkonte drejt  tregut të  fshatarëve, ulur  të shkallët  e jashtme të shtëpisë së tij përballë lumit Drin, që do të zhdukej nga termeti  bashkë me gjithë qytetin e vjetër pas disa muajsh, Rudolfi na lexoi dy  poezi  nga autorë anglezë  të  përkthyera në shqip  prej tij.

E para mbante  titullin “Qytetari i panjohur” dhe e kishte shkruar  Hjuston Auden.  E dyta ishte shkruar nga një poet shumë i ri, që ishte vrarë  pa i mbushur  të njezet e pestat në  luftën e parë botërore  si pjesë e trupave britanike. Quhej Vilfred Ouen, ndërsa poezia mbante si titull shprehjen latine “ Dulce ed decorum est (E ëmbël  dhe e lavdishme është). Emrat e tyre i dëgjonim për herë të parë. Më vonë  Rudoli do të përkthente të tjera poezi nga Auden, nga Tomas Eliot apo Ezra Paund, por kujtimi  i këtyre dy të parave  më sjell në mendje sot e kësaj dite kujtimin e  një tronditjeje  të  thellë,  mendore më shumë se shpirtërore, që më ndoqi përgjatë  gjithë rrugës me biçikletë nga Lezha në Manati ku kisha shtëpinë. Ishin dy poezi nga ato që shpërthejnë kuptime të vjetruara apo të ngrira dhe bëjnë të lindin koncepte të reja për poezinë.

“Qytetari i panjohur” ishte ndërtuar   në formën  e një “ biografie”,  gdhendur në mermerin e varrit-monument të të ndjerit. Vetë  varri- monument dhe shënimi  se ishte ndërtuar me  shpenzimet   shtetit e projektonin  qytetarin e panjohur  në standartin  e  një  modeli, pak a shumë si njeriun e ri në regjimin tonë, sigurisht në një kontekst tjetër ekonomik dhe shoqëror.  Nëpërmjet  një enumeracioni   prozaik  si një procesverbal,  por plot me nëntekste  dhe humor të zi,  poezia shpaloste  elementët  e  këtij modeli.  Ja  disa nga vargjet:

Është provuar nga zyra e statisktikave  se ai qe një njeri

për të cilin nuk ka patur  pakënaqësira zyrtare.

 Veç kohës së Luftës, deri ditën kur n’pension e liruan

ai punoi në një fabrikë dhe asnjëherë nuk e  pushuan.

Nuk ishte grevëthues, as i dyshimtë në ide

Sindikata raporton se i ka paguar kuotat atje…

Të dyja kërkimet në Fushën Prokduktive

Dhe në Standartin e Lartë deklarojnë se ai

qe mjajft i ndjeshëm ndaj planit me kredi.

 Vëzhgimet  në fushën  e opinionit publik na e bëjnë të gëzuar

Sepse çdo vit mbante një opinion të caktuar…

U martua dhe i shtoi  popullsisë pesë fëmijë,

Sipas eugjensitëve  një numër normal

për një prind të  brezit të tij…

Deri këtu dhe në vijim, megjithë  gerveshjen  sarkastike  brenda deskriptivizmit  të ftohtë, poezia të kujtonte se  një qytetar të ngjashëm  të  parafabrikuar sipas kërkesave të shtetit, e gjeje edhe në Shqipëri. Por papritur enumeracioni ndërpritej dhe  vinte mbyllja  “angleze”, siç e kam menduar më vonë,  e pagjasë në  thjeshtësinë dhe shumëkuptimësinë e vet, që e kthente gjithë tekstin  nga një eulogji  ironike, në një elegji të  sofisitikuar e shumë të trishtë për  njeriun, sikurse edhe  në një  anatemë shpërbërëse për sistemet që investojnë konformizmin denatyrues të qenies. Ja, mbyllja:

 A ishte ai i Lirë? A ishte ai i Lumtur? Pyetja absurde është.

Po të ishte bërë ndonjë gabim do ta merrnit vesh.

Lexojini dhe rilexojini sot ju që nuk keni patur rast ti lexoni deri më sot, mendoni  për to dhe kam idenë se do të ndiheni gjithnjë  mes  një shpërthimi kuptimesh të reja,  të pambaruara,  që  pavarësia   sovrane e  poetit i ka dhunti.   Më vonë do të lexoja se “Qytetari i panjohur”   konsiderohej një poezi tipike e letersisë destopike (e kundërta  e   utopikes), ku  e ardhmja totalitare projektohet  si një shëmti e njerëzimit,  ashtu siç e shohim të  zhvilluar gjerë e gjatë në romanin e  Xhorxh Oruellit “ Viti 1984”.

Poezia e dytë, ajo  e  djaloshit Vilfrid Ouen,  ishte një klithmë në rrethana të përligjura  kundër  përballë  pamjes  së tmerrshme të  vdekjes  së një djali  të ri në luftë. Jemi në front, është dhënë komanda “gaz, gaz”,  njëri prej ushtarëve  nuk arrin të vendosë në kohë kundragazin, vetë autori e sheh atë fatzi   të përpëlitet e mbytet pa kthim si “ poshtë një deti të gjelbër” .

Dhe  pastaj:

Nëse në disa ëndrra ankthi dhe ti mund të ecësh ngadalë

pas karroces ku e hodhëm trupin e tij,

Dhe nëse  sheh si i çakërdisur  sytë e  bardhë

në fytyrën  pa jetë  si të një djalli  sëmurë me mekatet- kërdi.

Nëse mund të dëgjosh çdo troshitje gjaku tek i del

Me gurgullimë nga mushkëritë tërë plagë …

Miku im , mos  ua thuaj  me zell-zëlartë

fëmijëve të ethshëm  për dëshpëruesen  lavdi

Rrenen e vjetër: Dulce e decorum est

të vdesë për atdhe.

(E ëmbël dhe e lavdishme është/  të vdesësh për atdheun)

Kjo  poezi  të mban  pa frymë sa herë ta  lexosh.  Ajo vërteton  vlerën e poezisë  përtej  aspektit hedonistik, si një gjë që ka fuqinë të lartësojë ndërgjegjen  njerëzore, duke e bërë pjesë  të botës dhe ndryshimeve të saj, siç thoshte Gëte.

Kështu erdhën  poetët anglezë në  Lezhën e rinisë  sime të hershme. Si ikonoklastë. Ajo që  është quajtur shkolla poetike e Lezhës, që  ishte thjesht një shoqëri poetësh që përpiqeshin të përthithnin  nga bota e madhe  lajme, emra, krijime, tendenca dhe stile përmes  antenave të ngritura  në mjegull dhe të shkruanin në një mënyrë sa më  pak konformiste, mundësisht  antikonformiste,  pra ai grup letrar me shtrirje në shumë qytete të vendit,  u ushqye edhe me këto lloj prurjesh falë  dikujt që ecte  si në  ndjekje të siluetës nga trupi apo të trupit nga silueta dhe kishte zakonin të pritej pak si  shpesh kur rruhej, a thua se me briskun në dorë  para pasqyrës përleshej me demonë që nuk  i lejonin çlirimin prej kohës. Ky ishte Rudolfi./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH