Letërsi

Arbitrazhi, brenda dhe jashtë kornizës sonë juridike

Shkruar nga Liberale
Arbitrazhi, brenda dhe jashtë kornizës sonë juridike

Kolana UETPRESS- 15 vjet

Titull: Instrumentat juridike të ekzekutimit të vendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar në Shqipëri

Autor: Artan Spahiu

Nga Prof. Dr. Kestrin Katro

Nuk më ka ndodhur shpesh gjatë punës sime si akademike, që të druhem nga fakti se fjalët e mia për një vepër, do të mund të mos i bëjnë plotësisht drejtësi kësaj të fundit. Ky është një prej atyre të paktave raste!

Monografia e Dr.Artan Spahiut me titull “Instrumentat juridike të ekzekutimit të vendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar në Shqipëri”, pasqyron një kërkim të detajuar në fushën e së drejtës së arbitrazhit, fushë e cila fatkeqësisht, mbetet ende e nën-zhvilluar, qoftë në kuptim të legjislacionit aktual në fuqi, qoftë edhe sa i takon praktikës gjyqësore dhe literaturës relevante vendase.

Duke kuptuar rëndësinë primare të arbitrazhit si një mjet alternativ i suksesshëm i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, punimi i Dr.Spahiut ofron një trajtim thelbësor të këtij instituti të së drejtës, në kuadrin e njohjes dhe ekzekutimit të vendimeve të huaja të arbitrazhit në Shqipëri. Përgjatë tij, do të mund të gjeni një analizë jo vetëm të kuadrit ligjor përkatës në lidhje me dhënien fuqi vendimeve të huaja të arbitrazhit, por edhe një detajim të praktikës së deritanishme të gjykatave shqiptare në këtë drejtim.

Ajo që veçon këtë punim nga ato trajtime të pakta në fushën e së drejtës së arbitrazhit, është interpretimi kritik i mire-informuar e tërësisht origjinal i autorit. Duke përdorur mjeshtërisht metoda të tilla si, interpretimi normativ funksional dhe analiza kritike e çështjeve gjyqësore, ky punim, jo vetëm që analizon hapësirën aktuale ligjore dhe gjyqësore të njohjes dhe ekzekutimit të vendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar, por gjithashtu, arrin të identifikojë me sukses vakuumet ligjore ekzistuese. Në lidhje me këtë pikë të fundit, analiza e qartë e plotësisht skrupuloze e mangësive apo trajtimeve të papërshtatshme të ligjit ekzistues, si dhe identifikimi i faktit që, pavarësisht qëllimit të qartë të ligjvënësit, për të kaluar një ligj të posaçëm në lidhje me arbitrazhin e huaj, një nismë e tillë ende nuk është finalizuar, dëshmojnë në vetvete vetëm për disa prej meritave të këtij punimi.

Po ashtu, vepra meriton mirënjohje edhe për propozimet e ofruara prej saj në lidhje me plotësimin e boshllëkut ligjor ekzistues apo amendimin e disa dispozitave procedurale, me qëllim jo vetëm lehtësimin e mënyrës së operimit të arbitrazhit në praktikë, por edhe garantimin e të drejtave të palëve respektive në një proces arbitrazhi.

Së fundmi, një tjetër veçori që e bën këtë punim tërësisht koherent e të vlefshëm, është edhe përfshirja në të e vendimeve gjyqësore të deritanishme, duke u fokusuar posaçërisht në vendimet e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë. Identifikimi i trendit interpretativ të krijuar nga ana e gjykatave, si dhe analiza kritike e vendimeve gjyqësore, e bëjnë veprën një manual të shkëlqyer të doktrinës shqiptare në njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar.

Thënë kjo, libri i Dr.Spahiut përbën një nga ata tituj që nuk mundet absolutisht të mungojë në bibliotekat e studiuesve dhe praktikuesve të së drejtës!

Pjesë nga libri

“Arbitrazhi” si një urë lidhëse

Qarkullimi i lirë i mallrave dhe shërbimeve dhe fenomeni i globalizimit kanë nënvizuar rëndësinë e transaksioneve ndërkombëtare tregtare, si aspekte thelbësore të dinamikës së një tregu të hapur. Në këtë pikë, arbitrazhi e veçanërisht ai ndërkombëtar tregtar, gjithnjë e më shumë, po vlerësohet si një urë lidhëse që krijon simetrinë e nevojshme midis kuadrit të njëtrajtshëm që rrjedh nga globalizimi ekonomik dhe sistemit të fragmentuar gjyqësor ndërkombëtar. Arbitrazhi mund të jetë më efektiv se sa gjykatat shtetërore në arritjen e saktësisë së rezultatit të procesit, por edhe në qoftë se nuk ka saktësi të madhe të rezultateve në arbitrazh, palët gjithsesi duhet të nxiten për të “tregtuar” interesat e tyre në drejtësinë procedurale dhe efiçencën e sistemit.

Tanimë, arbitrazhi e ka merituar pozitën e një “konkurrenti” të denjë, përballë procesit gjyqësor, veçanërisht për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare të tregtisë, ku ai ofrohet si një model që garanton neutralitetin e forumit dhe zbatimin e vendimeve. Në lidhje me këtë të fundit, është bërë shumë në kuadër të ndërkombëtarizimit të instrumenteve ligjorë, që sigurojnë efektshmërinë e vendimeve të arbitrazhit në sa më shumë shtete të botës, ku zhvillohen transaksione tregtare. Konventa e New York-ut (1958) është pikërisht produkt i përpjekjeve të përbashkëta të shumë shteteve për të përafruar legjislacionet e tyre kombëtare, për njohjen dhe zbatimin e vendimeve të arbitrazhit të huaj, nëpërmjet inkorporimit të kritereve ligjore që marrin në konsideratë veçoritë e procesit të arbitrazhit.

Përjashtuar traktatet themeluese të OKB-së, Konventa e New York-ut është traktati modern më i rëndësishëm, që i ka shërbyer mirë interesave të shoqërisë njerëzore, duke dhënë një kontribut të vyer në zhvillimin ekonomik botëror. Për më shumë se gjysmë shekulli, ky dokument ka materializuar nevojën e shteteve në mbarë botën, për të garantuar vlerat e pakrahasueshme të tregtisë së lirë. Organizma të posaçëm ndërkombëtar kanë bërë përpjekje për implementimin në legjislacionin e shteteve anëtare të dispozitave të Konventës së New York-ut. Për më tepër, ata kanë inkurajuar me veprime konkrete unifikimin, përmirësimin dhe modernizimin e vazhdueshem të tyre. Këto dispozita kanë ndikuar mjaft në rritjen e efikasitetit të arbitrazhit ndërkombëtar tregtar, duke e bërë atë një metodë shumë të suksesshme për trajtimin e konflikteve. Për këtë arsye, një kapitull i veçantë në punim ka trajtuar në mënyrë të detajuar frymën dhe aspektet më të rëndësishme të instrumenteve të themeluar prej Konventës së New York-ut, të cilat, në njërën anë, garantojnë efektivitetin e arbitrazhit ndërkombëtar në rreth 150 shtete të botës dhe në anën tjetër, unifikojnë juridiksionet kombëtare në fushën e njohjes së vendimeve të arbitrazhit.

Përgjatë rrugëtimit në kapitujt e këtij punimi, do të trajtojmë aspektet më të rëndësishme të arbitrazhit ndërkombëtar, duke nisur me shkollat doktrinare që e mbështesin dhe që janë përpjekur të shpjegojnë përqasjet e tij. Shtjellimi i literaturës, kryesisht asaj të huaj, është përdorur gjerësisht për t’i argumentuar lexuesit natyrën e arbitrazhit ndërkombëtar. Në analizë janë gërshetuar, gjithashtu, tipologjitë e interpretimeve gjyqësore të kazuseve të përcjellë nga jurisprudenca ndërkombëtare, duke nxjerrë kështu në pah implementimin në praktikë të vlerave të institutit të arbitrazhit. Natyrshëm, duke patur në fokus misionin e punimit, i është kushtuar vëmendje një prej epërsive më kryesore, ndoshta më e rëndësishmja, e këtij fenomeni juridik që bashkëshoqëron botën e biznesit, pikërisht njohjes dhe zbatimit, prej juridiksioneve të ndryshme kombëtare, të vendimeve të arbitrazhit që prodhohen për zgjidhjen e konflikteve.

Pjesa më e qenësishme e punimit i kushtohet dimensionit Shqiptar të arbitrazhit dhe shtrirjes së efekteve të Konventës së New York-ut për njohjen dhe zbatimin e vendimeve të arbitrazhit të huaj në Republikën e Shqipërisë. Në këtë pikë, punimi i përcjell lexuesit një tablo të plotë të stadit në të cilën ndodhet sot instituti i arbitrazhit në rendin juridik kombëtar Shqiptar.

Duhet pranuar se në këtë punim kanë ndikuar edhe disa kufizime. Një i tillë është mos-fokusimi në shtjellimin dhe analizimin, nëpërmjet metodave sasiore të kërkimit, të sjelljes tradicionale të biznesit Shqiptar, por dhe shoqërisë Shqiptare në përgjithësi, për t’iu drejtuar gjykateve shtetërore tradicionale, në vend të zgjidhjes së konflikteve me mekanizma alternativë. Ky punim nuk merr përsipër të kryejë sondazhe dhe vlerësime empirike në lidhje me nivelin dhe shkaqet e kësaj “ftohtësie” të biznesit Shqiptar ndaj mekanizmit të arbitrazhit, pasi një analizë e tillë do të kapërcente dukshëm objektivin e punimit. Megjithatë punimi guxon të japë një opinion personal në lidhje më arsyet se pse ky mekanizëm alternativ i trajtimit dhe zgjidhjes se konflikteve, veçanërisht atyre tregtare, ende nuk ka gjetur vendin që meriton dhe nuk është aq atraktiv sa duhet në mjedisin e biznesit Shqiptar. Mendoj se ky faktor i rëndësishëm (ndjeshmëria apo pranueshmëria ndaj arbitrazhit) duhet të studiohet dhe të jetë objekt i punimeve të tjera të kësaj natyre.

Një kufizim tjetër në punim ishte vështirësia objektive për të disponuar materiale nga jurisprudenca Shqiptare në fushën e njohjes dhe zbatimit të vendimeve të huaja të arbitrazhit. Disponueshmëria e vendimeve të Gjykatës së Apelit, të cilat janë trajtuar në këtë punim, është siguruar nëpërmjet hulumtimit të kufizuar objektivisht, për arsye burokratike, në arshivën e kësaj gjykate, nga autori i punimit. Gjykata e Apelit në adresën zyrtare të saj on line nuk i publikon vendimet e njohjes dhe zbatimit të vendimeve të arbitrazhit të huaj, për një arsye të pakuptueshme. Gjithashtu nuk është publikuar deri më sot një përmbledhje e këtyre vendimeve në ndonjë manual ose revistë të posaçme. Megjithatë, duke marrë në konsideratë numrin e vogël të vendimeve të kësaj natyre, që Gjykata e Apelit ka dhënë, gjykoj se përfundimet e arritura në punim, duke argumentuar rastet e trajtuara të praktikës gjyqësore Shqiptare, janë përfaqësuese të fenomenit.

Nga analiza që punimi paraqet, për legjislacionin Shqiptar, do të konstatojmë se fatkeqësisht shumë pak është bërë në kuadër të rregullimit legjislativ të institutit procedural të arbitrazhit dhe, aq më pak, të atij ndërkombëtar. Momenti kryesor në legjislacionin tonë të brendshëm, që paraqet një nevojë imediate për përmirësim, është njohja dhe zbatimi i vendimeve të arbitrazhit të huaj. Që prej 12 vjetësh, Konventa e New York-ut është pjesë e rendit tonë juridik, por implementimi i saj nuk është ai i duhuri. Më së shumti kjo është rezultat i pamjaftueshmërisë së procesit të përafrimit të legjislacionit të brendshëm me standardet ndërkombëtare në fushën e arbitrazhit. Nga ana tjetër, edhe praktika gjyqësore Shqiptare, e cila në këtë fushë, paraqitet e rrallë në raste dhe me elementë jo tërësisht uniformë, nuk ka luajtur rolin që i takon në promovimin e vlerave të këtij mekanizmi alternativ të zgjidhjes së konflikteve private.

Sa më sipër, në kuadër të modernizimit të legjislacionit të brendshëm, merr rëndësi prioritare analiza e kujdesshme e problematikës që manifeston realiteti Shqiptar i njohjes së vendimeve të arbitrazhit, si dhe rekomandimi për themelimin e instrumenteve ligjore bashkëkohore, në këtë fushë. Përmbushjes së këtij qëllimi i shërben, me modesti, edhe ky punim.

Arbitrazhi ndërkombëtar si një fenomen historik

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve nuk ka qenë dhe, sikurse pritet, nuk do te jetë kurrë një funksion eskluziv i shtetit. Shteti ofron vetëm një formë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve private, nëpërmjet ndërhyrjes së një pale të tretë, duke ngritur dhe ruajtur një sistem gjyqësor në të cilin palët mund të “konfrontohen” me fakte dhe prova. Nga ana tjetër është gjithashtu e mundur që palët, me vullnetin e tyre të lirë, të përfshijnë personat e tretë në një proces privat për të zgjidhur ose për të ndihmuar ata (palët) të zgjidhin mosmarrëveshjen. Ndër sistemet që parashikojnë involvimin e palës së tretë për zgjidhjen private të konflikteve, arbitrazhi është mekanizmi më i dalluar për nga efektiviteti edhe pse nuk është i vetmi.

Një fakt, i cili duhet nënvizuar paraprakisht, është se arbitrazhi privat daton më parë në kohë sesa sistemi gjyqësor publik, duke u paraqitur si një mekanizëm ekstragjyqësor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Persianët, egjiptianët, grekët dhe romakët, të gjithë kishin një traditë të arbitrazhit. Në të drejtën romake, p.sh., marrëveshjet e arbitrazhit ishin të pranueshme si një reflektim i parimit të njohur të lirisë së kontratës. Në Egjiptin e lashtë, tregtarët me entuziazëm pranonin si përfundimtar vendimin e miqve të tyre tregtarë, me njohuri dhe ekspertizë në fushën përkatëse.

Është karakteristik fakti se arbitrazhi perceptohej si superior për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të çmimeve apo dëmtimeve. Madje edhe në vitet 1800, arbitrazhi vlerësohej për avantazhet e tij në kursimet e kostove. Arbitrazhi filloi kështu ngritjen e tij në fazën foshnjërore të shoqërisë, si një metodë e vetë-rregulluar, e dallueshme nga procesi gjyqësor dhe jo si një pasojë e zhvillimit të gjykatave publike.

Arbitrazhi ndërkombëtar tregtar, siç e njohim ne sot, u shfaq në Evropën kontinentale në vitet 1920. Ka pasur dy vështirësi të mëdha në situatën e atëhershme. Vështirësia e parë ishte se në shumë vende, një marrëveshje për arbitrazh mund të konsiderohej e vlefshme vetëm nëse kishte lidhje me një mosmarrëveshje ekzistuese (të ashtuquajturat “kompromis”), ndërsa për mosmarrëveshje, që mund të lindin në të ardhmen, në lidhje me një kontratë, marrëveshja e arbitrazhit nuk ishte e vlefshme (“klauzolë kompromisi”). Ishte gjithashtu e zakonshme që edhe në vendet në të cilat kjo marrëveshje, për të arbitruar mosmarrëveshje të ardhshme, ishte e vlefshme, ajo shpesh nuk e ndalonte në mënyrë efektive një gjykatë nga marrja e juridiksionit mbi konfliktin.

Vështirësitë në lidhje me marrëveshjen e arbitrazhit u eliminuan, në mënyrë efektive, për marrëveshjet jo kombëtare të arbitrazhit, nga Protokolli i Gjenevës i vitit 1923 “Për dispozitat e Arbitrazhit”./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH