Krye

Arben Kashahu, pa miq në PD

               Publikuar në : 09:13 - 10/09/19 Reldar Dedaj

Reldar Dedaj

Emërimi i Arben Kashahut si Sekretar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Partisë Demokratike, zbuloi se ka shumë demokratë që për fat të keq, edhe sot, vazhdojnë të sorollaten hijeve të saj, por që nuk e duan këtë lloj partie, njerëz që thonë; PD-ja mos qoftë. Nuk e duan për disa arsye, se kanë humbur privilegjet e tyre, kanë humbur atë pak pushtet që kishin, kanë humbur arrogancën e tyre, kanë humbur gjithçka, madje edhe dinjitetin, gëzohen kur punët i shkojnë keq, shpirti ua do, që meqë nuk po gëzohen ata, PD-në, mos t’a gëzojë askush. Kjo është gjëja më e keqe që i ka ndodhur kësaj partije, një frymë mosbesuese, një frymë e theksuar kultivimi dëshpërimi, e mungesës dhe shpresës.

Edhe pse i panjohur për shumicën e demokratëve, Kashahu është një lektor universiteti, autor i disa librave profesional dhe një jurist shumë i zoti në vend. Ata pak njerëz që pyesim rreth figurës së tij, mbledhin supet dhe disa të tjerë ndërdyshas n’a përgjigjen ftoht se nuk e njohin, duke shkuar deri tek ata që sikur pështyjnë diçka nga goja, murmurisin për dhëmbë fjalë të këqija. Megjithatë, ndër të tjera e ndoshta më shumë se gjithçka, emërimi i tij, është një mesazh shprese politike. Jo vetëm për PD-në në veçanti, por edhe si model i shansit të karrierës politike për të gjithë ata profesionistë fushash që, ose kanë futur kokën në rërë si struci, ose kanë kapërcyer ylberin, duke u strehuar te ngjyrat dhe muzika e lehtë e pushtetit që hera-herës josh e përndjek.

Ndodh dhe kështu. Pothuajse një dekadë më parë Arben Kashahu ishte kolona vertebrale e Ministrisë së Integrimit Europian, madje për disa nga njerëzit që kanë punuar me të në ato kohë intensive, nëse nuk do të ishte ai në krye të punëve, ajo ministri më mirë të mbyllej se asgjë nuk do të bënte, sot, për disa nga militantët e rinj të PD-së, ai është nul dhe pak informacion kanë rreth figurës së tij.

Ndërsa, ata që e njohin mirë nuk e skicojnë si një njeri dosido, mish dhe gjak, pikërisht për këtë arsye misteri i tij nuk mund të jetë vetëm për një grup njerëzish të caktuar, por është shumë më tepër se kaq, pasi një njeri i tillë i frikëson militantët e lidhur ngusht pas partive. Sepse njerëzit e lidhur pas partive janë të lidhur pas një copë pune, pas një tenderi, pas një biznesi sesa pas vlerës. Ata preferojnë më mirë të hipë shkallët e karrierës ai njeriu që ulet tek kafja e selisë me një pjatë gjizë e vaj ulliri përpara, sesa njeriu i punës dhe suksesit.

Ka nga ata që Kashahun e morën si një njeri librash. Akoma edhe më keq. Kush do të bashkëpunonte me një njeri që lexon? Askush. Ka marrë fund dëshira për dije, kultura dhe njerëzit që e mbartin atë po nxirren jashtë çdo institucioni dhe jo më t’u gjehet streh brenda një partie. A nuk thonë ata shikoni PS-në, shikoni ata gangot që na marrin votat çdo palë zgjedhje. A nuk shfryjnë bulshitë si tupanë dhe a nuk pyesin se për çfarë dreqin na hyjnë në punë këta të shkolluarit që s’u mbarojnë kurrë diplomat. Ndoshta, ata kanë të drejtë, pasi sot ka vetëm parti halabakësh dhe me ata e mbush si të duash.

Partitë nuk ndërtohen mbi njerëz që s’u ka thënë askush puna e mbarë, por ato ndërtohen mbi modele. Partitë nuk ndërtohen mbi vesin, por mbi virtytin. Partitë s’mund të fitojnë kurrë as vota dhe as reputacion mbi kurriz të krimit dhe injorancës, por vetëm mbi shpatullat e të aftit dhe të diturit. Dhe për të gjithë ata njerëz që s’e njohën dhe për më tepër për të gjitha ata që rrudhën buzët kur i pyetëm, mund t’u themi se Kashahu është angazhuar hershëm në forumet dhe strukturat e PD-së dhe ka qenë pjesë e ekipeve që kanë dhënë asistencë ligjore dhe kontribuar për formulimin e politikave të PD-së. Ai ka një përvojë të çmuar në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i cili drejtoi suksesshëm ekipin negociues të qeverisë shqiptare për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Pra, emërimi i Arben Kashahut si Sekretar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PD përveç të tjerash, mund të lexohet sot, edhe si pika e vetme e bashkimit të një partie me sferën intelektuale në qytet dhe nxitjen e kësaj shtrese për t’u bërë pjesë e transformimeve jo vetëm partiake, por edhe të një sfere më gjithëpërfshirëse se kaq. Ai mund të jetë nesër një nga shkallët që lejon plotësisht komunikimin mes këtyre dy botëve, që ndryshe do të ishin të destinuara me moskomunikim reciprok të vazhdueshëm. Me emërimin e këtij stofi njerëzish në krye të punëve, PD ka sot shansin të shkurtojë largësinë dhe madje t’a shkrijë fare hendekun mes këtyre dy skenave të mëdha të jetës njerëzore, që vazhdimisht po mbajnë lidhje gjithnjë e më rastësore dhe të pakuptimtë. /Gazeta Liberale

 

 

(Visited 277 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *