Aktualitet

'Apokalipsi i nxehtësisë' mbërthen Europën, disa të vdekur dhe mijëra të evakuuar

Shkruar nga Liberale
'Apokalipsi i nxehtësisë' mbërthen Europën, disa

Evropa perëndimore përballet me temperatura më të larta të martën, ndërsa një valë e egër e të nxehtit po shkon drejt veriut. Në Francë dhe në Mbretërinë e Bashkuar u lëshuan paralajmërime për nxehtësinë ekstreme, ndërsa Spanja veriore regjistroi temperatura prej 43 gradë Celsius të hënën.

Zjarret vdekjeprurëse në Francë, Portugali, Spanjë dhe Greqi kanë detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre. Britania e Madhe pritet të shohë ditën e saj më të nxehtë dhe ekspertët thonë se pjesë të Francës përballen me një "apokalips të nxehtësisë".

Dy persona u vranë nga zjarret në pyjet në rajonin veriperëndimor të Zamora të Spanjës dhe trenat në zonë u ndaluan për shkak të zjarrit pranë shinave. Një çift i moshuar humbi jetën teksa po përpiqej t'i shpëtonte zjarreve në veri të Portugalisë.

Disa pjesë të Francës patën ditët e tyre më të nxehta, pasi në qytetin perëndimor të Nantes temperaturat shkuan deri në 42 gradë Celsius.

Zjarret në ditët e fundit detyruan më shumë se 30,000 njerëz të largohen, me strehimore emergjente të ngritura për të evakuuarit. Një kopsht zoologjik me 1000 kafshë ishte mes zonave të evakuuara.

Gironde, një rajon turistik popullor në jug-perëndim, është goditur veçanërisht keq, ndërsa zjarrfikësit nga e gjithë Franca po luftojnë për të kontrolluar flakët që kanë shkatërruar gati 17,000 hektarë tokë që nga e marta e kaluar.

"Ideja që më vjen në kokë është se është një përbindësh," tha Jean-Luc Gleyze, presidenti rajonal i Gironde.

"Është një përbindësh si një oktapod, dhe po rritet përpara, mbrapa, në të dy anët. Për shkak të temperaturës, për shkak të erës, për shkak të mungesës së ujit në ajër ... është një përbindësh dhe është shumë e vështirë të luftosh kundër tij”.

Temperaturat që lëvizën rreth 40 gradë Celsius të hënën parashikohet të bien të martën, por kjo mund të mos sjellë lehtësim të menjëhershëm, për sa kohë që kushtet e thata dhe erërat e ndryshueshme vazhdojnë, raporton Lucy Williamson e BBC nga Gironde.

Temperaturat më të nxehta tashmë janë zhvendosur në veri dhe lindje. Qindra njerëzve u është dashur të lënë shtëpitë e tyre në veri-perëndim të Brittany dhe zjarri ka shkatërruar 1,330 hektarë bimësi.

Mbretëria e Bashkuar pati një nga ditët e saj më të nxehta në rekord të hënën, me një temperaturë maksimale prej 38.1C të regjistruar në Suffolk, në Anglinë lindore. Parashikuesit thonë se të martën mund të shihen temperatura mbi 40 gradë Celsius, me paralajmërime ekstreme të nxehtësisë që mbulojnë Anglinë qendrore, veriore dhe juglindore.

Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit. Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1C që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH