Në kuadër të aktiviteteve të Departamentit të Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve në Universitetin Europian të Tiranës, u zhvillua të martën takimi më psikologen Anxhela Peza, një figurë e njohur publike, psikologe dhe autore librash.
Takimi me fokus psikologun dhe individin, u moderua nga Përgjegjësi i Departamentit Prof. Asoc. Dr. Edi Puka dhe Dekania e Studentëve, Elsida Sina. Profesor Puka tregoi edhe arsyen e këtij takimi, në ndihmë jo vetëm të studentëve dhe personave që nuk kanë lidhje me Psikologjinë, por edhe të maturantëve që janë para një vendimi të rëndësishëm për jetën e tyre.
“Ky aktivitet vjen në vijim të takimeve tona me personalitete të njohura, në mbështetje të përzgjedhjes shkollore në arsimin e lartë nga ana e maturantëve, por edhe për dhënien e një njohurie që shkenca ka për formimin e individit”, u shpreh Puka.
E pyetur për mënyrën sesi i gjeti pandemia profesionistët e fushës së vet, psikologja Peza tha se shumica e fenomeneve, si tërmeti pastaj pandemia ishin parë të largëta, por në momentin që ndodhën në Shqipëri, u deshën të gjendeshin zgjidhje për të ndihmuar njerëzit, kërkesa e të cilëve për profesionistë të fushës erdhi në rritje.
“Pandemia sikurse ka evidentuar të gjitha problemet psikologjike që kanë ekzistuar më parë tek individ, por edhe ka nxjerrë në pah psikoza që mund të kenë qenë të fshehura. Kërkesa për psikologun, për specialistë të shëndetit mendor ka qenë shumë herë më e madhe, në raport edhe me vitet e tjera. Kërkesa është rritur shumë gjatë izolimit, për shkak të ndërprerjes së aktiviteteve të përditshme. Lidhur me pandeminë është një ndryshim global. Në vendin tonë ende nuk kemi një statistikë të caktuar se çfarë ka shkaktuar pandemia, edhe në fushën ekonomike, sociale, se çfarë impakti ka pasur te njerëzit. Ne si psikologë përpiqemi të shohim me lupë se çfarë nuk shkon, por që e mira do të ishte të kishim statistika”, tha Peza,
Më tej ajo tregoi, se në bazë të një studimi personal, simptoma e ankthit ka qenë në rritje tek individët që kanë qenë të infektuar me Covid.
“Ankthi mund të vijë nga shumë arsye, frikë, mendime, etj. por pandemia ka baza realiteti, dhe duhej t’i mësoje pacientit strategji sesi të përballonte situatën”, tha Peza, e cila për këtë problem ka publikuar librin e fundit “Teknikat për trajtimin e ankthit”.
Rëndësia e profesionit të psikologut në shoqëri
Roli i psikologut, i punës që ai bën me individin, u evidentua më shumë se kurrë gjatë periudhës së pandemisë. Në një situatë të re, aspak të zakonshme, ku njeriu përballej me shumë frikëra, atë të vdekjes, të humbjes, të pasigurisë për të ardhmen, shumë njerëz patën nevojën e këshillimit me një psikolog.
Sipas psikologes Klinike dhe të Këshillimit, Anxhela Peza, psikologu edhe pse profesion i ri, nuk është më tabu në vendin tonë.
“Psikologu është një profesion i ri, që ka hyrë në dekadat fundit, por nuk është aq tabu. Ajo që shoh si specifik është në aspektin kulturor. Nëse ka një problematikë, në fillim i drejtohemi familjes, pastaj shoqërisë, dhe kjo vjen për shkak të mendimit se thotë se çdo gjë e zgjidh vetë. Prandaj zgjedhin ta zgjidhin situatën, problemin me dikë që është më konfident, sesa psikologu. Njerëzit mund të mendojnë se të shkosh të psikologu duhet të rrish me muaj të tërë, apo të shkosh të shtrihesh në divan si në aspektin frojdian. Jo nuk është kështu, thjesht mund të shkosh të marrësh një konsultë. Psikologu nuk e zgjidh çështjen me një telefonatë, sepse nuk i nxjerr çështjet nga xhepi. Ai duhet ta njohë mirë problemin”, tha Peza.
Psikologja sqaroi më tej se ky profesion është baza e çdo gjëje, është shkenca që shpjegon se çfarë është individi dhe çfarë është vetvetja, është një mjet që të orienton më mirë në rrugën e jetës.
“Psikologjia është baza e çdo gjëje, ashtu siç do të thosha për Letërsinë që ka një bazë të mirë të fillimit të edukimit dhe kulturës së individit, në secilin aspekt. Psikologjia është ajo e cila në themelet e saj shpjegon se çfarë është individi dhe se çfarë është vetvetja. Është shkenca e mendjes dhe sjelljes. Në momentin që kuptojmë sinkronin e të sjellurit dhe menduarit, atëherë bëhemi të ndërgjegjshëm, se çfarë duam të bëjmë pas çdo hapi në jetë. Psikologjia është një nga shkencat e hershme të komplikuara, sepse ka lidhje me shkencat e tjera, filozofinë, mjekësinë, ligjet etj.”, tha ajo.
Lidhur me përzgjedhjen e drejtimit që duhet të marrin maturantët për formimin e tyre akademik, Peza u shpreh se një rol të rëndësishëm në këtë proces duhet të luajnë edhe prindërit, të cilët duhet të bashkëveprojnë me fëmijët dhe të marrin informacion mbi atë se çfarë ofrojnë institucionet arsimore nga pikëpamja e standardeve të cilësisë dhe stafeve akademike, për të bërë më pas zgjedhjen e duhur.
Sipas saj, ky profesion është human, ndryshon jetën e njerëzve dhe mbi të gjitha mund të ushtrohet në disa drejtime, në varësi të preferencave që mund të kenë studentët.
“Gjëja e parë që të bën ky profesion, është se të bën të jesh sa më rehat me veten dhe t’ju vish në ndihmë të tjerëve, është shumë fisnike. Të kesh jetën e njerëzve, ashtu siç e kanë mjekët nga ana shëndetësore, ti e ke nga ana psikologjike, ta kthejmë këtë individ drejt menaxhimit të problematikës së tij, për të qenë ai mirë me veten. Ti i ndryshon jetën. Është një profesion që vlen, lum ai që e ushtron. Lum ai që ia di vlerën dhe kujton kujtime të bukura në jetën e të tjerëve, profesionalisht. Sepse është shumë humane.
Fati i të qenit psikolog është se mund të bëhesh psikolog shkollor, psikolog i zhvillimit të fëmijës, psikolog ligjor, mund të bëhesh psikolog organizacional, psikolog klinik, psikolog këshillimi, mund të ndryshosh më shumë të bëhesh psikoterapist, kur ti studion për një perspektivë të shkollave të ndryshme, mund të shkosh ku të duash sepse e ke të qartë se ku do të shkosh”, u shpreh Peza.
Programet e Psikologjisë në UET kanë një histori mbi 10 vjeçare, duke ofruar profile në të tria nivelet, në nivelin bachelor, master dhe doktoraturë./Gazeta Liberale