Kryesore

Antishpifja pret Venecian

               Publikuar në : 09:16 - 31/01/20 liberale

Megjithëse maxhoranca u duk se do t’i rrëzonte dekretet e presidentit  për rishikim të paketës ligjore “Antishpifje”, dje Taulant Balla kërkoi shtyrjen deri në raportin e Komisionit të Venecias. Ky hap vjen pas kritikave nga organizata ndërkombëtare dhe vetë Bashkimi Europian, ndërsa ishte Këshilli i Europës që e çoi çështjen në Venecia dhe vetë OSBE tha se ligjet kërkojnë përmirësime të mëtejshme

Ndonëse kreu i grupit parlamentar socialist kishte lajmëruar se do t’i rrëzonin në Kuvend dekretet e presidentit, një ditë pasi David Lega – raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian paralajmëroi se miratimi i paketës “Antishpifje” rrezikon çeljen e negociatave, dje Taulant Balla bëri me dije se shqyrtimi i dy ligjeve për mediat online do të shtyhej deri më 21 mars, derisa Komisioni i Venecias të japë opinionin e tij.

Opinion që në këtë rast nuk u kërkua as nga maxhoranca, e cila përmes dy ligjeve të miratuara më 18 dhjetor synoi dhënien fund informalitetit të mediave online dhe lajmeve të rreme, por as nga presidenti Meta që i riktheu në Parlament me argumentin se cenonin lirinë e shprehjes. Ishte Komiteti i Monitorimit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, që iu drejtua

Komisionit të Venecias për të kërkuar një opinion rreth paketës “Antishpifje”, e cila ngjalli debat dhe protesta nga komuniteti i gazetarëve dhe organizatave në mbrojtje të fjalës së lirë.

Shqipëria është ndër vendet anëtare që ende ndodhet nën vëzhgim dhe misioni i fundit në tetor të vitit të kaluar, i dy relatorëve për Shqipërinë, e pati çështjen e ndryshimeve në dy ligjet “Për mediat audiovizive” dhe “Për komunikimet elektronike”, një nga temat kryesore të takimeve që pati në Tiranë.

Dje, Balla kërkoi nga foltorja e Kuvendit shtyrjen e shqyrtimit të dekretit të presidentit, lidhur vetëm me ligjin mbi Mediat Audiovizive dhe jo për AKEP-in, derisa të flasë Venecia.

“Do doja të thosha atë që kemi thënë edhe një muaj më parë. Ky është një ligj që respekton lirinë dhe të drejtën e  çdo qytetari. Informaliteti duhet të marrë fund. Edhe pas miratimit në seancë plenare të datës 18 dhjetor, ne kemi vijuar komunikimin tonë edhe me partnerët të tjerë të rëndësishëm të Shqipërisë. Me dy reporterët kemi qenë në komunikim për disa çështje dhe bashkërisht kemi vendosur që të kërkohet një opinion nga Komisioni i Venecias për të përgatitur një raport të plotë për ligjin e medias”, do të shprehej Balla, duke zbuluar se Komisioni i Venecias ka pranuar ta shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar me 20-21 Mars, ndërsa gjatë muajit shkurt delegacion me ekspertë të Venecias do të jenë në Tiranë për të biseduar me deputetë të maxhorancës, opozitës parlamentare dhe përfaqësues të medias në Shqipëri.

Ndërsa nga komuniteti i gazetarëve dhe organizatat ndërkombëtare paketa ligjore u pa si hap drejt censurës dhe një institucion  politik si Autoriteti i Mediave Audiovizive do të kryejë funksionet e gjykatës për të vjelë gjobat, kryeministri Rama lajmëronte hyrjen në fuqi të tij gjatë janarit duke parashikuar edhe rrëzimin nga presidenti Meta.

Deputetja Hajdari kundërshtoi kërkesën  e Ballës për shtyrje, duke pretenduar një informim të mëhershëm nga kreu i grupit parlamentar socialist.

Bashkimi Europian, që ka deklaruar në disa raste se paketa “Antishpifje” nuk është në përputhje me standardet europiane mbi mediat dhe lirinë e shprehjes do të shprehej dje përmes ambasadorit Luigi Soreca, i cili përgëzoi vendimin për shtyrjen e shqyrtimit të dekreteve të presidentit në lidhje me paketën ligjore. “Ne e mirëpresim vendimin e maxhorancës në pushtet për të shtyrë votën për ligjin për median.  Presim mendimin e Komisionit të Venecias dhe inkurajojmë autoritetet të adresojnë shqetësimet e organizatave të mediave dhe komunitetit ndërkombëtar”, shkruante Soreca në një postim në Tëitter.

Raportuesi i grupit të PPE në Parlamentin Europian David Lega pati ngritur alarmin rreth dy ligjeve, të miratuara më 18 dhjetor në Kuvend, se minonte edhe presidencën  e Shqipërisë në OSBE, edhe pse kryeministri Rama ngulmonte në fillim të dhjetorit se ishin dakordësuar në 100 përqind me ekspertët e OSBE-së. Por Harlem Desir, përfaqësuesi  për Median, i cili pohoi para miratimit të paketës në Kuvend se draftet ishin konsultuar, do të reagonte përmes një deklarate pasi presidenti Meta i ktheu për rishqyrtim në parlament. “OSBE shpreson se maxhoranca do ta shfrytëzojë rishqyrtimin e dy ligjeve, pjesë e asaj që njihet si “paketa antishpifje”, të kthyer në Kuvend nga ana e Presidentit Meta, për të korrigjuar dhe përmirësuar në përputhje me standardet ndërkombëtare”, shprehej Desir, duke shtuar se shpresonte që

Gjithashtu, sipas deklaratës, përfaqësuesi i OSBE-së për shtypin Harlem Desir shpreson se rivotimi i ligjit do t’u hapë rrugën sqarimeve dhe përmirësimeve të mëtejshme të këtij ligji në mënyrë që të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Por në po të njëjtën ditë, Taulant Balla do të thoshte se presidenti kishte marrë urdhra nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, duke premtuar se do ta rrëzonin në Kuvend.

Më 22 janar Komisioni parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit rrëzoi dekretin e presidentit Meta që kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, pjesë e paketës antishpifje dhe një ditë më vonë rrëzoi  dekretin për kthimin e ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Pak ditë më parë Balla do të thoshte se dekretet e Presidentit të Republikës mbrojnë një statusquo, ku ka triumfuar shpifja ndaj individit dhe dezinformomi publik.

“Bashkëpunimi ynë me OSBE dhe Këshillin e Europës ka synuar dhe do të synojë mbrojtjen e fjalës së lirë e të integritetit njerëzor nga shpifja si edhe të vetë publikut nga dezinformimi”, shkruante Balla në Facebook, ndërsa njoftonte se do të vijonte bashkëpunimi për përmirësimin e legjislacionit “Antishpifje” organizata brenda dhe jashtë vendit.

Por nga institucionet e BE-së kanë vijuar kritikat, ndërsa Komisioni Europian do të shprehej në janar se BE mbështet rekomandimet e Këshillit të Europës në rastin e ligjit të medias në Shqipëri. “Pra, ne mbështesim të gjitha rekomandimet e Këshillit të Europës. Ato janë në përputhje me pritshmërinë tonë, që duhet ndjekur nga një vend aspirant”, deklaronte zëdhënësja Ana Pisonero.

Presidenti Meta, i cili e ktheu paketën “Antishpifje” me argumentimin se  bie në kundërshtim me dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit,  me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, si dhe nuk është në harmoni me standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, reagoi dje duke e përshëndetur vendimin për shtyrjen e shqyrtimit të ligjeve.

“Reflektimi i sotëm i shërben një qëllimi më të madh të përbashkët që është mbrojtja e të drejtave kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe njëkohësisht garantimit të standardeve demokratike dhe europiane”, do të thoshte presidenti Meta, ndërsa reagime pati edhe nga PD dhe LSI, që e cilësuan si një betejë të fituar.

Përfaqësuesi i Zyrës së Medias në OSBE, Harlem Desir u  shpreh disa ditë  më parë se ishte i gatshëm të punonte me autoritetet shqiptare për përmirësimin e ligjit, veccanërisht në pikat që lidhen me gjobat, në mënyrë që ligji të jetë i përputhshëm me standardet ndërkombëtare. Por kryeministri Rama, i cili pavarësisht protestave jashtë parlamentit dhe kundërshtive të opozitës zotohej se ligji do të kalonte me se s’bën. Edhe pse ai zgjidhte ndaj shpifjeve dyert e gjykatave, kishte gjetur sipas argumentimit të tij, instrumentin për ccdo individ i prekur nga shpifjet mediatike. Por duket se kryesia e OSBE-së, kritikat e BE-së, ndërsa ende nuk janë shuar të gjitha shpresat për cceljen e negociatave, e kanë bërë që të qëndrojë në standby derisa të flasë Venecia. Edhe pse kjo e fundit nuk u mor shumë parasysh me opinionin mbi shkeljet kushtetuese të presidentit, ndërsa komisioni hetimor për shkarkim vijon ende…

Shtyrja e Antishpifjes, reagon PD-ja: Kauza jonë e drejtë fitoi një betejë

Edhe Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të PS-së për t’u tërhequr duke shtyrë vendimin për dekretin e Presidentit për paketën Antishpifje. Ish-deputetja demokrate Albana Vokshi e cilëson si fitore të fjalës së lirë.

Fitoi fjala e lirë. Edi Rama u betua për javë me rradhë që do të votojë në parlament paketën e censurës kundër medias online. Nuk la njeri pa kapur, gur pa lëvizur, por dështoi. U tërhoq sot nga votimit pa i shkuar deri në fund nismës antikushtetuese, kundër të cilës kanë dalë kundër gazetarët, opozita, Komisioni Europian, Këshilli i Europës, OSBE-ja.

Stërbetimet se do të rrëzojnë dekretin e Presidentit që ktheu ligjin antikushtetues, përfunduan si propagandë boshe.  Kauza jonë e drejtë fitoi një betejë. Edi Rama nuk e kaloi ligjin që kërcënon gazetarët me burg dhe median online me mbyllje dhe gjoba.  Pushteti i Edi Ramës po shkërmoqet dita ditës. Të gjithë bashkë, ne mund t’ia dalim të ruajmë liritë tona, lirinë e shprehjes, lirinë e votës, lirinë zgjedhjes”.

PS-ja shtyu Antishpifjen, Meta: Reflektim pozitiv, dialogu pa përjashtime rikthen shpresën

 Presidenti Ilir Meta e ka cilësuar si reflektim pozitiv vendimin e shumicës parlamentare për të shtyrë votimin e dekretit të tij për paketën Antishpifje në Kuvend, që ishte planifikuar në seancën e sotme.

Përshëndes vendimin pozitiv dhe të përgjegjshëm të Kuvendit për t’u tërhequr nga votimi i paketës së ashtuquajtur “Antishpifje”. Reflektimi i sotëm i shërben një qëllimi më të madh të përbashkët që është mbrojtja e të drejtave kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe njëkohësisht garantimit të standardeve demokratike dhe europiane.

Reflektimi u shërben qëllimit më të madh të përbashkët që është mbrojtja e të drejtave kushtetuese të të gjithë qytetarëve shqiptarë si dhe në rastin konkret dhe garantimin e standardeve demokratike europiane. Nuk është humbje për askënd, por ndjen shqetësimet serioze që kishin ardhur nga shumë institucione ndërkombëtare.

Ky është një moment pozitiv. Unë fola për faktin që paqja nuk njeh kufi dhe duhet të forcojmë paqen jo vetëm brenda vendit, por edhe në rajon dhe botë përmes dialogut duke iu referuar disa mesazhe të atit të shenjtë drejtuar botës dhe një mesazh është dialogu pa përjashtime dhe manipulime dhe një dialog i tillë mund të japë suksese të shpejta për rikthimin e shpresës në vendin tonë dhe për t’i mbajtur shqiponjat e tyre sikur ka thënë Papa Francesku”, tha ai.

I pyetur për faktin se kur do të dekretojë datën për zgjedhjet e reja në bashkitë ku pati probleme me kryetarët e bashkive të zgjedhur nga PS-ja si Shkodra apo Vora, ai tha se “Presidenti vepron në respekt të Kushtetutës dhe ligjit dhe janë të parashikuar instrumentet si vihet në lëvizje”.

Kreu i shtetit kishte një mesazh edhe për politikën duke bërë thirrje për dialog të vërtetë. “Shqipëria të shpëtojë nga dimri i Europës. Rreth 300 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi. Nëse dikush këtu do të më thoshte se kjo ndodh kudo, nuk është kurrsesi në këto përmasa. Kemi të bëjmë me fenomen shpopullimi. Nëse nga Serbia largohet një serb, nga Shqipëria 5 shqiptarë. Kjo është situatë alarmante dhe dramatike dhe kërkon një përgjigje mbarëkombëtarë nga aktorët dhe qytetarët e saj. Ndaj dhe ati i Shenjtë theksoi se kërkohet që t’i bëhet thirrje ndërgjegjes morale.

Ndaj duhet të nxisim procese të reja për t’u dhënë njerëzve shpresë për të ardhmen. Politika dhe politikanët duhet i vinin në shërbim të njerëzve të thjeshtë. Të drejtohemi duke i shërbyer njerëzve. Shqipëria ka një politikë e cila ende nuk po ecën në drejtimin e duhur. Sot shqiptarët kanë nevojë për një dialog të vërtetë. Ata duan që zëri i tyre të dëgjohet. Shqiptarët janë një popull shprese dhe këtë e kanë treguar. Shqipëria ka diell për të gjithë” përfundoi ai./Gazeta Liberale

Tags: , , , , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back