Aktualitet

“Antishpifja”/ Delegacioni i “Venecias” mbërrin të dielën në Tiranë

               Publikuar në : 17:03 - 06/02/20 liberale

Një delegacion i Komisionit të Venecias do të mbërrijë të dielën në Tiranë për të një mision fakt-mbledhës lidhur me paketën ligjore “Antishpifje”.

Ata do të jenë në Tiranë deri më 12 shkurt në kuadër të dhënies së opinionit për dy projektligje, atë për Autoritetin e Mediave Audio Vizuale, (AMA) dhe tjetri për Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, (AKEP), ose siç është pagëzuar ndryshe, paketa e ligjeve “Antishpifje”.

Ardhja e delegacionit të Venecias në Tiranë bëhet në një kohë kur këtij autoriteti i janë drejtuar me kërkesë për opinion, Komiteti i Monitorimit të Asmblesë parlamentare të Këshillit të Europës dhe Përfaqësuesi i OSBE-së për liri të mediave, Harlem Désir.

Në programin e delegacionit është parashikuar që ata të priten nga Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste Taulant Balla dhe një përfaqësi e grupit socialist, ditën e hënë në orën 10:05 në sallën e Komisionit të Ligjeve në Kuvend.

Presidenti Meta e ktheu për rishqyrtim ligjin duke argumentuar se ai cenon lirinë e fjalës dhe se duheshin bërë rishikime. Por dekreti i tij u rrëzua në dy komisione parlamentare nga mazhoranca e cila kishte paralajmëruar se këto projektligje do të kalonin.

“Dekretet e Presidentit të Republikës mbrojnë një status quo, ku shpifja ndaj personit ka triumfuar gjërësisht dhe ku dezinformimi publik është kthyer në normë jetese për shumë aktorë online, ndërsa bashkëpunimi ynë me OSBE dhe Këshillin e Europës ka synuar dhe do të synojë mbrojtjen e fjalës së lirë e të integritetit njerëzor nga shpifja si edhe të vetë publikut nga dezinformimi”, shkruajti atëherë në Facebook, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, duke deklaruar se “ne do t’i rrëzojmë dekretet e Presidentit”.

Por në seancën plenare Kuvendi shtyu miratimin e paketës ligjore deri në dhënien e opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias.

Dhjetëra gazetarë, përfaqësues të organizatave të medias dhe të shoqërisë civile protestuan kundër së ashtuquajturës “paketë antishpifje”, duke deklaruar se qeveria po ngre institucione censure dhe po mundohet të godasë fjalën e lirë. Por socialistët pohuan se po mundohen të rregullojnë tregun e mediave online dhe të shmangin lajmet e rreme.

Organizatat shqiptare të shtypit thonë se po kërkojnë standarte europiane dhe ndërkombëtare të lirisë së shprehjes, të cilat qeveria po i shkel me ligjet e sotme duke sjellë censurë dhe autocensurë, ndaj zgjidhja e këtij konflikti të shtypit me qeverinë është rrëzimi i ligjeve ntë ashtuquajtura për anti-shpifjen dhe vetërregullimi i komunitetit të medias.

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back