Kryesore

Antifashizmi shqiptar duhet të mbetet pluralist, si ai evropian

               Publikuar në : 08:46 - 08/11/19 liberale

Florian Çullhaj, PhD

Historiania Miranda Vickers në librin e saj, Albanians. A modern History, shkruan se: Periudha e kohës së luftës është e bazuar në shumë keqkuptime dhe iluzione të gabuara, më tepër se çdo epokë tjetër në historinë e Shqipërisë. Mbeten shumë polemika të hidhura rreth kësaj periudhe, jo vetëm në Shqipëri por edhe mes vetë ish-BLO-ve (oficerët ndërlidhës britanikë). Ky arsyetim hedh dritë mbi një çështje e cila rikthehet në vëmendjen e publikut shqiptar çdo vit në vigjilje të festave kombëtare. Rasti i 75-së vjetorit të çlirimit dhe vendosja e portreteve të dëshmorëve të kombit në bulevardin me po të njëjtin emër, ngjalli një debat në publik mbi domosdoshmërinë e vendosjes së këtyre portreteve prej qeverisë dhe nevojës permanente për një analizë objektive rreth përdorimit politik të antifashizmit si një domen absolut, vetëm i Partisë Komuniste.

Historiografia zyrtare në periudhën pas luftës, ka punuar me një vizion të qartë propagandistik, përjashtues e denigrues ndaj çdo grupimi tjetër të brendshëm politik që mëtonte të kërkonte një lexim objektiv të ngjarjeve historike, duke çimentuar në këtë mënyrë, monopolin e partisë komuniste mbi të vërtetat e luftës. Për arsye se ushtrimi i pushtetit kërkonte një formë legjitimimi permanent, karta e fitimtarit absolut ishte ajo më e vlefshmja. Me ndryshimin e sistemit dhe me rritjen eksponenciale të burime arkivore, dëshmive, studimeve të pa filtruara mbi periudhën e luftës, vërehet njëdimensionaliteti i përcjellë prej historiografisë zyrtare rreth të vërtetave të luftës.

Në Evropë, lufta antifashiste nuk është as e majtë, as e qendrës as e djathtë. Ajo është vetëm antifashiste sepse njeh në fashizmat e ndryshëm vlerat negative të intolerancës, dhunës, arrogancës, diktaturës, luftës agresive që prodhoi 60-të milion të vdekur, Holokaustin, dëbime e shkatërrim. Të ishe antifashist do të thotë të mbështesje vlerat demokratike, në kuptimin më të gjerë të fjalës, gjegjësisht, vlerat e lirisë, ligjit, pluralizmit, drejtësisë shoqërore, barazinë e të gjithëve para ligjit. Vlera në antitezë me regjimin totalitar që u instalua në Shqipëri.

Gjegjësisht, autonomia nga çdo parti është kushti më i domosdoshëm që rezistenca antifashiste të mbetet në thelb politikisht pluraliste, edhe pse duhet të theksohet se akoma në Shqipëri ekziston një ndjenjë totalitarizuese e njëjtësimit të Luftës Nacional Çlirimtare vetëm me veprimtarinë e Partisë Komuniste.  Mosmarrëveshjet historike në të gjitha nivelet, duhet të zgjidhen me anë të krahasimit, dialogut dhe ndërmjetësimit. Njerëzit e letrave e kanë për detyrë të transmetojnë në mënyrë të saktë kujtesën historike të shekullit të kaluar, e cila ka qenë dhe fatkeqësisht është e infektuar nga një fushatë e delegjitimimit të Rezistencës pluraliste, e përcaktuar si e parëndësishme për zgjidhjen e çështjes madhore të bashkimit kombëtar.

Në vendin tonë, ne jemi dëshmitarë që për shumë vite pas rënies së regjimit, si në kontekst politik po ashtu dhe atë mediatik, është synuar ndërtimi i një sensus communis të bazuar në anulimin e kujtesës kritike të së kaluarës komuniste dhe zerosjen në vetëdijen kolektive të shqiptarëve se lufta antifashiste dhe rezistenca ishte vetëm komuniste.  Në një nivel më të përgjithshëm, e gjithë kjo rendje pas identifikimit të së majtës së sotshme me Dëshmorët e Kombit supozon edhe kuptimin e një lloj “hakmarrjeje”, jo vetëm metaforike, për atë pjesë humbëse të shoqërisë shqiptare që kishte mbështetur komunizmin dhe që edhe pas rënies së tij, gjithnjë refuzon të përballet me një ekzaminim kritik dhe vetë-kritik të kësaj të kaluare.  Elementi më i spikatur që duket se buis nga kjo analizë është rrafshimi i një pjese të atyre kujtimeve (ato liberale, pluraliste, gjithëpërfshirëse) mbi ngjarjet e rezistencës dhe determinizmi i kujtimeve të mbetura (mbi të gjitha ato komuniste).  Ndaj, është e udhës të përdoret shumësi kur duhet t’i referohemi kujtimeve të rezistencës antifashiste.

Si përfundim, a ka kuptim sot të shtrojmë pyetje mbi të vërtetat e rezistencës antifashiste dhe kujtesën e saj? Në Shqipëri, që nga fillimi i viteve 90-të e deri në ditët e sotme ka lindur nevoja për një kujtesë të përbashkët, të çkompleksuar nga pozicionet ideologjike. Por, kjo kërkon rishikime të thella që ripërcaktojnë pozicionin historik të disa figurave kontroverse, të cilët mund të mos gëzojnë më aureolën e çlirimtarit. Rezistenca antifashiste përfaqëson sot një fushë pyetjesh të hapura dhe të pazgjidhura, më shumë sesa një sistem idesh të sigurta dhe përgjigjesh bindëse. Përkatësisht, kjo etapë e historisë sonë duhet të shërbejë si perspektivë interesante kërkimore për studiues të paanshëm dhe me integritet shkencor të gatshëm të përballen me to./Gazeta Liberale

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *