Aktualitet

Antentati ndaj prokurorit Arjan Ndoj, po hetohen disa pista

Shkruar nga Liberale
Antentati ndaj prokurorit Arjan Ndoj, po hetohen disa pista

Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka përcaktuar ende një pistë të qartë për  të hetuar atentatin e ndodhur pasditen e së premtes te mbikalimi i Shkozetit në Durrës ku u plagosën tre persona, mes tyre dhe prokurori Arjan Ndoj.

Prokurorët e Krimeve të Rënda, por edhe policia, janë përqëndruar në pistën e vrasjes për shkak të detyrës të mbetur në tentativë ndaj prokurorit, por ata nuk kanë përjashtuar dhe pista të tjera të konflikteve personale të tij apo personave të tjerë që ndodheshin në automjet, Andi Maloku dhe Landi Muharremi.

Policia e Durrësit ka shoqëruar disa persona që kanë dijeni për ngjarjen dhe pasi janë marrë në pyetje janë lënë të lirë. Mes të shoqëruarve janë dhe shtetasit Julian Meçe dhe Plarent Dervishaj, të cilët janë pyetur si persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Nga ana tjetër, dy mjetet, i prokurorit dhe një tjetër i dyshuar se u përket autorëve dhe që u gjet i braktisur rreth një orë pas ngjarjes në zonën e Ishmit në Durrës janë sjellë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku ekspertët e policisë shkencore po kryejnë kqyrjen e tyre për të gjetur gjurmë që mund të çojnë drejt autorëve.

Sipas hetimit, në vendin e ngjarjes janë gjetur 20 gëzhoja, ndërsa automjeti ku ndodheshin tre personat është prekur nga 8 plumba.

Ekspertiza e deritanishme ka përjashtuar mundësinë e shkëmbimit të zjarrit. Gjithashtu në laboratorin e policisë shkencore janë dërguar dhe dy armët tip automatik që u gjetën në makinën e autorëve të atentatit, i cili rezulton të jetë i vjedhur në Tiranë rreth 2 javë më parë, ndërsa targat ishin të falsifikuara dhe të mbivendosura.

Ndryshe nga sa ka ndodhur në ngjarje të kësaj natyre, atentatorët nuk e kanë djegur mjetin për të humbur gjurmët.

Kjo ndoshta për faktin se nuk kanë dashur të tërheqin vëmendjen e policisë, ndërsa kanë qenë banorët e zonës që kanë njoftuar policinë.

Një provë tjetër që pritet të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes janë dhe kamerat e sekuestruara përgjatë itinerarit që ka përshkuar makina e prokurorit dhe autorëve.

Gjithashtu janë sekuestruar dhe kamerat e lokalit ku ka drekuar prokurori për të parë personat e dyshimtë që mund ta kenë ndjekur atë brenda apo afër lokalit.

Ndërkohë gjendja shëndetësore e shoferit, Andi Maloku, vazhdon të jetë e rëndë, ndërsa ndodhen jashtë rrezikut për jetën prokurori Arjan Ndoj dhe personi tjetër që ishte në makinë me të, Landi Muharremi.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH