Krye

Ankthi i ndikimit

               Publikuar në : 09:27 - 12/09/19 V Liberale

Viktor Canosinaj

“Në kohën e origjinalëve të mëdhenj, Prusti dhe Xhojsi ndër të parët, Kafka është më origjinal se origjinalët, të cilët, sipas Emersonit, nuk janë kurrë origjinalë”. Këto fjalë janë shkruar nga Harold Blumi në librin “Gjeniu – një mozaik i 100 mendjeve të rralla krijuese”, nënkapitulli kushtuar Kafkës. Ky vlerësim kategorik çuditërisht bëhet nga një autor që si vepër më të spikatur ka librin “Ankthi i ndikimit”, ankth nga i cili zor se mund të ketë shpëtuar ndonjë shkrimtar i këtij planeti.

Ka një mister në jetën e Kafkës: Pse ai nuk i botoi sa ishte gjallë veprat e veta? Çfarë e shqetësonte? Ende sot e kësaj dite askush nuk mund të japë një përgjigje të saktë për këtë pyetje, ndërkohë që interpretimet janë të ndryshme. A vuajti vallë  Kafka nga ankthi i ndikimit? Këtë e di vetëm shpirti i tij, por janë shumë argumente letrare që tregojnë për ndikimin e tij nga Dostojevski dhe që i japin të drejtë Emersonit kur thoshte “Origjinalët nuk janë kurrë origjinalë”.

Autori i këtyre radhëve nuk ka ndër mend t’i kundërvihet Blumit apo kujtdo që sot e kësaj dite është i magjepsur nga Kafka, ai thjesht do të bëjë një vështrim krahasues të veprave “Metamorfoza” dhe “Procesi” të Kafkës me “Shënime nga nëntoka” dhe “Sozia” të Dostojevskit.

Dostojevski dhe Kafka i përkasin të njëjtës racë shkrimtari: të dy ishin të sëmurë, i pari me epilepsi dhe i dyti me tuberkuloz, të dy kishin probleme serioze në marrëdhëniet me babain, të dy ishin të tërhequr nga anët e errëta të psikikës njerëzore, të dy kishin talentin e rrallë për të krijuar te lexuesi gjendje ankthi dhe për të përcjellë tek ai një atmosferë të zymtë, nga e cila nuk ka shpëtim. Jo më kot, në vitet ’40 të shekullit të kaluar, kur Kafka u bë plotësisht i njohur, atë e quajtën në shenjë vlerësimi “Dostojevski i Perëndimit”. Duke iu referuar një letre të vitit 1913 të Kafkës, ku ai  shkruan se katër shkrimtarë janë të një gjaku me të: Grillparzer, Dostojevski, Kleist dhe Floberi, studiuesi Roman S. Struc thekson se  “Kjo deklaratë shpreh jo vetëm afërinë e tij me këta njerëz si shkrimtarë, por gjithashtu një identifikim me komplekset e tyre ekzistenciale”. (Grillparzer, shkrimtar austriak (1791-1872), pati në jetën dashurore të njëjtin fat si Kafka; në prag të martesës ai u tërhoq sepse ishte i bindur që fati i kishte rezervuar një jetë pa lumturi. Në ditarin e tij dëshmohen vuajtjet dhe jeta e mjerë që bëri, sepse nuk u martua kurrë. Kleist, shkrimtar gjerman ( 1777- 1811), kreu vetëvrasje në moshën 34-vjeçare bashkë me të dashurën sepse ajo vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Floberi nuk u martua kurrë dhe nuk pranoi të bënte fëmijë sepse “nuk donte t’u trashëgonte atyre fatkeqësinë dhe peshën e ekzistencës”. Ai vuajti nga sifilizi. Jeta e Dostojevskit me gratë qe gjithmonë e trazuar, vesi i tij i bixhozit i pashërueshëm, si edhe sëmundja e epilepsisë).

Por ajo që ia vlen të theksohet është se si Dostojevski, edhe Kafka ishin mjeshtër të përshkrimit të realiteteve skizofrenike, detaj i cili do të shtjellohet më poshtë.

Ka shumë të dhëna burimore që provojnë se Kafka e kishte lexuar imtësisht Dostojevskin, madje studiuesi Roman S. Struc është i mendimit se pjesë të romanit “Sozia” janë përdorur nga Kafka për të shkruar “Metamorfozën”. Le të shohim këtë ngjashmëri mes fillimit të librit “Sozia”  dhe  “Metamorfoza”.

“Sozia” : “Ora ishte tetë pa pak, kur nëpunësi civil i rangut të nëntë Jakov Petroviç Goladkin, pasi kishte fjetur mirë e mirë, u zgjua, gogësiu, u shtriq dhe, më në fund, hapi sytë krejtësisht. Sidoqoftë, nja dy minuta vazhdoi të qëndronte në shtrat pa lëvizur, si një person ende jo fort i sigurt nëse qenkësh e vërtetë dhe e prekshme gjithçka që ndodhte tani rreth tij, apo kishte të bënte me vazhdimin e  mishmashit të ëndrrave që kishte parë.” (Sozia, Omska 2000, përkth. E.Ymeri)

“Metamorfoza”: “Një mëngjes, ndërsa Gregor Samsa po zgjohej pas ëndrrash të ankthshme, vuri re se ndodhej në shtrat i shndërruar në një kandërr të përbindshme, të fëlliqur.” (përkth.aut.)

Po kështu, fundi i romanit “Metamorfoza” dhe “Procesi” është i ngjashëm me atë të romanit “Sozia”, Samsa vritet nga pastruesja e shtëpisë,  Jozef  K. vritet mizorisht në një skenë pothuaj teatrale. “Si një qen”, thotë  ai. Te “Sozia” Goladkinin e fusin me të shtyra në një karrocë, që do ta shpinte në një shtëpi të panjohur. Goladkinit i duket vetja si një mace e lagur. Në mbyllje të romanit, kur “heroi ynë” pyet ku po e çojnë, sozia i thotë: “Ju do të merrni një apartament belik, me ngrohje me dru, gjë që nuk e meritoni.” “Përgjigjja tingëlloi si një pretencë prokurori”, shkruan Dostojevski.

Kandrra dhe rrëshqanori është një metaforë e gjendshme shpesh te Dostojevski.  Kapitulli i dytë i romanit të tij “Shënime nga nëntoka” fillon kështu: “Kam dëshirë t’ju tregoj,  zotërinj,… pse nuk arrita të bëhem askush, madje as një kandërr. E them hapur se shpesh kam pasur dëshirën të jem një kandërr.” (përkth.aut.) Te “Shënime…” heroi thotë se në fund të fundit ne të gjithë kemi hequr dorë nga jeta, të gjithë zvarritemi… herë-herë ndiejmë neveri nga jeta e gjallë. Motoja e heroit të nëntokës është : “O hero, o kandërr”. Kjo moto e shtyu pas pak kohësh Dostojevskin të shkruante kryeveprën e tij “Krim e ndëshkim”. Thelbi i këtij romani përmblidhet te ky paragraf i heroit të nëntokës: “Unë…ngadhnjej mbi të gjithë dhe të gjithë janë të detyruar të pranojnë epërsinë time. Pastaj unë i fal të gjithë. Ja, bie fjala, bëhem poet  me emër. Grumbulloj miliona, një pasuri të pafundme, dhe e shkrij atë për të mirën e njerëzimit. Ndërkohë rrëfehem para të gjithëve për veprimet e mia të mëparshme, të pahijshme, që në vetvete nuk janë poshtërsi të rëndomta, por vepra që janë mbrujtur nga madhështorja dhe dobia e pafund…” (përkth. aut.)

Tani të shikojmë se si Dostojevski dhe Kafka përdorin realitete skizofrenike, fantazmagorike, për të shtjelluar subjektin në vepra si “Sozia”, “Shënime…”, “Procesi” dhe “Metamorfoza”. Çfarë është në thelb realiteti skizofrenik sipas shpjegimit shkencor?  Skizofrenia zhvillohet veçanërisht tek ata persona me aftësi imagjinative dhe ndjeshmëri shumë të lartë, tek të cilët, kur stresohen shumë,  mekanizmi i shkarkimit të gjumit nuk mund të ndjekë rrjedhën e tij normale. Kështu aftësia e tyre për të ndarë realitetin konkret nga realiteti metaforik i botës së ëndrrave (ku metaforat duken të vërteta) bëhet i pandashëm. Realitetet skizofrenike i ndeshim shpesh ne letërsi te personazhet e “të sëmurëve mendorë”. “Hunda” e Gogolit, tregim nga i cili është ndikuar edhe Dostojevski, është një realitet skizofrenik, ndonëse Gogoli nuk thotë kurrë që personazhi i tij është me probleme mendore. Elementin fantastik Gogoli e jep me aq natyrshmëri saqë një pjesë e studiuesve të Realizmit Magjik i shohin fillimet e kësaj teknike letrare te letërsia e tij dhe te ndonjë autor edhe më i hershëm si Rabële. Realitet skizofrenik është ai i romanit “Aurelia” i Nervalit. Nervali e fillon këtë libër me fjalinë: “Ëndrra është një jetë e dytë”. I dhimbshëm në rastin e Nervalit ishte fakti që ai vetë vuante nga skizofrenia dhe e mbylli jetën me vetvrasje.

Te “Metamorfoza” dhe “Sozia” kemi realitetete skizofrenike, po ashtu te “Procesi” dhe “Shënime…” Më i ngjashëm ky realitet është mes dy veprave të para. Tek të dyja, që në fillim përmendet elementi i ëndrrave. Ne nuk kemi asnjë tregues se Samsa është në gjendje skizofrenie, por kjo kuptohet nga tërësia e zhvillimit të ngjarjeve. Realiteti i jetës prej kandrre është skizofrenik. Elementi njerëzor normal është i pranishëm në të dhe deri këtu gjithçka është në rregull. Po ashtu edhe te “Sozia”, ku “heroi ynë”, siç e quan Dostojevski Goladkinin, personazhin kryesor, është i bindur se po e përndjekin të gjithë. Por te kjo vepër kemi tregues të sëmundjes së tij. Në kapitullin VI, Goladkinit, “heroi tonë”, i thuhet nga eprori që të shkojë te mjeku, sepse nuk i duket fare mirë. Tek sytë sidomos. Ata kanë një pamje të veçantë. Pas një përndjekje torturuese Goladkini ka dëshirë të futet në një vrimë miu dhe të bëhet i padukshëm.

Nëse te Dostojevksi i gjejmë këta tregues orientues të realitetit skizofrenik, si edhe te “Shënime…”, ku personazhi kryesor thotë që në fillim: “Unë jam sëmurë”, te Kafka këta tregues mungojnë tërësisht. Realiteti skizofrenik te Kafka paraqitet me mjete realiste. Përsëri kjo është arsyeja që disa studiues e kanë konsideruar atë pararendës të Realizmit Magjik. Kafka e ngriti artin e Gogolit, Nervalit, Dostojevskit në nivele më të larta dhe kjo është merita e tij më e madhe letrare.

Elementi më bindës se Dostojevski dhe Kafka operojnë me realitete skizofrenike është fakti se ata i shmangen mjeshtërisht kontekstit të zhvillimit të ngjarjeve. Për Goladkinin ne dimë vetëm se ai jeton në Pjetërburg dhe kaq. Për Samsën dimë vetëm që jeton në epokën e industrializimit ( prania e telefonit dhe tramvajit) dhe punon në një bankë, asgjë tjetër. Te “Procesi” dhe “Shënime…”  po ashtu, konteksti pothuaj mungon fare. Përveç përdorimit të emrave gjermanë dhe rusë nuk kemi asnjë tregues tjetër që të na lidhë me botën reale.

Në mbyllje të këtij shkrimi krahasues, do të ngrija sërish pyetjen: “Pse Kafka nuk pranoi ta botonte krijimtarinë në gjallje të tij?” Kushdo do të ishte i mirëpritur të ndihmonte në përgjigjen e kësaj pyetjeje. /Gazeta Liberale

(Visited 55 times, 1 visits today)

Etiketa: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *