Letërsi

"Anjeza nuk u zgjua", romani i dashurisë

Shkruar nga Liberale

I njohur si poeti i dashurisë, Preç Zogaj rikthehet tek proza e gjatë. Romani “Anjeza nuk u zgjua” vjen nga UET PRESS dhe tregon historinë  e pazakontë të një dashurie

"Romani “Rudini” e preku shumë Davidin me fundin tragjiko‒heroik të personazhit që shkonte dhe jepte jetën në barrikadat e Parisit. Po rrinte shtrirë me kokën mbi jastëkun e palosur dyfish. E kishte mbaruar librin, s’kishte ç’të lexonte më, por vazhdonte ta mbante në dorë, si të ishte tradhtuar prej diçkaje në faqet e tij. Autori i librit e kishte kapur në befasi, duke dhënë lajmin bombë të vrasjes së Rudinit mijëra kilometra larg Rusisë, pasi e kishte fshehur, pasi kishte pushuar së rrëfyeri për të. “Në të vërtetë, në të vërtetë, duhej ta kisha parandier, duhej ta kisha marrë me mend këtë fund gjatë shtjellimit të subjektit”, po thoshte me vete. “Dashuria e tij për Nadjevën, përsiatjet e tij të thella për këtë ndjenjë ... Si thoshte”? Ai e kishte mësuar përmendësh paragrafin: Dashuria ka shumë të fshehta: si lind, si rritet, si zhduket e humbet. Herë‒herë shfaqet papritmas pa dyshime, plot gëzim si dita, herë‒herë digjet si prushi në hi dhe ndizet flakë në shpirt atëherë kur gjithçka është shkatërruar; herë zvarritet në zemër si gjarpër, herë rrëshqet pa u kuptuar. Po, po: kjo është një çështje me rëndësi. Po kush dashuron në kohën tonë? Kush guxon të dashurojë?.."

Rreshtat më lart janë shkëputur nga romani “Anjeza nuk u zgjua”, me autor Prec Zogajn, ardhur për lexuesin nga Botimet UET PRESS. Pas një mungese të gjatë në gjininë e prozës së gjatë, Zogaj rikthehet me këtë roman që na çon pas në kohë, në Lezhën e vitit 1985. Një histori dashurie mes Davidit dhe Anjezës të rrëmben, teksa nis të lexosh faqet e para të këtij romani voluminoz, e ndjen se duhet ti shkosh deri në fund leximit. I shkruar me stilin realist me gjithë tragjizmin që mbart historia, Zogaj tregon me këtë vepër se tema e dashurisë është kryetema e letërsisë dhe çdo vepër që shkruhet është thjesht një përsosje e kësaj teme. Në këtë roman Zogaj shkëlqen me rrëfimin e saj.

Dy personazhet kryesorë Davidi dhe Anjeza janë personifikuesit më të mirë të një kohe, ngritur mes paragjykimesh e muresh shoqërore, por dhe sfidash. Por Zogaj kërkon të shohë thellë në brendësinë e tyre, si dy qenie thellësisht të dashuruara, që nën dashuri japin ndjesitë që shpesh lexuesi ndjen se i mungojnë. Romani është i mbushur plot aksioma të gjata për dashurinë. Të gjithë ata që duan të kuptojnë ç’është dashuria duhet të lexojnë këtë vepër.

 “Por nuk dallon shenja dashurie në sjelljen e tij. Jo se i ka njohur ndonjëherë ato shenja, jo se ka dijeni teorike si shfaqen e si mund t’i dallojmë sinjalet e dashurisë së një burri, por beson se dashuria nuk i merr gjërat lehtë, shkel e shko, plot siguri, plot kryelartësi. Dashuria flet pak dhe me zë të ulët; dashuria është një gjë që shkruhet e lexohet në një gjuhë që kuptohet pa e ditur në ballin e atij që e ndien, dashuria nuk ka uri në duar dhe në sy. Ka gatishmërinë e verbër për t’u flijuar për tjetrin apo tjetrën”, shkruan Zogaj.

Në një tjetër pasazh Anjeza këndon një këngë të re, tekstin e së cilës e kishte shkruar poeti lezhjan, Rudolf Marku. Ishte një poezi dashurie, Davidit i ishin fiksuar vargjet “dashuria është lëvizja e papritur e krahëve / kur asgjë s’kisha ndërmend”. Atij iu përhi pamja e poetit me të ecurën e tij të hovshme, që ishte krejt e pazakonshme për njerëzit në Lezhë. Në një tjetër moment në libër autori thotë “Dashuria nuk ka qëllime”. Më tej një tjetër personazh teksa dëgjonte rrëfimin e Davidit për Anjezën mendonte se “Mënyra si i kishte shfaqur ai herë pas here ndjenjat për atë vajzë e kishin shtyrë të mendonte se dashuria ishte një gjë e vështirë, e paarsyeshme, e thyeshme, e ngulshme në shpirt si copat e qelqit në mish, që duan shumë kujdes të hiqen e kushedi a hiqen të gjitha nëse vjen puna për t’i hequr. Kësaj radhe gjërat kishin shkuar më larg. Fiksimi i Davidit parashikonte një tragjedi”.

E nuk mund të ketë dashuri pa tragjedi. Borghesi besonte se është pikërisht kjo e fundit që ka nevojë për dashurinë. Historia e Anjezës dhe Davidit është një nga historitë më të bukura të dashurisë në prozën e vonë shqipe, shkruar nga një poet i dashurisë. E pse ngjarjet na çojnë 40 vjet më pas në kohë, dy personazhet duket se i flasin aq mirë kohës që jetojmë.

Autori shpesh ndërton përmes erosit skena që e bëjnë më të plotë fabulën. “Erotizmi ndër shekuj ka qenë një element shumë i pranishëm në jetën shqiptare, dëshmi për këtë është përsëri Folklori. Sigurisht që edhe gjatë viteve 1980-1990 ka qenë pjesë e mënyrës së jetesës së brezit të ri të asaj kohe, mirëpo mënyra skematike e vështrimit të epokave të caktuara, ka krijuar disa klishe mendore, ku në rastin konkret kanë ngulitur idenë se në vitin 1990 gjithçka fillon nga zeroja. Unë vetë jam një prej protagonistëve të këtij viti, por nuk është as realiste, as njerëzore të imagjinohet se për shkak të sistemit të kaluar, gjithçka nisi në ’90-ën.

Sigurisht që korniza e sistemit, ndikon në mënyrën e përgjithshme të të jetuarit të brezave, por jeta ndjek ligjësi të tjera. Marrëdhëniet e dashurisë, te erotikës ndjekin një tjetër logjikë, atë të kënaqësisë, të aventurës që ekzistojnë në çdo brez. Madje te rinia e viteve ’80-’90, erotika ka qenë shumë e pranishme, “Anjeza nuk u zgjua” nuk rrëfen asgjë të sajuar. Ajo që më çudit është se nëse në letërsinë e para ’90-ës ka pasur pengesa për të pasqyruar aspektet erotike, ndodhi që pas rënies së diktaturës, letërsia herë pas here ra në konformizëm apo në atë që unë e quaj skematizim i përmbysur. Edhe pse për përhapjen e mendimit se gjithçka, edhe në aspektin e erotizmit, nisi pas ’90-ës, kanë investuar individë të ndryshëm, kjo është një gënjeshtër e madhe, pasi janë ata persona që jetuan në diktaturë, që krijuan edhe premisat për të jetuar në demokraci. Nuk jemi i popull tjetër, jemi po i njëjti”, u shpreh Zogaj në një intervistë pak ditë më parë mbi librin.

Por si të gjitha historitë e dashurisë e kjo mes tyre nuk është e lehtë. “Në fund, Anjeza përjeton dramën e një përvoje tragjike, ndaj nuk do të dëgjojë, të dijë se ç’ndodh përreth. Nga ana tjetër, Davidi edhe pse e dashuron, në momentet e lavdisë, i qëndron larg, sepse mendon se nuk mund t’i ofrojë gjë. Ndaj dashuria për Anjezën është një plagë e tij, që ndihet ndër kapituj. Pas dramës që e dashura e tij pësoi, ai nuk e gjykon, as e bën fajtore, por percepton se është momenti që të marrë një lloj protagonizmi për ta ndihmuar. Madje thellë-thellë, ai ndjen një lloj përgjegjësie, që vetë Anjeza nuk e ka menduar. Përgjegjësi, se ishte i pari për të, edhe për faktin se të tjerët kanë abuzuar.

Jo më kot unë kam shkruar disa faqe meditimi për virgjërinë, aq sa personazhet e mia arrijnë në mendimin se vajzat duhet të lindin të zhvirgjëra. Unë me “Anjeza nuk u zgjua” kam treguar një histori, që jep një tablo të jetës shqiptare në vitet 1985-1987, duke mos u kufizuar vetëm te lidhjet e dashurisë, as tek episodet e dhunës e intrigave, por duke dhënë një pasqyrë të kontekstit shoqëror të Shqipërisë së asaj kohe. Qëllimi ka qenë dhe mbetet që të shkruaj diçka që të pëlqehet, pasi tek e fundit, letërsia ka edhe mision hedonistik”, shprehet Zogaj.

Autori do të jetë i pranishëm në stendën e UET PRESS gjatë ditëve të Panairit të 22 të librit që do të mbahet në Pallatin e Kongreseve, për të gjithë ata që do të duan ta kenë me autograf këtë roman të dashurisë, që duhet të jetë në bibliotekën e gjithkujt.

Në vend të prologut

(Pjesë nga libri)

Një poete e re, E. B. rrëfeu më vonë gjatë një pasdarke me kolegë, ku secili ishte ftuar të tregonte një gjë që e kishte mahnitur në jetë, për një djalë dhe një vajzë në gjumë në trenin e linjës Durrës ‒ Fier ‒ Vlorë një ditë fundgushti të vitit 1988. I kishte vënë re kalimthi tek po shkonte të merrte një kafe te bar‒bufeja në vagonin e fundit.

Një kërshëri e fortë e kishte mbajtur në vend poeteshën E. B. Trupi dhe koka e vajzës ngriheshin si velë mbi kokën e djalit që ishte mbështetur midis prehrit dhe gjirit të saj të djathtë sikur u fshihej erërave të forta.

Ajo i kishte soditur një copë herë, me ndjesinë e parehatisë së vëzhgimit të njerëzve në gjumë. “Më bëri përshtypje të thellë mënyra se si ishin kombinuar në gjumin e tyre dyshe dhe njëlloj ngjashmërie, që nuk ishte fizike po t’u krahasoje një nga një tiparet e fytyrave.

Dukeshin të vegjël, pavarësisht se nuk ishin fëmijë. Të gjithë dukemi më të vegjël në gjumë, apo jo!” Ajo e kishte thënë ngadalë këtë shprehje, si të donte të fitonte pak kohë për t’i saktësuar e ngulur mirë fjalët vijuese: “Ngjashmërinë e tyre e përcaktonte një gjë tjetër: në gjumin ku kishin rënë u kishte dalë përsipër një hir që s’dukej si i kësaj bote”.

E.B. ishte përdëllyer dhe kishte vështruar pëllëmbën e dorës sikur priste t’i shfaqej atje një trëndafil për t’ua lënë si dhuratë vajzës dhe djalit. “Ta gjenin, qoftë edhe të vyshkur, kur të zgjoheshin.” Ishte një vizion, e dinte se nuk ndodhte vërtetë. Kishte marrë të largohej dhe i kishte ardhur në mendje kjo fjali: “Engjëjt nuk e dinë se kush janë”.

“Por ne na qëllon t’i shohim nganjëherë”, kishte komentuar në mbyllje të rrëfimit të saj poetesha E.B. Ajo nuk e dinte se vajza kishte vdekur kurse ai djali ishte kapur për një kohë të gjatë në rrotullimin e një lidhjeje pamjesh të pandryshueshme që mbaronin e ktheheshin, mbaronin e ktheheshin nga fillimi: ai vetë që ngre kokën akoma përgjumshëm nga prehri i Anjezës dhe dallon fluturimthi përtej xhamave të dritares së trenit eukaliptet e Vlorës dhe kupton menjëherë se Fieri, ku duhej të kishin zbritur, kishte mbetur prapa dhe kthehet nga Anjeza për ta zgjuar e për të ndarë së bashku, me të qeshur, shkujdesjen që do t’u kushtojë kthimin me të njëjtin tren nga Vlora në Fier, me bileta të reja ndoshta, ‒ punë e madhe! ‒ dhe papritur e përshkon një rrymë e akullt lemerie tek dallon disa flluska në të dy anët e gojës së saj dhe ngjyrën e lëkurës së saj si të tehut të sëpatës, e tund pa i numëruar herët, i thërret pa e dëgjuar zërin e tij, shqyen sytë mbi të pa pushim, pa pushim, pa pushim, ndërsa ajo nuk i hap sytë e saj, siç i hapte në dhomë kur ai i hidhte një shikim shumë të lehtë. Kanë kaluar muaj, e di se ka mbaruar, por nuk i hiqet nga mendja se mund të zgjohet në një moment të kohës pa fund bashkë me atë algën e bërë me dritë dhe keqardhje mes buzëve./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH