Letërsi

“Anja”, si tribut për dashurinë

Shkruar nga Liberale

Liridon Mulaj

Rrëfimtaria është dhunti, dhe kjo s’ka të bëjë aspak me faktin se si arrin te teknikat e shkrimit të këtij rrëfimi, duke i përbashkuar elementët drejt një strukture romanore apo në një ekstrakti në formën e tregimit. Natyrisht, një lloj zeje e kërkon dhe dhuntia, që ta shpalosë siç duhet forcën e rrëfimit. Por thelbi i rrëfimtarit mbetet tek autenticiteti, nëse ia del ta ruajë në shtrimin e këtij rrëfimi në shkrim. Romani është zhanri më “zemërgjerë”; të lejon të eksperimentosh e po ashtu të përbashkosh nga forma të ndryshme të rrëfimit, deri tek poezia dhe vargu që  i ngjeshen situatës, karakterit apo çështjes. Kjo liri në të shkruarin e romaneve ka shkaktuar dhe një lloj shndërrimi te autori, i cili jo domsdoshmërisht duhet të zotërojë teknika apo forma të të shkruarit, duke e tejkaluar kriterin e të qenit brenda fushës për të qenë një shkrimtar. Dhe rastet i kemi të shumta, kur romancierë të njohur kanë zotëruar profesione krejt të ndryshme.  Michel Houllebecq, shkrimtari francez me diplomë në Agronomi, e nëse vijmë në Shqipëri kemi rastin e Fatos Kongolit matematicien, pra dy shkrimtarë të rëndësishëm në vendet e tyre, të cilët i lidh me letërsinë aftësia e rrallë e rrëfimit. Ka dhe dhjetëra të tjerë, nëse do t’i përmendnim, lista do ishte shumë e gjatë. Para viteve nëntëdhjetë, ose thënë ndryshe në periudhën e letërsisë së realizmit socialist, të qenit shkrimtar lidhej drejtpërdrejt me të qenit produkt i fakultetit të Filologjisë. Në letërsinë e pas 90-tës, befasia e këtij trendi të protagonizmit u zbeh paksa teksa arti i të shkruarit nuk i përkiste më ekskluzivisht vetëm atyre që letërsinë dhe gjuhën i kishin studiuar në fakultet. Dhe benefiti  i kësaj “fushate” në këto tridhjetë vite post soc-realizëm është të vërtetuarit e tezës se të qenit shkrimtar dhe jashtë këtij ndikimi “akademik”, ishte e mundur.

Dhe për të hyrë në temë, çka do e shtjellojë më qartë diversitetin e raportit autor-profesion, marr në shqyrtim romanin “Anja” të autorit Ahmet Prençi.  Një nga romanet e shumtë të cilët lexova në periudhën e verës ishte dhe “Anja”, një sage që i dedikohet dashurisë.  Roman i cili në lexim të parë më bindi se vërtetë kemi të bëjmë me një tekst letrar të mirëfilltë i cili i qëndron besnik strukturës romanore,  i shkruar me finesë dhe përkushtim. Arsyeja pse hyra menjëherë në temë, duke nxjerrë në dritë romanin që trajtoj, është se për leximin e këtij romani u nisa jo nga titulli por nga autori i cili në vetvete, veçmas përbënte një kuriozitet të madh. Një ish-drejtor policie i cili shkruan romane dhe aq më tepër me subjekte të bazuara në histori dashurie. Një rast ekzotik parë së jashtmi, i cili duke ngacmuar kureshtjen të çon drejt romanit dhe brendësisë së tij. Kureshtje dhe përshtypje, që u legjitimuan së fundmi me dy ngjarje të njëpasnjëshme që lidhen me romanin Anja, fitimi i çmimit “Gjergj Fishta” si dhe përfshirja në listën e dhjetë kandidatëve kryesorë për Çmimet Kombëtare të letërsisë. Para këtyre fakteve, dyshimi venitet dhe siguria se Ahmeti e ka seriozisht këtë zeje fillon e konsolidohet, pavarësisht qasjes dhe raportit të autorit me të krijuarit, ku sipas tij, raporti me letërsinë mbetet i brishtë. Natyrisht autori ndjek manualin e të përulurit, por përtej kësaj sjelljeje, vepra nuk të bindet. Ajo ndjek rrugën e saj, atë rrugë të cilën Anja e ka shtruar me dinjitet.  Dhe teksa lexon faqet e para, në mënyrë krejt të pavetëdijshme e harron autorin dhe ish-profesionin e tij. Sepse shtjella e ngjarjeve nis e të rrëmben drejt habitatit të lexuesit, në ato shtigje ku asgjë më shumë se letërsia nuk ka rëndësi, dhe kupton se paragjykimet dhe sterotipet e ngritura janë thjesht zhurma të shkaktuara nga arsye krejt paragjykuese dhe aspak letrare.

Në romanin “Anja” rrëfimi nis me prezantimin e personazhit kryesor (nuk është Anja), një meso burrë rreth të pesëdhjetave i quajtur Anton Hila. Për nga tiparet, Antoni është një personazh i rrallë në letërsinë shqipe jo për faktin se gëzon veti të veçanta në subjektin e ndërtuar, por se mashkull me tipare të tilla, krejt afër të qenit ideal, nuk ekziston në realitet. Antoni, një mashkull vetmitar me profesion inxhiner, niset drejt një qyteze të vogël, ku do drejtojë punimet për ndërtimin e një dige hidrocentrali tepër të rëndësishëm në vend. Atje në qytezë, ngjarja nis e merr jetë kur Antoni vetmitar i betuar në beqarinë e tij të përjetshme, njeh Anjan, një vajzë e re me baba francez dhe nënë shqiptare, pikërisht nga qyteza në të cilën Antoni ishte transferuar. Mes të dyve lind një dashuri e fortë e cila në kohë fizike zgjat pak, si duket për t’ia lënë përjetësinë kohës metafizike, asaj që nuk preket me trup, nuk puthet me buzë, por njehësohet me rrahje zemre dhe pengje të përjetshme të cilat i japin kësaj historie dashurie, konotacionin platonik të përjetimit të saj. Vrasje, mister, korrupsion dhe thashetheme janë elementët të cilët i mvishen subjektit si një pasqyrim besnik i realitetit provincial, që prodhon ngjarje në dendësi fragmentare të shkurtër, aq sa për të absorbuar përgjatë gjithë vitit, si në një marrëveshje të fshehur të faktorëve që dalin në pah si me komandë. Por historitë e mëdha të dashurisë, janë destinuar të jenë të tilla edhe në ndarje, veprim i cili kthehet në domosdoshmëri pas thirrjes së Anjas për t’u kthyer në Paris dhe drojës së Antonit për të hedhur një hap më tej, si legjitimitet i asaj frike të cilën një vetmitar i përbetuar ia mvesh angazhimeve dashurore, si të panevojshme. Dhe është  ndarja fizike ( ajo që nuk nuk arrin të depertojë brenda shpirtrave), që e mban pezull rrëfimin deri në fund. Letra dashurie të shkruara nëpër vite, si formë testamenti por dhe amaneti, të destinuara për t’i rezistuar kohës fizike të protagonistëve. Në fund, shenja biologjike e Antonit dhe Anjas në këtë botë, merr jetë si për të siguruar një farë triumfi të vazhdimësisë universale përtej jetëve biologjike.

I gjithë romani vjen në një rrëfim brilant, i servirur nga një i tretë i cili po ashtu është personazh në roman, si hallka lidhëse mes dëshirave dhe nevojave, të shkuarës dhe së ardhmes, mungesës dhe dashurisë, asaj dashurie e cila na dëshmon se përbetimet besnike ndaj vetmisë nuk vlejnë, kur ajo shpërfaqet e fortë dhe tragjike si vetë jeta në rrjedhën e saj. Në këtë sprovë të parë, autori ia ka dalë më së miri duke i hapur rrugë një aventure të gjatë që shton përgjegjësitë e njëkohësisht e rrit shkrimtarin, e së bashku me të dhe veprat pasardhëse.  Romani “Anja” i Ahmet Prençit, është sublimiteti i njeriut  që dashuron njeriun e më pas vuan për këtë dashuri,  paradoks i cili paraprin dramat e mëdha, pa të cilat jeta nuk do të kishte asnjë kuptim, po ashtu as letërsia… /Gazeta Liberale

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH