Kryesore

Ani Kokobobo: Kadare, i vetmuar në botën e madhe letrare

               Publikuar në : 11:38 - 12/08/19 LP

Profesoresha e letërsisë ruse në Universitetin e Kansasit ishte e ftuar në Klubin e Librit “Kadare” në Universitetin Europian të Tiranës, në një rrëfim mbi romanin rus të shekullit XIX dhe Kadarenë

Ani Kokobobo, profesoreshë e letërsisë ruse në Universitetin e Kansasit dhe përkthyese e tri eseve të shkrimtarit Ismail Kadare në gjuhën angleze, ishte e ftuar në një bashkëbisedim me njerëz të letrave dhe lexues në Klubin e Librit “Kadare”, pranë Universitetit Europian të Tiranës me Alda Bardhylin. Ky ishte takimi i parë i Kokobobos, e njohur dhe për shkrimet e saj mbi letërsinë në mediat ndërkombëtare, me një auditor shqiptar. Më poshtë në literatura po sjellim një pjesë të kësaj bisede. Gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri, studiuesja Kokobobo u takua edhe me shkrimtarin e madh Kadare.

Ani, le ta nisim bisedën me një njohje më të mirë me ju dhe karrierën tuaj. Do të doja të dija lidhjen apo zgjedhjen për të studiuar letërsi ruse. Në Shqipëri për gati 50 vite ka qenë një ndër letërsitë më dominante e të lexuara…?

Unë kam ardhur në Amerikë si emigrante në vitin 1997. Gjatë studimeve në kolegjin Dartmouth e gjeta veten duke lexuar literaturën ruse, si shkrimet e Tolstoy-t, poezinë e Anna Akhmatovës. Kjo traditë letrare u bashkëngjit me botëkuptimin tim dhe ma bëri më të lehtë jetën dhe tranzicionin e të qenët emigrante.

Mbarova studimet për Gjuhë dhe Letërsi Ruse dhe Antikitet. Më pas vendosa të bëja çdo tentativë që të vijoja të merresha me letërsinë ruse, pasi e ndieja se kjo ishte ajo me çfarë doja ta lidhja jetën time, në vend që të vijoja punë në ndonjë korporatë të madhe në SHBA. Pasi kreva doktoraturën në Columbia University fillova punë në Universitetin e Kansasit, ku jam profesoreshë e asociuar dhe shefe e katedrës së gjuhëve sllave.

Libri juaj i parë ka të bëjë me groteskun në romanin rus. Do të doja të flisnim pak për këtë libër?

Libri im i parë ka qenë disertacioni im, të cilin e kam përpunuar. Është botuar nga Ohio State University Press në 2018. Në këtë libër merrem me romanin rus të shekullit XIX dhe autorë si Tolstoy, Dostoevksy, Goncharov, Saltykov-Shchedrin, Leskov etj. Kam menduar shumë se si revolucioni rus shkatërroji botën e shekullit të 19 dhe për dhunën që solli revolucioni. Nga erdhi ky makth dhe shkatërrim dhe kjo dëshirë shkatërrimtare? A i kishte rrënjët në shekullin XIX? Romani rus është një ndër institucionet letrare të asaj kohe dhe mendimi është që literatura e asaj kohe s’merret fare me politikë.

Kjo është e vërtetë nga njëra anë, po ndërkohë ka një lëvizje revolucionare në Rusi, e cila jeton në paralelizëm me romanin. Ka lloj-lloj figurash, nihilistët, anarkistët, populistët rusë, të cilët përshkruhen në romanin rus. Si na tregon Turgenjevi në “Bij dhe eter” nëpërmjet Bazarovit, nihilistët donin ta shkatërronin botën e shekullit XIX dhe në eshtrat e saj të krijonin jetë të re. Në librin tim unë them që romani rus, që nga vitet 1870 e deri 1900, e reflekton këtë dëshirë për shkatërrim po ashtu, nëpërmjet një stili letrar, groteskut. Grotesku e robotizon botën, ia heq shpirtin, i kthen njerëzit në kafshë ose robotë, si Olimpia e Hoffmann-it. Bota dhe njerëzit e romanit rus të fundit të shekullit janë kaq të përçudnuar saqë ne fillojmë si lexues ta pranojmë dhe ta kuptojmë shkatërrimin që vjen. P.sh. romani i fundit realist rus, “Ringjallja e Tolstoy”-t, e tregon botën cariste ruse të fundit të shekullit komplet pa vlera dhe një sistem abuziv ndaj individit.

Çfarë solli romani rus i shekullit XIX, cilat janë ndikimet e tij jo vetëm në letërsi, por në shoqëri e zhvillimet politike?

Unë mendoj se mënyra në të cilën romani rus e trajton krizën ekzistenciale njerëzore, d.m.th. deri sa ka vdekje çfarë kuptimi ka jeta dhe na duhet besimi që të mund të vazhdojmë, do të ketë gjithmonë vlera për botën bashkëkohore. Po ashtu, romani rus i ideve, si p.sh. “Djajtë” ose “Vëllezërit Karamazov” te Dostoevsky-it, trajton luftën midis njeriut dhe ideologjisë që ka shumë vlera tani. P.sh. shoqëria amerikane është shumë e ndarë sipas ideologjisë. Unë kam shkruar një ese për Dostoevsky-in dhe se si idetë e tij kanë vlerë tani, e duken aktuale me zgjedhjen e Donald Trump-it President.

Një figurë interesante e letërsisë ruse është pa dyshim Tolstoy. Ju jeni marrë me studimin e figurës së tij, e po shkruani një libër mbi erosin në jetën e tij…

Idetë e Tolstoy-t për seksin dhe gjininë janë të pastudiuara ende nga kritika. Në “Kreutzer Sonata” ai vendos që nuk duhet të ketë me seks e kjo shihet si një urrejtje e tij ndaj femrave. Unë analizoj idetë e tij mbi seksin dhe shoh si ndërlidhen këto ide me artin, se si ai në fillim të jetës së tij letrare e ka shumë problem të shkruajë për lidhje romantike dhe si fillon e zhvillohet më tej kjo pikëpamje në letërsinë e tij. Gjithnjë te Tolstoy kemi një luftë midis idesë që subjekti njerëzor është thjesht një shpirt pa trup e pa gjini dhe idesë që jemi thjesht mashkull ose femër.

Filozofi Arthur Schopenhauer ka pasur influencë tek ai dhe mendoj se idetë e tij pesimiste e ndikojnë shumë Tolstoy-in, po ai dhe ngre krye dhe e adapton Schopenhauer-in. D.m.th., n.q.s. Schopenhauer i mendon femrat si qenie inferiore, Tolstoy mendon se seksi i shkatërron femrat e duhet ndaluar për këtë arsye. Në vitet e fundit, megjithëse vetë vazhdon të ketë marrëdhënie me të gjorën konteshë, ai mendon se seksi duhet ndaluar, sepse është një formë dhune. Unë i lidh idetë e tij me shumë teori për seksin dhe gjininë në Perëndim, si p.sh. filozofja Judith Butler, ose mendimtaret feministe Andrea Dworkin ose Catherine Mackinnon. Tani që në Amerikë ka filluar lëvizja #metoo, unë mendoj se idetë e Tolstoy-it për dhunën e seksit kanë vlerë të ripërtëritur. Sigurisht ideja që s’do të ketë më seks është absurde, po mendimi bazë, për dhunën, nga i lindin këto ide ka ende shumë vlerë. Kam shumë simpati për Tolstoy-in zevzek plak që vazhdon të luftojë me idetë dhe nuk ndalon krijimin.

Ju keni përkthyer në anglisht tri esetë e Kadaresë, një lloj reflektimi mbi shkrimtarët “e mëdhenj” të traditës letrare botërore: mbi Eskilin, të cilin ai e quan “humbës i madh”; mbi Danten, “e pashmangshëm”; dhe Shekspiri, “princin e vështirë”…

Do të doja të perifrazoja një tekst të kritikes Sean Guynes-Vishniac, për të dëgjuar më pas reflektimin tuaj mbi këto tri ese.

“Bota” e tri eseve të Kadaresë mbi “literaturën botërore” është një reflektim i “dramës së pamundur” të Shqipërisë në shkallën globale të historisë njerëzore, njëkohshëm dhe një vëzhgim i thellë, si madhështia e artit të madh.

Gjatë viteve, përveç familjes dhe miqve, këto kanë qenë një ndër të vetmet lidhje që kam mbajtur me Shqipërinë në emigracion. Unë i kam zbuluar shkrimet e Kadaresë në Amerikë shumë vite më parë, ku fillova të lexoj “Pallatin e ëndrrave” dhe “Urën me tri harqe”. Dhe sigurisht që si studiuese e letërsisë u befasova, që libra të tillë ishin të shkruara në shqip. Përgjatë një viti studiova dhe shkrova një artikull për “Pallatin e ëndrrave” duke hulumtuar një lloj surrealizmi artistik te kjo vepër, duke e lidhur me shkrimet e Andre Breton, me të cilin lufton makthin jetik të komunizmit.

Studiuesit e sociorealizmit të Bashkimit Sovjetik thonë se në atë vend ideologjia kishte raste që zinte vendin e jetës ose të ekonomisë. Në Shqipërinë komuniste, ku tre milionë njerëz të harruar e të izoluar nga bota përgatiteshin çdo ditë nëpër oborre e bankiere për sulme imagjinare të imperializmit anglo-amerikan, të cilët nuk do të ndodhnin kurrë, ka të njëjtin zëvendësim të jetës me ideologjinë absurde. Në këtë lloj realitetet nuk mund të ekzistojë realizëm si i Tolstoy-t, se e vërteta nuk ekziston më. Po “Pallati i ëndrrave” i Kadaresë, si roman modernist ka shansin të na tregojë të vërtetën e një bote të tillë, dhe jo nëpërmjet realizmit, po pikërisht nëpërmjet ëndrrës dhe letërsisë. Surrealizmi i Tabir Saraj-i i Kadaresë, që krijon një botë ku njerëzit mund të zhduken thjesht sepse doli ndonjë kumt në një ëndërr, e përshkruan botën absurde të komunizmit më mirë se çdo përshkrim tjetër.

Në esetë që kam përkthyer, Kadareja e lidh Shqipërinë dhe kulturën shqiptare me Perëndimin. Ai i krijon këto lidhje edhe pa pasur botë letrare bashkëkohore në shqip në nivelin e Shakespeare-it. Ai lidh tragjedinë shekspirane me tragjedinë a gjakmarrjes shqiptare. Në parathënien e librit e kam përshkruar Kadarenë si një autor i vetmuar në botën e tij letrare, dhe me duket e kuptueshme që ka gjetur lidhje letrare si me Shakespeare-in, si me Eskilin, si me Danten. Tek “Ura me tri harqe”, bota shqiptare e mesjetës është pjesë e Europës, dhe Kadare krijon të njëjtat lidhje në esetë e tij. Në një mënyrë shkruan një histori të botës, në të cilën Shqipëria ka vend më sinjifikant sesa ai që i ishte dhënë në librat standard të historisë./Gazeta Liberale

(Visited 137 times, 1 visits today)

Etiketa: , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *