Sociale

Anatomia e një krize financiare

Shkruar nga Liberale

Kolana UETPress - 15 vjet

Titulli: Anatomia e një krize financiare

Autor: Adrian Civici

Përse një libër dedikuar “Anatomisë së krizës financiare globale të viteve 2008 - 2018”? Mbi të gjitha për të kuptuar më mirë botën e parasë dhe financave, e cila, me përjashtim të një pjese të rëndësishme të specialistëve të kësaj fushe, për shumicën e njerëzve përbën shpesh një mister diabolik, një subjekt të vështirë për t’u kuptuar e interpretuar.

Përse kriza u shfaq si një ndeshje ndërmjet “Ariut që në simbolikën e Wall Street-it simbolizon pesimizmin dhe frikën e tregjeve financiare përballë krizave dhe Demit që simbolizon optimizmin dhe dëshirën për risk në emër të fitimeve më të mëdha”?

Ndërkohë që jeta jonë e përditshme, dëshirat dhe ëndrrat për mirëqenie e zhvillim, politikat e qeverisë, diskutimet dhe debatet e politikanëve, zhgënjimet dhe dëshpërimet etj., janë të lidhura ngushtë e pazgjidhshmërisht me paranë dhe financat.

Një krizë financiare, pavarësisht nga përmasat e saj kombëtare apo ndërkombëtare, e prek rëndë individin, shoqërinë, ekonominë dhe shtetin. Përballë saj, pothuajse të gjithë ndihen të çarmatosur dhe të pafuqishëm, ndërkohë që krizat financiare të llojeve dhe formave të ndryshme duket se janë bashkudhëtare të rregullta të kapitalizmit. Fatalitet apo realitet që duhet të përballemi vazhdimisht? Në etimologjinë e saj, fjala krizë nënkupton “shfaqjen e rrezikut”, por njëkohësisht dhe “oportunitet e vendimmarrje”.

Krizat duhen kuptuar, zbërthyer e interpretuar në mënyrë sa më të plotë e të kuptueshme. Duhet të kuptohen e analizohen shkaqet dhe faktorët që prodhojnë kriza financiare e monetare. Duhet të kuptohen efektet e tyre, të dukshme e të padukshme. Duhet të analizohen politikat e masat më eficiente për përballimin e tyre. Duhen identifikuar qartë aktorët dhe institucionet kryesore që menaxhojnë krizat financiare. Duhet të përgatiten strategjitë dhe instrumentet për eliminimin e tyre në të ardhmen.

Krizat financiare kanë më se katër shekuj që shfaqen rregullisht, që nga “tulipanomania holandeze” e vitit 1637 e deri te “kriza e subprimes” e vitit 2007 - 2008. Bota është përballur me mbi 40 kriza financiare në katër shekujt e fundit, një pjesë e tyre me përmasa globale dhe me efekte shkatërruese të jashtëzakonshme. Ja pyetjet më të zakonshme që vazhdojnë të bëhen vazhdimisht: Cili është fajtori? Përse është pothuajse e pamundur të parashikohet një krizë financiare? Janë të paaftë ekonomistët, financierët apo politikanët? Është faji i kapitalizmit liberal dhe politikave derregulluese? Çfarë interesash e lobesh fshihen mbrapa krizave financiare?

A ka mundur shkenca ekonomike të ndërtojë një teori të qartë dhe të strukturuar që shpjegon krizat financiare, shkaqet, përgjegjësitë, efektet, dinamikat e trajektoret e tyre, politikat më eficiente për përballimin e tyre, rolin e tregut, shtetit dhe institucioneve të ndryshme në raport me krizat? Përgjigjja është e paqartë dhe mjaft e nuancuar: PO edhe JO!

Ekonomistët dhe ekspertët e tregjeve financiare vazhdojnë të jenë të ndarë në rryma, shkolla e korrente të ndryshme, shpesh në kontradiktë të plotë me njëra-tjetrën, kur është fjala për shkaqet e krizave dhe politikave ekonomike e financiare për përballimin e tyre. Ekonomistët liberalë përballë marksistëve dhe neomarksistëve, neoklasikët përballë kejnesianistëve, institucionalistët përballë rregullacionistëve etj. Mozaiku i analizave dhe shpjegimeve është mjaft i larmishëm.

Ndërkohë, çdo krizë ka “shtratin, kohën dhe kontekstin historik të saj”. Në asnjë nga krizat kryesore financiare bota, ekonomia, financat, tregtia, zhvillimi, paradigmat teorike e ideologjike, shkenca dhe teknologjia, objektivat dhe dëshirat etj., nuk kanë qenë asnjëherë të njëjta. Nga kjo pikëpamje, krizat financiare u ngjajnë brezave njerëzorë që zëvendësojnë njëri-tjetrin në kohë të ndryshme. Ato kanë shumë gjëra të përbashkëta, por kanë dhe specifika që mbajnë vulën e kohës, vendit dhe evolucionit të ideve e teorive dominuese. Analiza historike na ndihmon për kuptimin dhe shpjegimin e “elementeve të përbashkëta”, por nuk na shpjegon gjithçka. Çdo krizë ka “lindjen, jetën, trupin, veprimet dhe mendimet e saj”.

Në këtë kontekst, ky libër tenton të tregojë e analizojë krizën financiare më të fundit me të cilën u përball bota, krizën e shpërthyer në SHBA në vitet 2007 - 2008, por që shpejt u shndërrua në një krizë financiare, ekonomike e sociale globale, duke prekur shumicën dërrmuese të vendeve të botës. Çfarë ishte kjo krizë në thelbin e saj? Si u formua dhe si plasi flluska financiare e kredive subprimes në SHBA? Përse u përhap në Europë, Azi, Amerikën Latine e Afrikë? Çfarë pasojash negative të cilësuara “të tmerrshme e shkatërrimtare” shkaktoi? Cilët ishin fajtorët dhe çfarë roli luajtën ekonomistët? Në këtë libër, krahas kronologjisë dhe evidentimit të evolucionit të ngjarjeve që shoqëruan krizën, synohet të analizohen e shpjegohen më në detaje politikat kryesore të organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë si FMN, Banka Botërore, FED, Banka Qendrore Europiane, G8 dhe G20, OBT, BERZH, OCDE etj.; detajet specifike të krizave në një sërë vendesh si Irlanda, Islanda, Greqia, Qipro, Spanja, Portugalia, SHBA-ja, Japonia, Italia, etj.; politikat kryesore të bankave qendrore më të mëdha të botës si FED, BQE, Banka e Anglisë, Banka e Japonisë etj.; problemet e pastrimit të parave dhe mashtrimeve bankare; lufta e monedhave; frika ndaj inflacionit dhe deflacionit; parashikimet për të ardhmen dhe mundësitë e një krize tjetër në horizont etj.

“Anatomia e krizës financiare globale” e shekullit XXI ndihmon në kuptimin më të saktë dhe brenda kontekstit të sjelljes e vendimeve më të rëndësishme të politikave monetare, institucioneve rregullatore e mbikëqyrëse, politikave ekonomike e financiare, raportet e forcave dhe interesave në tregjet financiare e monetare, efektet e globalizimit dhe pasojat e tij, sjelljen e bankave, reagimin e depozituesve dhe konsumatorëve, fuqinë dhe dobësitë e ekonomistëve përballë saj, përpjekjet për ristrukturimin dhe modernizimin e sistemit bankar, sjelljen e euros, dollarit, paundit, jenit etj.

Besoj se, në mënyrë modeste, ky libër do të shërbejë për të plotësuar e qartësuar informacionin dhe njohuritë për një numër lexuesish të interesuar për problemet dhe fenomenet që lidhen me paratë, bankat, rolin e bankave qendrore, inflacionin dhe deflacionin, kursin e këmbimit, rreziqet dhe mashtrimet financiare, pastrimin e parave, mekanizmin e kreditimit dhe investimeve, funksionimin e bursave dhe tregjeve të aksioneve e obligacioneve, borxhin publik dhe deficitet buxhetore, mekanizmat e forcimit apo zhvlerësimit të lekut, euros apo dollarit, rolin dhe masat e Bankës së Shqipërisë në përballimin e krizës etj.

Një pjesë e analizave dhe komenteve në lidhje me krizën dhe evolucionin e saj janë trajtuar në vazhdimësi gjatë viteve të fundit në revistën Bankieri, botim i Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe në gazetat Panorama e MAPO.

Një falënderim të veçantë për kolegët e UET për diskutimet dhe sugjerimet e vlefshme që më ndihmuan në përmirësimin e vazhdueshëm të tij, për bankën “Société Générale Albania” që financoi botimin e librit dhe shtëpinë botuese UET Press që mundësoi botimin, për Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe revistën Bankieri për mundësinë e trajtimit të specializuar të disa prej çështjeve të rëndësishme të përfshira në këtë libër.

***

“Mekanizmat” e krizës financiare

Nga “subprimes” tek impakti në ekonominë reale

Termi “krizë financiare” është një koncept i gjerë që përfshin brenda tij krizat bankare, tregjet financiare dhe bursat. Kriza mund të materializohet në një situatë ku bankat janë në mungesë likuiditeti dhe aftësie paguese me depozituesit dhe klientët e tyre, apo në situata shpërthimi të flluskave spekulative dhe krizës së besimit.

Kriza financiare e shpërthyer në vitet 2007 - 2008 ishte shumë e rëndë e thellë, duke i kombinuar të dy këto elemente. Kjo krizë financiare, ekonomike e sociale u zhvillua në disa faza. Së pari preku tregjet monetare e financiare, pastaj sistemin bankar në nivel ndërkombëtar, për të vazhduar më tej si një krizë e ekonomisë reale dhe krizë sociale.

Nëse mendohet se krizat janë pjesë integrale e kapitalizmit duke u shfaqur rregullisht në mënyrë ciklike, mund të arrihet në konkluzionin se ato janë të afta të absorbohen nga sistemi dhe të zhduken vetvetiu. Ky është parimi bazë i liberalizmit ekonomik, politikë e zbatuar gjerësisht në shumë vende të botës, veçanërisht në ato më të zhvilluara, të cilat privilegjonin konceptin e “autorregullimit të tregjeve”.

Shembulli i FED dhe guvernatorit më jetëgjatë të saj, Alaan Greenspan, në SHBA është më evidenti. Por shumë fakte e analiza po dëshmojnë se ky model apo arsyetim dëshmoi për një sërë kufizimesh e problemesh që nuk e konfirmojnë besimin e verbër tek “autorregullimi i tregjeve”. Polemikat dhe debatet në lidhje me këtë çështje janë të shumta.

Shpërthimi i krizës financiare e bankare në 2007-n, riktheu dhe njëherë në vëmendjen e amerikanëve citimin e famshëm të Thomas Jefferson, autorit kryesor të Deklaratës së Pavarësisë dhe Presidentit të tretë të SHBA (1801 - 1809): “Unë mendoj se, kur është fjala për lirinë dhe demokracinë, institucionet bankare janë më të rrezikshme se të gjitha llojet e armëve të përdorura në luftë. Nëse populli amerikan do të lejojë një ditë që bankat private të kontrollojnë paratë e tij, bankat dhe të gjitha llojet e institucioneve të tjera që lulëzojnë rrotull tyre, do t’i privojnë njerëzit nga zotërimi i parave, së pari nëpërmjet inflacionit, pastaj nëpërmjet recesionit, deri në ditën kur fëmijët e tyre të zgjohen pa çati mbi kokë në tokën që zotëronin prindërit e tyre”.

Në vitin 2008, askush nuk mund ta mendonte se autori i Kushtetutës amerikane kishte qenë kaq vizionar për origjinën e krizës financiare aktuale në SHBA.

***

Mekanizmat financiarë - origjina e krizës

Shumë ekonomistë mendojnë se origjina e krizës është viti 2005, kur FED rriti normat e interesit, data e shfaqjes së simptomave të para të krizës financiare është muaji mars i vitit 2007, kur filloi për herë të parë tronditja e tregjeve monetare e financiare, ndërsa në mënyrë të hapur për “krizë” u fol në korrik 2007 me shfaqjen e subprime mortgage crisis.

Si “datë zyrtare” e shpërthimit të krizës konsiderohet vjeshta e vitit 2008, e shoqëruar me rritjen e krizës së likuiditetit, krizën e besimit në sistemin monetar e bankar, tronditjen e rëndë të bursave, pasojave të rënda në ekonominë reale etj.

Instrumentet dhe mekanizmat shkaktarë të krizës janë të shumtë, duke filluar me të famshmen “krizë të subprimes”, kredive hipotekore me risk të lartë që çuan në shembjen e tregut të pasurive të patundshme në SHBA. Por mekanizmat përgjegjës dhe fazat e zhvillimit të krizës janë më të shumta. Të përpiqemi të shpjegojmë ndikimet e disa prej tyre.

“Subprimes” janë kredi pasurish të patundshme, kryesisht banesa, me interesa të larta, por lehtësisht të aksesueshme nga individë apo familje me të ardhura modeste.

Nga pikëpamja formale, “subprimes” dukeshin kredi të garantuara dhe pa asnjë problem për bankat, sepse kur kreditorët nuk shlyenin dot kredinë, banka pronësonte menjëherë banesën, ndërkohë që në tregun imobiliar çmimet e pasurive të patundshme rriteshin vazhdimisht, me gjithë brishtësinë e klientëve kredimarrës.

Ky lloj krediti pati një ekspansion dhe sukses të madh në vitin 2006 duke zënë rreth 25% të gjithë kredisë së re imobiliare. Në këtë periudhë, borxhi i familjeve amerikane kundrejt bankave ishte disa herë më i lartë se ai i familjeve europiane.

Gjithçka dukej se shkonte shumë mirë deri në fillim të vitit 2007, por gjatë muajve të verës të këtij viti, rritja e normës bazë të interesit për dollarin nga ana e FED, çoi në rritjen e përqindjeve të interesit për këto lloj kredish, duke bërë që një numër shumë i madh familjesh apo individësh të mos kishin mundësi t’i paguanin ato.

Nga ana tjetër, ulja e kërkesës në tregun imobiliar amerikan shkaktoi një rënie të ndjeshme të çmimit të banesave. Numri i individëve apo familjeve që nuk mund të paguanin dot kreditë u rrit shumë, ndërkohë që bankat u gjendën pronare të një numri të madh banesash të lëna si kolateral, në pamundësi për t’i shitur, aq më tepër në kushtet e çmimeve në rënie të vazhdueshme.

Kjo situatë e rëndoi akoma më shumë krizën e pasurive të patundshme dhe tregut imobiliar. Agjencitë e kreditit (SIV) humbën shuma të mëdha, duke u gjendur në krizë likuiditeti, duke shkuar drejt falimentimit.

I gjithë sistemi kishte funksionuar falë dy elementeve: rritja e çmimeve të banesave në kushtet e një tregu imobiliar në zgjerim dhe normat e ulëta të interesit. Por, në periudha afatgjata një mekanizëm i tillë është i pamundur të funksionojë, duke provokuar një krizë të fortë.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH