Megjithëse Berisha lajmëroi protestë të radhës, ndërsa pak kohë më parë pohoi se do t’i kthehet parlamentit, Basha tha se ish-kryeministri e ish-kryetari, firmosi me ngjarjen e 8 janarit largimin nga politika jo vetëm nga Partia Demokratike
Mund të cilësohej ngjarje e njohur për protestuesit opozitarë, nëse godina e mësyrë nuk do të qe pikërisht selia e Partisë Demokratike.
E paralajmëruar në fund të vitit të shkuar nga Sali Berisha si një ultimatum ndaj kryedemokratit Basha, përpjekja e djeshme për të marrë në kontroll Selinë Blu i ngjante një grotesku.
Beteja e ish-liderit dhe një prej themeluesve të partisë së parë opozitare për ta kthyer atë në vlerat e themelimit, i kapërceu deklaratat, mjetet e ashtuquajtura demokratike me thirrjen e Kuvendit, ndryshimin e statutit apo referendumin ndër demokratë për të zbritur në terren.
Përpjekjet e para qenë ato fill pas Kuvendit të thirrur nga Berisha më 18 dhjetor, ku e zhvilloi të parën konferencë për mediat të Komisionit të Rithemelimit nga selia e Partisë Demokratike.
I shoqëruar nga një grup mbështetësish, dje, Berisha lajmëroi se kjo qe vetëm faqja e parë e atij që ai e cilëson si revolucion.
Revolucion që dje pati formën e varreve, gurëve, shkopinjve e gazit lotsjellës të demokratëve ndaj demokratëve.
Për të treguar se lëvizja e Berishës është e papërfillshme dhe përpjekjet e tij janë – siç i ka cilësuar ai tubime të jashtëligjshme anti-amerikane- kryetari Basha u ngjit sot si gjithë ditët e tjera në zyrën e tij e madje thirri edhe një mbledhje me kryetarët e degëve.
Kryedemokrati ka mohuar të ketë krizë brenda PD-së, ndërsa në Kuvendin e 18 dhjetorit u bëri ftesë demokratëve të shihnin kah e ardhmja.
Me një barrë përgjegjësie dhe më një mea-culpa (megjithëse i dinstancuar qartë si nga trekëndëshi i Bermudës etiketuar prej tij dhe prej të korruptuarve brenda PD dhe në qeverisjen e shkuar), Lulzim Basha prej muaj rreket të bëjë një katharsis brenda bluve.
Megjithatë, e djeshmja qe një formë e drejtpërdrejtë rezistence e tij dhe deputetëve të rreshtuar krah tij në betejën e brendshme në selinë, ku blindimi i pretenduar nga njëra palë u argumentua si mbyllje e përkohshme për shkak të punimeve, nga pala tjetër.
Ndonëse mbështetës të të dy kaheve flisnin për godinën e Partisë Demokratike duke iu referuar si shtëpia e tyre, pas përfundimeve të kuvendeve përkatëse tabloja nuk mund të jetë më ajo e para 9 shtatorit.
Në Kuvendin e thirrur nga Berisha pati ndryshime të statutit dhe votim për shkarkim të Lulzim Bashës, i rikonfirmuar vetëm pak muaj më parë në krye të demokratëve. Në atë të thirrur nga kryetari, i cilësuar edhe si i vetmi i vërtetë e më pas në mbledhjen e Kryesisë, u votua për shkarkimin e Berishës nga detyrat partiake. Ndërsa ndryshimet statutore të të dy palëve janë pranuar nga Gjykata e Tiranës, Sali Berisha nuk pret as rrugën e as zgjidhjen institucionale.
Edhe dje, ai e cilësoi Bashën si pengun e kryeministrit, ndërsa barazoi qeverinë me opozitën. “Narkoqeveria dhe narko-opozita janë e njëjta gjë”, deklaroi Berisha, duke pretenduar se ajo e formuar prej tij ishte e vërteta.
Pas shifrave prej më shumë se katër mijë delegatësh e mijëra pjesëmarrësish në Kuvend e dhjetëra mijëra votuesish të referendumit për shkarkimin e Bashës, ata pas Berishës në oborrin e Partisë Demokratike nuk qenë aq domethënës në terma shifrash. E megjithatë, aq domethënëse sa për të shënjuar të parën betejë të demokratëve mes demokratëve, ku porta hyrëse e selisë i ngjante një gërmadhe dhe të lënduarit nga kjo protestë, ishin dështimi për ta mbajtur atë në terma paqësorë.
Ndonëse Berisha fajësoi policinë e shtetit, efektivët e Reneas e të FNSH që ndërhynë në vend, u shpreh se, “Selia është uzurpuar nga shteti, ajo nuk është shtëpi e Edi Ramës. Ne jemi kundër dhunës, ne nuk përdorëm dhunë. Ne u dhunuam nga të gjitha anët”.
Berisha e cilësoi si plan të përgatitur prej ditësh, por po ashtu edhe Basha iu kundërpërgjigj si një plan për vëllavrasje mes demokratësh. Megjithëse, e quajti ditë tragjike, Basha tha se demokratët e braktisën Berishën, ndërsa ky i fundit tregoi fytyrën e tij.
Vula e trashëgimisë së zezë të ish-kryeministrit, tha Basha, ishte 8 janari, ndërsa sipas tij demokratët u shkëputën prej saj. Mbështetësit e Berishës i cilësoi si mish për top.
Disa orë pasi efektivët e Policisë dhe prokurorët morën në dorë si një skenë krimi godinën e Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shfaq në një konferencë për mediat me një ton që dukej se përpiqej të ndante njëherë e mirë të shkuarën e PD-së nga e tashmja.
Muajt e fundit ai e ka quajtur Berishën si një mbetje bolshevike, ndërsa PD madje u zotua për ndërmarrjen e një nisme ligjore që pritet të lërë jashtë Kuvendit, këdo që ka qenë i angazhuar në regjimin komunist. Kjo erdhi pas fotografive ku Berisha shfaqej krah diktatorit Hoxha, në vilën e tij.
Policia e Shtetit u akuzua edhe nga kryetari Basha, ku sipas tij për një orë e gjysmë ajo veproi kundër ligjit dhe Kushtetutës. Megjithatë zyrtarët e Policisë së Shtetit deklaruan se kishin marrë një telefonatë nga vetë zoti Basha për sulmin në godinë.
Ngjashëm me Berishën, ai e barazoi këtë të fundit me kryeministrin Rama, që siç e ka deklaruar ai mbetet i vetmi armik i PD-së dhe kryetarit Basha.
Nga ana e tij, kryeministri- i cili nuk i ka shpëtuar komenteve për betejën mes Bashës dhe Berishës edhe më herët, zgjodhi një shprehje të yllit hollivudian të filmave Ëestern, John Ëayne.
“Jeta është e vështirë, por budallenjtë e vështirësojnë atë edhe më shumë”, shkruante kryeministri Rama.
Ngjarja e djeshme u komentua gjithashtu nga selitë diplomatike. Ata që nxisin dhunën ose minojnë sundimin e ligjit do të mbahen përgjegjës”, shkruante ambasadorja Kim, duke u bërë thirrje organizatorëve të protestës që të refuzojnë dhunën dhe të ushtrojnë qetësi. Gjithashtu, diplomatja amerikane tha se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara me rritjen e tensioneve në ndërtesën e selisë së Partisë Demokratike dhe përdorimin e forcës nga protestuesit.
Edhe delegacioni i BE në Tiranë i dënoi aktet e dhunës, ndërsa theksoi se Bashkimi Europian ka nevojë për një opozitë solide që kontribuon në agjendën e reformave të vendit.
Berisha lajmëroi se do të ketë të tjera protesta, ndërsa para se të largohej nga godina e dëmtuar, u bëri thirrje demokratëve t’i bashkoheshin betejës së tij.
Betejë që Basha e sheh krejt për interesa personale, pasi Berisha u shpall “non grata” për korrupsion dhe minim të demokracisë.
Në konferencën për mediat, të cilën Berisha e thirri në të njëjtën kohë me atë të Bashës, ai tha se fitoi jo pak. “Kjo protestë hyn në histori si protesta që ndau opozitën e vërtetë nga pseudoopozita”- u shpreh Berisha.
Basha ngulmoi se agresorët e godinës ishin organizata kriminale e Berishës dhe Edi Ramës.
“Nuk do i imponohen shqiptarëve. Le të vazhdojnë janë nën vëzhgimin tonë, të partnerëve e një drejtësie që sot është në kontroll politik pak nga pak do nisë të bëjë detyrë.Do vijë dita që si kolegët e tyre ne Bosnje e Serbi t’ju ngrihen asetet, e të japin llogari”, tha kryedemokrati.
Basha e cilësoi Berishën si kancerin brenda PD-së.
“Nga selia e PD doli vetëm arkivoli politik i Sali Berishës”, deklaroi Basha, ndërsa rezultati i djeshëm ishte një godinë e shkatërruar dhe 25 persona të shoqëruar nga Policia.
Megjithëse Berisha lajmëroi protestë të radhës, ndërsa pak kohë më parë pohoi se do t’i kthehet parlamentit, Basha tha se ish-kryeministri e ish-kryetari, firmosi me ngjarjen e 8 janarit largimin nga politika jo vetëm nga Partia Demokratike.