Preç Zogaj
Në KQZ janë paraqitur dy kërkesa për regjistrimin e anëtarëve demokratë të KZAZ-ve: njëra me firmën dhe vulën e vjetër të pjesës zyrtare të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, tjetra me firmën dhe vulën e Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha.
Cilën kërkesë do regjistrojë KQZ-ja, ndërkohë që çështja e përkatësisë së logos së PD-së pret prej muajsh në Gjykatën e Apelit në Tiranë?
Duke vazhduar të mos shprehet, Gjykata e Apelit e ka lënë konfliktin të përplaset pa zgjidhje me zgjedhjet dhe t’u mbetet në dorë si patate përvëluese zyrtarëve të KQZ-së. Këta patjetër që do të duhet të marrin një vendim: cilën prej dy listave të regjistrojnë. Pavarësisht se kur pyeten tani, sa pa ardhur momenti final, shmangin të japin një përgjigje të prerë. Siç bëri pak ditë më parë në një prononcim për mediat Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi. Afërmendsh, vendimi në fjalë nuk mund të nxirret nga xhepi. Ai do të merret nga institucioni në respekt të plotë të një procedure të rregullt e transparente.
Në media u bënë shumë tituj e komente rreth fjalëve të Celibashit. Spikaste paralajmërimi shokues se PD mund të mos regjistrohet fare në zgjedhjet vendore të 14 majit! Pra, nga bojkoti i saj i vullnetshëm në zgjedhjet e vitit 2019, te mosregjistrimi në vitin 2023 me “arsyetimin” se është ngatërruar me këmbët e veta! Sërish pa pushtet e pa përfaqësim në pushtetin vendor.
E lexova më vëmendje prononcimin e zotit Celibashi, në të cilin reflektonte shqetësimin e tij për lënien pa zgjidhje ligjore të konfliktit në PD, duke ia lënë barrën KQZ-së. Përtej frazave të rrumbullakosura që përdoren rëndom kur flitet për çështje shumë të ndjeshme, nuk pashë as në tekst, as në nëntekst se KQZ mund të ngrejë duart lart e të mos regjistrojë asnjë grupim të PD-së. Një PD do të regjistrohet. Nëse i mbetet KQZ-së , “do vendoset siç e ka parashikuar ligji”, theksonte Celibashi, duke nënkuptuar regjistrimin e PD-së së drejtuar nga Alibeaj. Përndryshe s’do të kishte fare prononcim. Ndërkaq, duke pasur parasysh PD-në e Rithemeluar të Berishës, kryekomisioneri ngrinte zërin se nuk mund të bëjmë sikur s’do ndodhë asgjë “nëse partia kryesore e opozitës mund të mos regjistrohet fare në zgjedhje ose të regjistrohet jo sipas parashikimeve të dikujt apo dikujt tjetër”, domethënë me një sigël tjetër. Pavarësisht se nuk citohen me emër, shqetësimi i tij i shoqëruar me një thirrje për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës, u adresohet Gjykatës së Apelit, Organeve të Drejtësisë, faktorëve politikë vendas e ndërkombëtarë gjithashtu.
Thirrjet drejtuar Gjykatës së Apelit, ngado që vinë, janë të drejta. Dihet se në çdo konflikt gjyqësor, secila pale nuk ka dyshimin me të vogël se e drejta është në krahun e saj. Njerëzit e medias dhe analizës gjithashtu kanë mendime të ndryshme. Duke shkruar për konfliktin e dy PD-ve, unë për shembull, kam shprehur pikëpamjen se Gjykata nuk numëron votues, por shqyrton përputhshmërinë e një akti të caktuar, në rastin konkret të Kuvendit të Rithemelimit të 11 dhjetorit 2021, me Statutin në fuqi të PD-së. E drejta nuk është kategori sasiore. Nuk është me berihaj. E drejta mund të jetë edhe e një njeriu të vetëm kundrejt mijëra të tjerëve përballë. Njerëzit e Rithemelimit nga ana tjetër kanë argumentet e tyre. Gjykata ka peshoren e drejtësisë. Gjykata nuk mund të ngrijë, nuk mund të shtangë, nuk mund të shohë papushim topin, nuk mund të lëshohet në rrjedhën e ngjarjeve që prodhojnë palët në konflikt për ta sugjestionuar, trembur, kërcënuar, e tjerë e tjerë.
Zvarritja kaq gjatë e një vendimi përfundimtar për legjitimitetin e logos së PD-së, nëpërmjet një zinxhiri të gjatë bishtnimesh që prodhojnë dështimin e seancave, është pasqyra e një drejtësie që në mjaft fragmente të saj ka mbetur e kapur, e strukur, e sëmurë, në krizë identiteti, duke mos reflektuar asgjë nga legjislacioni i ri apo edhe nga shembujt e mirë që ka nxjerrë në pah drejtësia e re…
Është e pakuptueshme se si mund të dështohen kaq kollaj seancat gjyqësore njëra pas tjetrës, si mund të shtyhet në kalendra dhënia e një vendimi me rëndësi të veçantë për pluralizmin dhe jetën politike e publike në vend dhe askush nuk përgjigjet. Cili është qëndrimi i KLGJ-së ndaj asaj që ndodh në Gjykatën e Apelit me çështjen për të cilën po flasim? A ka thyerje të afateve? A ka shmangie nga detyra? Çfarë masash janë marrë? Se kështu, njëherë mungon një gjyqtar, pastaj një avokat dhe pastaj përsëri një gjyqtar, i bie që të mos ketë vendim kurrë!
Gjykata e Apelit do të duhet të shprehet para afatit të regjistrimit të partive në zgjedhje. Palët do të duhen të pranojnë vendimin. Kush është PD të vazhdojë, kush do t’i bashkohet t’i bashkohet, kush nuk do, le të krijojë sigël të re a të bëjë ç’të dojë. E pamendueshme në këtë histori është mosregjistrimi i PD-së./Liberale.al/