Analizë

ANALIZË nga Preç Zogaj: Një propozim absurd për Berishën dhe nga Berisha

Shkruar nga Liberale
ANALIZË nga Preç Zogaj: Një propozim absurd për

Preç Zogaj

Propozimi është ai që i kërkon Berishës të vazhdojë  të udhëheqë formacionin e tij politik të  Rithemelimit të PD-së, por duke dalë me një kandidat tjetër për kryeministër.

Ka disa javë që  ka qarkulluar, fillimisht brenda vetë radhëve të Rithemelimit, kryesisht nën zë, nga  deputetë  dhe ish kandidatë për kryetarë bashkish të cilët humbën në zgjedhjet e 14 majit. Pastaj nga disa deputetë që nuk i janë bashkuar Foltores, por s’para kanë qenë entuziastë apo kanë ardhur duke u ftohur me Partinë Demokratike zyrtare.

Në vetvete ky  propozim  shpreh frustrimin e shtuar brenda radhëve të Rithemelimit pas zgjedhjeve të 14 majit në të cilat u  vërtetua prognoza e qartë se Berisha do ti humbte thellë, siç i humbi. Jo vetëm për shkak të sanksionimit, por edhe sepse cikli i tij politik fitues është mbyllur. Në mungesë të kurajos politike për t’i kërkuar dorëheqjen, apo të frenuar nga marrëdhëniet personale me të, apo për arsye të tjera, por të vetëdijshëm se çfarë e pret Rithemelimin dhe opozitën në tërësi nëse nuk bëhen ndryshime të thella, disa deputetë realistë rreth Berishës kanë dashur e duan ti përcjellin atij  mesazhin e një mënjanimi a tërheqjeje të butë: Mbaj partinë, lër kryeministrin!

Ideja apo propozimi u ka ardhur përshtat deputetëve neutralë, të cilët janë prej kohësh hem në pritje, hëm në kërkim të një zhvillimi që do t’u lejonte bashkimin me pjesën e madhe të PD-së pa dilemat apo pengesat e llojllojshme të kalimit pa kushte të vijës ndarëse, që është sanksionimi amerikan i zotit Berisha. Në gjykimin e tyre, renoncimi publik  i këtij të fundit nga  konkurrimi për postin e kryeministrit me gjasë  do ta hiqte apo zbehte vijën ndarëse.

Të ëndërrosh është  mirë. Të shohësh ëndrra me sy hapur jo dhe aq. Ti kërkosh një politikani që udhëheq partinë të mbajë një tjetër përbri tij si kandidat për kryeministër, apo të premtojë se do t’ja lerë një tjetri karrigen e kryeministrit nëse i fiton zgjedhjet, është  absurde, infantile, ikje nga vullneti i shprehur i zgjedhësve, shkelje e këtij vullneti. Në sistemin e zgjedhjeve pluraliste, siç është edhe vendi ynë, kryetari i partisë që është alternativë e pushtetit konkurron automatikisht për postin e kryeministrit.  Ai paraqet një program, ai premton, ai merr përgjegjësinë, ai nënshkruan përmes votës marrëveshjen me zgjedhësit. Është tjetër gjë kur fragmentimi i spektrit politik apo lojërat e intrigat e pamundësojnë uljen  e tij në karrigen e kreut të qeverisë. Por edhe kur opozita apo pala fituese përbën një ansambël pluralist subjektesh, kryetari i partisë së madhe ka gjithnjë  tagrin të jetë kryeministër. E gjithë kjo është çështje e përgjegjësisë elementare, që zbatohet në çdo vend demokratik të  Europës. Shumë-shumë rrallë ndodh që ndonjë personazh i rrethanave autentike, siç është rasti i Pepe Grilos në Itali, themeluesi i lëvizjes së Pese Yjeve, të startojë një lëvizje politike dhe vetë të qëndrojë në rolin e një ajatollahu, pa u zgjedhur as deputet.  Edhe kjo për pak kohë, pasi sot lëvizjen  e Pesë Yjve e drejton me titull të plotë ish kryeministri Konte.

Berisha, me siguri, do të ketë nënqeshur me propozimin hibrid në fjalë. Nuk ka folur, duke e lënë të nënkuptohet qëndrimin e tij. Fitorja përmes një tjetri nuk i ka funksionuar në ditë të mira e jo më në ditë të  këqija si tani. Më mirë  drejt e drejt: ose më votoni t’ju qeveris, ose më duroni, këtu do më keni sa të jetë shkruar. Por ditët e fundit tha edhe Berisha fjalën e tij. Tha: “Nëse shqiptarët votojnë masivisht Sali Berishën për kryeministër, çdo demokrat do t’i nënshtrohet votës. Asnjeri nuk mund ta kundërshtojë votën masive për mua, ta zëmë”.  Pra pasi  të jetë shpallur fitues i zgjedhjeve kombëtare në krye të Rithemelimit apo si do të quhet formacioni i tij në vitin 2025, Sali Berisha premton se do të shkojë të votohet edhe nga anëtarësia e PD-së, a duhet  të jetë kryeministër apo jo! I bindur se asnjëri nuk mund ta kundërshtojë votën masive të elektoratit të gjerë. Sigurisht! Pse duhet ta kundërshtojë po të jepej vërtetë! Dhe pse duhen bërë këto zgjedhje të vogla pas zgjedhjeve të mëdha? Një nga mënyrat për të nxjerrë në pah absurditetin e një ideje është ta çosh në ekstrem, në sarkazëm.

I gjithë ky skeç në pikun e vapës së qershorit kishte për qëllim të “kapte” një pikë “të përbashkët” të Berishës me Gazmend  Bardhin i cili kishte deklaruar,  për kush e di të satën here, se nuk  bashkohem më Berishën nëse ai do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e vitit 2025. Bardhi, siç dihet është në mosmarrëveshje kohët e fundit me grupin e PD-së zyrtare për shkak të kundërshtive për  mënyrën e organizimit të zgjedhjeve në parti. Gjithnjë i vëmendshëm ndaj zhvillimeve në PD-në e vulës, siç e quan, Berisha i pret si ujët e pakët grindjet atje. Me këtë rast mendoi të prodhonte një lajm që shkonte në hullinë e diversionit dhe “hapjes” ndaj kujtdo që jep shenja se nuk shkon mirë apo mund të largohet nga grupi tjetër. Është një nga kartat e tij të njohura për të mbajtur radhët e veta. Ata po vijnë, ju nuk keni pse ikni! I ka funksionuar deri në 14 maj. Por nuk do ti funksionojë  më.

Në funksion të mbajtjes së radhëve edhe diskuri komik i fitores, a thua se gjithçka është në  vijë, fitorja është e sigurt, ka vetëm një problem:  ta mbajë vetë Berisha apo t’ja delegojë një tjetri postin e kryeministrit!  Por edhe për ketë do të  shprehen demokratët! Pas zgjedhjeve!  Pasi te jetë shprehur elektorati mbarë! O tempora, o mores.

Deputetët që propozojnë ndarjen e postit të kryetarit të partisë nga ai i kryeministrit i ka zënë halli. E dinë se me Berishën nuk fitohet. Por nuk ia thonë dot troç të largohet. I bien pragut të dëgjojë dera. Është një situatë e bllokuar, në zgjatjen e së cilës, ndodh ajo që interesi personal i secilit deputet a politikan opozitar fillon e eklipson interesin e madh.  Përtej fabulave a manovrimeve të vogla,  një gjë është e duhet të jetë e qartë për arkipelagun opozitar në këtë periudhë: Rithemelimi nuk fiton, pa Rithemelimin nuk fitohet. Këtu ka ngecur makineria e opozitës në tërësi. Jo fshehja pas  gishtit, por tërheqja e Berishës do të krijonte premisat për bashkim në një subjekt unik me zgjedhje të lira, të barabarta e demokratike. Asgjë tjetër. Në të kundërtën,  zgjidhja që mbetet është të pushojë lufta brenda llojit  dhe secili subjekt opozitar të punojë fort për tu rritur në vetvete.  Populli opozitar është shumicë në Shqipëri, por vota e tij nuk është e gjitha në kuti.

/Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH