Aktualitet

ANALIZË nga Preç Zogaj/ Çështja McGonigal: Rama në telashe, por Berisha nuk fiton asgjë për veten e tij

Shkruar nga Liberale
ANALIZË nga Preç Zogaj/ Çështja McGonigal: Rama në

Preç Zogaj

Në pjesën për Shqipërinë që për momentin duket më e kopsitura, përshkrimi i akuzës kundër ish-funksionarit të lartë të FBI-së amerikane, Charl McGonigal, e tregon kryeministrin Rama në rolin e një personazhi kryesor. Mediat e mëdha amerikane i kanë mëshuar këtij fakti. Kuptohet përse. Sigurisht, akuza në fjalë ka në fokus veprat e dyshuara penale të shtetasit amerikan. Për Ramën nuk ka asnjë akuzë penale. Nuk ka as për dy shqiptarët e tjerë të përfshirë, Nezën dhe Duçkën.

Për aq sa ka dalë në aktakuzë është normale që Prokuroria e Distriktit të Columbias nuk ka ngritur akuza ndaj Ramës, në këtë rast shtetas dhe kryeministër i një vendi tjetër që nuk është nën juridiksionin e SHBA-ve. Mungesa e një akuze penale paraqitet si një gjë e madhe nga Rama dhe të tijtë. Merret vesh se këtë e bëjnë pikësëpari për të zhvlerësuar sulmet e opozitës. Por edhe për të zhurmuar sa të jetë e mundur akuzat politike dhe opinionet negative në qarkullim rreth pjesëmarrjes dhe rolit të tij në aferë.

Por Rama është në telashe të mëdha. Përshkrimi i akuzës dhe shkrimet në mediat më të njohura amerikane e nxjerrin atë në një dritë të keqe, duke e ridizajnuar imazhin e tij. Ai dhe McGonigal janë peshkuar reciprokisht për interesa vetjake në një marrëdhënie okulte në raport me funksionin  e lartë publik të secilit: Kryeministri ynë për të siluruar kryetarin e Partisë Demokratike në opozitë, pa dalë vetë në skenë; ish zyrtari i FBI-së për të bërë para. Miqësia e Ramës me McGonigal rrotullohet rreth aferës së hetimit të lobistit të PD-së dhe Lulzim Bashës në SHBA, Nik Muzin. Për asgjë tjetër deri tani. Takimet e paraportuara nga ish zyrtari i FBI-së pohojnë fshehtësinë e aferës. Edhe kërkesa e Ramës për të hetuar rreth një lobimi të Partisë kundërshtare, domethënë PD-së, është informale. Nuk është zyrtare. Po të kishte qenë zyrtare do të kishte dalë i larë.

Fshehtësia i padit të dy: ish agjentin e FBI-së që e kishte detyrim ligjor raportimin e takimeve, kryeministrin Rama që ka hedhur gurin e fshehur dorën. Burimi i 225 mijë dollarëve që ka marrë McGonigal nga dëshmitari A (Agron Neza) dhe pagesat e udhëtimeve të dëshmitarëve nga Europa në Uashigton nga dëshmitari B (Doran Buçka) janë një kapitull më vete i aferës.

Ka qenë dhe është afërmendsh që të tria subjektet opozitare parlamentare ta shfrytëzonin këtë skandal për të kryqëzuar kryeministrin. Grupi Parlamentar i PD-së zyrtare ka kërkuar hetim të skandalit nga SPAK. PD e Rithemelimit të Berishës ka thirrur një protestë në datë 11 shkurt ku kërkon dorëheqjen e Ramës.

Të gjitha janë të drejta, të përligjura. Por duke hedhur shumë mish në zgarë, siç thotë një shprehje, pra duke bërë bashkë kërkesën për dorëheqjen e Ramës me premtimin e zëvendësimit me referendum të Reformës në Drejtësi, ndërkohë që SPAK ka ngritur stekën e hetimeve dhe akuzave për çështje shumë të ndjeshme, të vjetra dhe aktuale, siç është tragjedia e Gerdecit, apo skandali makrokorruptiv i incenerartorëve, gjasat janë që Berisha të bëjë me shumë zhurmë se sa të arrijë diçka konkrete.

Ai po përpiqet fort ta kalojë në kanalin “McGonigal”  edhe çeshtjen e tij të shpalljes “non gratta” për t’u lënë të kuptojnë ndjekësve se sanksionimin e tij nga Sekretari i Shtetit e kanë venë në lëvizje intriga dhe pazare të nivelit McGonigal-Rama-Neza-Duçka.

Është një paralele e sforcuar, e kërkuar, e gabuar.

Siç e tregon shumë qartë rasti në fjalë, mund të korruptohet një zyrtar i FBI-së, por nuk mund të korruptohet institucioni. Mund të korruptohet një diplomat, por nuk mund të korruptohet Departamenti i Shtetit. Është vetë FBI që ka zbuluar dhe paditur punonjësin e vet. McGonigal apo ndokush tjetër i ngjashëm me të në FBI mund të nisë një hetim apo goditje të porositur përkundrejt pagesës nën dorë. Aq më tepër një hetim kundër Nik Muzin, që do të kishte nisur gjithsesi edhe pa McGonigal, duke qenë se Muzin e kishte deklaruar ndërkohë në Departamentin e Drejtësisë marrjen katërqind mijë dollarëve, që sot e kësaj dite nuk u ka dalë zot kush. Por ky lloj funksionari i korruptuar nuk mund të shkojë larg. Nuk mund të prodhojë penalitete të shkallës së fundit. Ingranazhet e shtetit ku sundon ligji dhe pavarësia e institucioneve do ta ndalonin dhe ndëshkonin një ditë. Fakti që Lulzim Basha, personi që ka qenë në shënjestër të konspiracionit, nuk është ndaluar të shkojë në SHBA, siç është thënë disa herë nga Berisha në një anë dhe krerët e PS-së në anën tjetër, është një provë.

Sanksionimi “non grata”, siç e dimë tashmë, angazhon një numër të madh institucionesh, kalon në shumë filtra, piqet në disa nivele të vendimmarrjes se shtetit, nga një administratë në tjetrën, derisa vuloset nga Sekretari i Shtetit.

SHBA e kanë konstante marrëdhënien e bashkëpunimit të ngushtë me qeverinë e një vendi mik si Shqipëria. Pa i fshehur problemet e qeverisjes dhe demokracisë së saj. Sidomos pas skandalit “McGonigal” Rama nuk është për SHBA ai që ka qenë deri dje a pardje. Ai tani është problemi, zgjidhja e të cilit ngërthen një specifikë që nuk e kanë njohur rrotacionet e mëparshme të pushtetit. Kush vjen? Kush është alternativa?

Thënë këto, në rrafshin e marrëdhënieve me SHBA, Berisha nuk fiton asgjë për veten e tij nga afera “McGonigal”. Atij nuk i ka pjellë gjeli me Ramën. Ramës me të po./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH