Analizë

ANALIZË nga Preç Zogaj: Ambasada, Departamenti i Shtetit dhe Presidenti si subjekte të pandashme

Shkruar nga Liberale
ANALIZË nga Preç Zogaj: Ambasada, Departamenti i Shtetit dhe

Preç Zogaj

SHBA-ja e përditshme në Shqipëri është ambasada e saj. Përfaqësuesi i përditshëm apo mëkëmbësi i Presidentit është ambasadori i emëruar prej tij. Prej tre vjetësh e ca është ambasadorja e mirënjohur Juri Kim. Së cilës, i ra shorti të shërbente në Shqipëri në periudhën pa precedent të përkuljes së historisë nga Drejtësia, siç e ka thënë vete në fillimet e mandatit. Dhe të shpalljes “non grata” të ish kryetarit historik të PD-së nga shteti i saj.

Presidenti, Senati, Departamenti i Shtetit, Ambasadorja dhe Ambasada janë subjekte institucionale të pandashme të shtetit dhe politikës amerikane në Shqipëri. Në qoftë se ndonjë prej këtyre subjekteve çedon nga misioni,  SHBA kanë dëshmuar sa e sa herë se zotërojnë instrumentet efikase të mbrojtjes së shtetit dhe demokracisë nga shpërdoruesit, të papërgjegjshmit, kriminelët apo armiqtë e tyre.

Instrumenti numër një është drejtësia e pavarur që nuk njeh asnjë autoritet mbi ligjin. “Monarku i vetëm” , siç e ka quajtur Hamilton, njëri prej etërve themelues.

Kush sulmon ambasadorin amerikan dhe nuk e di se po sulmon SHBA është injorant. Kush e di por hiqet sikur nuk e di është hileqar dhe frikacak. Më shumë respekt meritojnë ata që e shpallin haptazi, duke treguar arsyet, antiamerikanizmin e tyre. Pa i rënë rrotull e rrotull.

Sulmet e pareshtura kundër ambasadores së SHBA, Juri Kim, për sa kohë nuk ka ndonjë akuzë ndaj saj nga shteti i saj ( po të kishte do ti ndërprisnin mandatin ) janë sulme ndaj SHBA-ve. Departamenti i Shtetit, Senati dhe Presidenti amerikan e dinë shumë mirë se kush u sulmon përfaqësuesen dhe të emëruarën e tyre e ka me SHBA, e ka me ta. E dinë shumë mirë kush qëndron dhe çfarë e frymëzon intrifadën verbale plot me fyerje të një zhgani rreth foltores së Sali Berishës kundër ambasadores së tyre.

Sali Berisha gjithashtu e di shumë mirë se sulmet e tij kundër Juri Kim lexohen saktë në Uashington se ku rrahin, me kë e kanë. Shtirja e tij sikur ambasadorja dhe institucionet e Uashingtonit nga varet janë dy botë pa lidhje është thjeshtë një gjellë për trushplarje.

A mund të gabojnë ambasadorët?

Po. Askush nuk është i pagabueshëm. Gabimet e tyre eventuale ka kush i sheh, ka kush i gjykon. Shteti i tyre padyshim. Jo shteti pritës. Jo institucionet e shtetit pritës, pjesë e të cilëve është edhe opozita. Kudo kjo. Aq më shumë në një vend në marrëdhënie të ngushta e në partneritet strategjik me SHBA, siç është Shqipëria.

Partneriteti strategjik me SHBA dhe etika diplomatike i sugjerojnë opozitës euroatlantiste të komunikojë dhe dialogojë drejtpërsëdrejti me ambasadën dhe ambasadoren, me letra të hapura, me gojë dhe me shkrim, për çdo objeksion që mund të kenë ndaj qëndrimeve të tyre. Opozita mund ti drejtohet  Departamentit  të Shtetit, Sekretarit të Shtetit, Senatit, madje edhe Presidentit po të përligjej, duke argumentuar objeksionet ndaj operandit a komunikimit të ambasadores për një çështje a disa çështje. Ka plot forma e rrugë për të çuar zërin aty ku duhet, pa kontaminuar marrëdhëniet mes dy vendeve, pa nxjerrë në pazar çështje që diskutohen e zgjidhen brenda familjes.

Unë nuk e di sa objeksione të tilla konkrete janë depozituar në mënyrë zyrtare dhe diskrete nga opozita pranë institucioneve amerikane. Besoj se këto institucione nuk bëjnë shurdhin kur mënyra e paraqitjes dhe argumentimit janë në parametrat e profesionalzimit dhe frymës së miqësisë. Ky lloj komunikimi është respekt, shpalosje, përballje, zgjidhje.

Në të kundërtën, sulmet dhe sharjet e stampës talebane janë një investim për armiqësinë; janë një gëzim për armiqtë e SHBA që janë armiqtë e Shqipërisë gjithashtu; janë një njollë turpi në raport me mirënjohjen për çfarë SHBA kanë bërë, bëjnë e do të vijojnë të bëjnë për kombin shqiptar.

Edicioni më i fundit i sulmeve të Berishës kundër ambasadores Kim rreket të krijojë një lidhje mes çështjes “McGonigal” dhe sanksionimit të tij. Duke dashur ta kalojë sanksionimin e tij në kanalin “McGonigal”, Berishës i duhet të përfshijë patjetër ambasadoren dhe këdo që i bën xixa në sy, në një narrativë të kërkuar, të sforcuar, alogjike, krejtësisht e gabuar.

Më thjeshta: McGonigal ka rezultuar të jetë një dru i shtrembër që është zbuluar e paditur penalisht nga vetë FBI, që është hetuar dhe po gjykohet nga drejtësia amerikane. Në duart e kësaj drejtësie çështja “McGonigal” është në duart më të sigurta të planetit sa i takon garancive për transparencë e drejtësi. Kush nuk e di ketë dhe e ndjek xhalon në fjalë vetëm përmes asaj që diskutohet në Tiranë me siguri mendon se Mcgonigal-in e ka kapur me presh në dorë Foltorja, kurse SHBA s’po bën asgjë për ta përballur me ligjin!

Me postin që ka mbajtur e me të dhënat që ka marrë nga ortakët e tij tashmë të njohur shqiptarë dhe me siguri edhe nga Departamenti i Drejtësisë, ku lobisiti Nik Muzin kishte deklaruar ndërkohë shumën 400 mijë dollarë për lobim në favor të PDSH-së, Mcgonigal ka patur mundësi të verë në lëvizje një hetim që nuk ka prodhuar ndonjë penalitet për lobistin Muzin në SHBA. Por për kënaqësinë e mikut të tij të asaj kohe, Edi Rama , kryeministër i Shqipërisë, dhe natyrisht edhe në shlyerje të pagesave që kishte marrë nën dorë, zyrtari i FBI-sa ia doli ti krijonte telashe jo të vogla ish kryetarit të PD-së, zotit Basha. Kjo jo përmes hetimit në vetvete, por përmes mënyrës së paraqitjes së lobimit në disa media amerikane.

McGonigal dhe kushdo tjetër në pozitën e tij, edhe pa qenë i korruptuar, nuk do të mund të vinte në lëvizje kurrë mekanizmin e sanksionimit që përdor SHBA ndaj personave që i cilëson për korrupsion masiv, për shkelje të të drejtave të njeriut, e tjerë. Po të kishte provuar me forma konspirative si ky që kurdisi me Ramën kundër Bashës, McGonigal do të ishte ndalur e diskretituar, siç po i ndodh për një gjë shumë më të vogël. Sanksinimi non grata, siç është bërë e ditur sa e sa herë, përfshin një ansambël institucionesh, merr kohë dhe peshohet me shumë kujdes. E meqë jemi te koha, procedura e sanksionimit të Berishës ka nisur shumë përpara emërimit të zonjës Kim si ambasadore e SHBA-së në Tiranë. Ajo nuk mund të kishte zë në këtë kapitull. Përtej faktit që nuk ka patur lidhje me Shqipërinë, funksioni saj e përjashtonte si aktore në procedurën e shpalljes non grata të ndokujt. Këtë e themi thjesht për të nderuar logjikën elementare në këto kohë të këqija për të. Çështja e shpalljes “non grata” të Sali Berishës është ashtu siç e dinë dhe për atë që dinë ata që e kanë shpallur. Nuk ndryshon nga çfarë thuhet në Shqipëri.

Nuk ndryshon asgjë edhe sikur Berisha të futet në lëkurën e Lulzim Bashës, edhe sikur të bëhet medium i Bashës, edhe sikur t’i marrë Bashës fatin dhe rolin në episodin që e vuri në shënjestër të McGonigal me kërkesën e Ramës dhe të shpallë “jam unë në shënjestër të këtij konspiracioni”. Dhe të tjerëve që i pjell mendja për tua hedhur ndjekësve të tij.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH