Analizë

ANALIZË nga Albi Xhunga: Ja kush e kërcënon kreun e SPAK

Shkruar nga Liberale
ANALIZË nga Albi Xhunga: Ja kush e kërcënon kreun e SPAK

Albi Xhunga

Kërcënimet ndaj prokurorëve të SPAK kanë ngjallur shqetësime të qenësishme për nivelin e mbrojtjes që ata dhe familjet e tyre duhet të kenë. Puna e shërbimeve të inteligjencës lë për të dëshiruar. Deklaratat politike të ministrit të brendshëm janë së paku ulëritëse.

Për shumëkënd Toto Rina është mafiozi më i madh që ka ekzistuar ndonjëherë mbi tokë. Është ai që pati kurajon t’ishpallë luftë të hapur shtetit. Për gangsterët e rinj ai është një idhull, rruga e të cilit duhet ndjekur. Mirëpo për njohës të mafias dhe mafiozë të vërtetë, Toto Rina është dështimi më i madh i mafias. Ai bëri gabimin fatal. Ai preku aty ku nuk prekej. Tek e fundit qëllimi i mafiozëve është të shijojnë produktin e aktivitetit të tyre, jo të vdesin në burg si Toto Rina.

Si rregull, grupet e strukturuara kriminale dhe mafia vrasin policë e prokurorë vetëm në vende të korruptuara. Atje ku drejtësia nuk funksionon. Atje ku dallimi mes shtetit dhe krimit është pothuajse i padukshëm. Grupet e strukturuara kriminale dhe mafia nuk janë struktura kamikaze që kryejnë sulme të dëshpëruara. Ato janë struktura kriminale inteligjente, të cilat e dinë se në luftën me shtetin vetëm humbasin, sado i dobët qoftë ai. Shumë prej tyre e kanë pasur ligjësi të brendshme mos prekjen e shtetit, mos prekjen e policit, mos prekjen e prokurorit. Nuk ka asnjë kuptim logjik dhe asnjë përfitim real për një grup kriminal të vrasë një polic, apo një prokuror në një shtet ku drejtësia funksionon dhe të gjithë policët dhe prokurorët e bëjnë me për kushtim punën e tyre. Nuk ka kuptim e as përfitim të vrasësh një polic sot dhetë të arrestojnë kolegët e tij nesër, të vrasësh një prokuror dhetë të dënojnë kolegët e tij nesër.

A do të ishte vrarë Giovanni Falcone sikur çdo prokuror në Itali ta bënte punën e tij me përkushtim???

Kërcënimet ndaj kreut të SPAK Altin Dumani shteti duhet t’i marrë me seriozitetin maksimal. Deklarata e ministrit të brendshëm se ‘’Qentë që lehin nuk të hanë’’ është skandaloze. E para, ky është një bast me integritetin fizik të prokurorëve. E dyta, ai grup i strukturuar kriminal nuk kishte ‘’lehur’’ aspak, por i ishte afruar një prokuroreje dhe e kishte fotografuar e i kishte studiuar të gjitha lëvizjet asaj dhe familjarëve të saj. Po të mos kishte qenë një i penduar nuk dihet si do të mbaronte historia. As ata që (sipas të gjitha gjasave) kanë kërcënuar Altin Dumanin, nuk kanë ‘’lehur’’. Publiku shqiptar sot as nuk e di kush janë e çfarë përfaqësojnë. Ne e paguajmë policinë e shtetit të mbajë rendin dhe qetësinë publike. Por nëse policia nuk mbron siç duhet as njerëzit më të rëndësishëm të ligjit, ky është mesazh i qartë inkurajues për çdo kriminel në këtë vend.

Në fakt Altin Dumani nuk kërcënohet nga krimi, por nga kolegët e tij. Me ardhjen e tij në krye, SPAK pësoi një elektroshok. Nga një organ i përgjumur që po bëhej objekt barsoletash, SPAK ka sulmuar fort edhe korrupsionin, edhe krimin e organizuar. Altin Dumani është më fjalëpak se paraardhësi i tij, por jehona e punës së tij ka mbërritur në veshët e çdo shqiptari. Kjo frymë duket se ka tendencën të vazhdojë për sa kohë ai do të jetë në krye. Njerëvze iu është rikthyer besimi. Gazetarët e kronikës e vlerësojnë dhe flasin me superlativa për punën dhe integritetin e tij. Skutat e errëta të krimit dhe sallonet vezulluese të politikës kanë arsye të ndihen të trembur.

Epo tek e fundit është normale të kërcënohet Altin Dumani. Nëse është i vetmi që guxon të godasë aty ku kolegët e tij e kanë vijë të kuqe, binomi i krimit të organizuar me politikën e korruptuar mund të shpresojë se, nëse sulmohet ai, të tjerët do të vazhdojnë të flenë gjumë. Në fakt e vërteta është se Altin Dumanin nuk e kërcënon krimi i organizuar i lidhur me politikën e korruptuar. Nëse të gjithë prokurorët e SPAK do të punonin me të njëjtin përkushtim, askush nuk do të përfitonte nga kërcënimet apo sulmet ndaj tij. Mes tyre ka prokurorë që jo vetëm nuk punojnë, por edhe mund të informojnë subjektet për lëvizjet e SPAK. Altin Dumani dhe kolegët e tij që punojnë me përkushtim, sot kërcënohen nga apatia e kolegëve të tyre. Atij në zyrën ngjitur, atij në zyrën përballë, atij nëzyrën e katit të poshtëm, apo atij në zyrën e katit të sipërm.

Poll
SHQIPENGLISH