Aktualitet

"Amnistia fiskale do të bëhet", mazhoranca e vendosur

Shkruar nga Liberale
"Amnistia fiskale do të bëhet", mazhoranca e vendosur

Mazhoranca vijon të mos ndryshojë qëndrim lidhur me amnistinë fiskale, pavarësisht kritikave të institucioneve ndërkombëtare.

Progres-raporti i Bashkimit Evropian për Shqipërinë, që u diskutua në mbledhjen e Këshillit të Integrimit, lexohet në forma të ndryshme nga opozita dhe mazhoranca. Kryetarja e Këshillit, demokratja Jorida Tabaku, renditi disa prej shqetësimeve që, sipas saj, theksohen në raport, mes tyre ai për projektligjin e qeverisë për amnistinë fiskale.

Ndonëse e ka shumë të qartë refuzimin e BE-së për këtë projekt, shprehur hapur edhe në raportin e Komisionit Evropian, nënkryetari socialist i Këshillit të Integrimit, Taulant Balla, u shpreh i vendosur për çuarjen përpara të kësaj nisme: “Përsa i përket ligjit për amnistinë, ligji për amnistinë do të bëhet, ne vazhdojmë të nxisim konsultimet mes ekspertëve të Ministrisë së Financave dhe të Komisionit Evropian për të shkuar në një draft final”. 

Qasje kjo që detyroi ambasadoren e BE-së, Christiane Hohmann, të përforconte qëndrimin e shprehur në progres-raport: “Komisioni konstaton se miratimi i një amnistie penale kundër rekomandimeve të BE-së do të rrezikonte progresin në fushën kundër pastrimit të parave”.

Njësoj si zv/kryeministrja pak ditë më parë, kur mori në dorëzim progres-raportin, edhe shefja e diplomacisë shqiptare, Olta Xhaçka i cilësoi si hipotetike shqetësimet e Brukselit: “Ky vlerësim hipotetik kërkon të na sjellë në vëmendje çfarë duhet mbajtur parasysh në këtë proces dhe gjatë këtij procesi do merren parasysh rreziqet që lidhen me këtë proces, që kanë kaluar në mënyrë të përsëritur vetë disa vende të BE-së”.

Në lidhje me projektligjin e amnistisë fiskale, më herët kanë shprehur kundërshti edhe dhomat amerikane dhe gjermane të tregtisë, si dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH