Editorial

Amerika është rikthyer në skenën globale, por për sa kohë?

Shkruar nga Liberale
Amerika është rikthyer në skenën globale, por për sa

Rachel Myrick

Gjatë fjalës së tij të parë në një sesion të përbashkët të Kongresit më 28 prill, presidenti i SHBA-së Joe Biden vuri në dukje se në dhjetëra biseda që kishte pasur me udhëheqësit botërorë që kur kishte marrë detyrën në janar, dominonte një pyetje: “Ne e shohim që Amerika është rikthyer në skenën globale, por për sa kohë?”.

Ky skepticizëm nga ana e krerëve të tjerë të shteteve, është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj së kaluarës së afërt. Nën presidentin Donald Trump, Uashingtoni sfidoi seriozisht, ose u tërhoq tërësisht nga më shumë se një duzinë marrëveshjesh ose institucionesh ndërkombëtare, përfshirë Marrëveshjen e Parisit për Klimën, Partneritetin Trans-Paqësor, marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Por shqetësimet në lidhje me natyrën dhe jetëgjatësinë e angazhimeve amerikane jashtë vendit, shtrihen përtej trashëgimisë që la pas Trump. Aleatët e Shteteve të Bashkuara po reagojnë gjithashtu edhe ndaj politikës së saj të brendshme dhe sidomos ndaj një ndarjeje të thelluar partiake, që krijon pasiguri mbi të ardhmen e politikës së jashtme amerikane.

Duke analizuar politikën e polarizuar në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA vitin e kaluar, ish-kryeministri norvegjez Gro Harlem Brundtland vuri në dukje se shumë udhëheqës evropianë “nuk do ta marrin më të mirëqenë se mund t’i zënë besë SHBA-së, madje edhe për gjërat themelore”.

Dhe në fakt frika është e justifikuar. Megjithëse politika e jashtme ka qenë tradicionalisht. E izoluar nga polarizimi politik, kjo nuk është më e vërtetë. Për çështje të tilla si multilateralizmi, ndryshimi i klimës dhe terrorizmi, amerikanët janë më të ndarë se kurrë më parë.

Konsensusi bipartizan mbi politikën e jashtme, si midis votuesve ashtu edhe politikanëve që ata zgjedhin, po zbehet me shpejtësi. Ç ‘është më e keqja, polarizimi ka shkaktuar pasoja më të gjëra, duke e privuar SHBA-në nga një shtyllë kryesore e fuqisë së saj:imazhin e saj për stabilitet, qëndrueshmëri dhe besueshmëri.

Studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, kanë argumentuar prej kohësh se demokracitë gëzojnë disa përparësi kur është fjala në hartimin e politikës së jashtme. Së pari, ato janë të qëndrueshme. Tek autokracitë, kur udhëheqësit largohen nga pushteti në mënyrë kaotike – përmes revolucioneve ose puçeve ushtarake – tranzicionet paralajmërojnë shpesh ndryshime dramatike në politikën e jashtme.

Ndërkohë, tek demokracitë ku qarkullimi i liderëve ndodh në kontekstin e zgjedhjeve të rregullta, politika e jashtme tenton të mbetet mjaft e qëndrueshme gjatë tranzicionit politik.

Avantazhi i dytë i demokracive mbi homologët e tyre autokratikë, ka të bëjë me besueshmërinë. Për shkak se udhëheqësit demokratikë janë të detyruar të japin llogari brenda vendit, ka më pak të ngjarë që ata të bëjnë kërcënime apo bëjnë premtime që nuk kanë ndërmend t’i zbatojnë.

Në negociatat dhe krizat ndërkombëtare, kjo do të thotë se sinjalet që demokracitë u dërgojnë kundërshtarëve të huaj janë më të besueshme. Një avantazh i tretë që gëzojnë demokracitë, është se ato priren të jenë më të afta në angazhimin dhe në zbatimin e marrëveshjet ndërkombëtare, gjë që i bën ata aleatë dhe partnerë më të besueshëm.

Por në demokracitë shumë të polarizuara, bëhet më e vështirë arritja e konsensusit bipartizan të nevojshëm për ratifikimin e marrëveshjeve. Merrni rastin e angazhimit të fundit të Shteteve të Bashkuara për frenimin e ndryshimeve të klimës.

Duke e ditur se gati të gjithë republikanët (dhe disa nga demokratët) do të refuzonin një marrëveshje ndërkombëtare për klimën, Obama nuk e paraqiti marrëveshjen e Parisit në Kongres si një traktat. Kur Trump u bë presidenti, ai ndryshoi menjëherë kurs, duke njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin nga marrëveshja, një vendim që Biden e ndryshoi ditën e parë të administratës së tij.

Duke pasur parasysh natyrën shumëpartiake të politikës mbi klimën në Shtetet e Bashkuara, aleatët e saj janë natyrshëm skeptikë për atë se sa do të zgjasin këto angazhime. Dhe në një mjedis shumë të polarizuar, debatet rreth së ardhmes së politikës së jashtme të SHBA-së nuk kanë gjasa që të jenë konstruktive.

Gjithsesi shumë ekspertë e shohin rivalitetin e përshkallëzuar SHBA-Kinë,si një shans të madh për të kapërcyer ndarjen partiake në Uashington. Por provat e deritanishme, sugjerojnë se çështje të rëndësishme të politikës së jashtme nuk do të qëndrojnë dot mbi grindjet partiake.

Do të ishte joshëse të besohej se Biden mund ta kapërcejë problemin e polarizimit, duke ecur shpejt me agjendën e tij të politikës së jashtme. Ndërsa vëmendja e publikut është e fokusuar tek pandemia e Covid-19 dhe infrastruktura e dobët të vendit, Shtëpia e Bardhë mund të rregullojë shpejt raportet me aleatët, dhe të zhvillojë politika më të zgjuara dhe më të ashpra kundër kundërshtarëve të tillë si Kina dhe Rusia.

Shumë ekspertë mendojnë se kur duhen të kalojnë edhe shumë muaj para zgjedhjeve të vitit 2024, reagimet partiake ndaj këtyre veprimeve mund të jenë të heshtura ose jetëshkurtra.

E megjithatë, kjo qasje nuk mund të adresojë problemet strukturore që vijnë nga polarizimi politik. Ambienti politik aktual, i pengon politikë-bërësit amerikanë që t’i trajtojnë në një mënyrë dypalëshe problemet më të rëndësishme të politikës së jashtme. Dhe pa mbështetjen dypalëshe, administrata e Joe Biden rrezikon që çdo vendim përfundimtar ta ketë të politizuar dhe jetëshkurtër.

Këtu përfshihet shumë prioritete të përshkruara prej tij në fjalimin e parë mbi politikën e jashtme në muajin shkurt, si zgjerimi i programit të pranimit të refugjatëve, investimi tek aleanca jashtë shtetit, dhe drejtimi i bashkëpunimit global rreth klimës dhe shëndetit publik.

Ndërsa polarizimi zbehet dhe rritet sipas cikleve elektorale, ai ka të ngjarë të mbetet një tipar këmbëngulës i politikës bashkëkohore amerikane. Kjo pasi shumë nga faktorët që e mbështesin polarizimin – renditja ideologjike e partive, pabarazia ekonomike në rritje, një mjedis mediatik i copëtuar dhe rënia e përgjithshme e normave dypalëshe në Uashington, nuk do të zhduken së shpejti.

Ka pak skenarë në të cilët hiperpolarizimi nuk do ta dëmtojë politikën e jashtme të SHBA-së. Polarizimi do të nxitë më së paku pasiguri në punët e jashtme, dhe do të zemërojë aleatët e SHBA-së. Dhe nëse polarizimi i vazhdueshëm i çon Shtetet e Bashkuara drejt braktisjeve të negociatat e ndërlikuara apo heqjes dorë nga angazhimet ekzistuese sa herë që një parti e re është në pushtet, reputacioni i Uashingtonit si një kundërshtar i besueshëm dhe një aleat i besueshëm mund të rrezikohet seriozisht.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH