Kryesore

Ambasadorët caktojnë kufijtë

               Publikuar në : 09:42 - 03/06/20 liberale

Nëntë orë negociata mes anëtarëve të Këshillit Politik dhe ambasadorëve të SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe nuk prodhojnë marrëveshje për Reformën Zgjedhore. Sot mund të jetë afati i fundit për një Kod Zgjedhor me konsensus, ndërsa ambasadorët shprehen se për çdo pikë përtej rekomandimeve të OSBE/ODHIR që nuk arrihet konsensus, partitë do të duhet të tërhiqen

Si rrallëherë negociatat mes palëve politike janë zhvendosur dje në rezidencën e Ambasadores amerikane, Yuri Kim, e cila së bashku me ambasadorin e delegacionit të Bashkimit Evropian, Luixhi Soreca dhe atë të Britanisë së Madhe, Norman Duncan ishin për 9 orë e gjysmë mes katër anëtareve të Këshillit Politik me synimin për të arritur një marrëveshje për Kodin e Ri Zgjedhor. Por as dje me gjithë fjalët shpresëdhënëse të tre ambasadorëve marrëveshja nuk është arritur, ndërsa palët priten të ulën sërish sot për të riprovuar edhe njëherë kompromisin. Çështja kryesore që palët nuk bien dakort ka të bëjë me administratën zgjedhore dhe Kolegjin Zgjedhor, ndërsa pika e identifikimit biometrik duket se është dakortësuar për tu aplikuar në të gjithë vendin.

Por dje ambasadorët vendosën dhe kufij si për aftin e marrëveshjes dhe për termat e saj. Sipas tyre baza për marrëveshje janë rekomandimet e OSBE’ODHIR, por nëse palët gjejnë konsensus përtej tyre janë të mirëpritura. Këtu ishte dhe vija ndarëse e tyre. Ata i mëshuan idesë se nëse konsensusi përtej rekomandimeve nuk arrihet do të ecet vetëm me rekomandimet.

Yuri Kim

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim pas takimit të gjatë me anëtarët e Këshillit Politik, ka deklaruar se, Shqipëria ndodhet në një fazë kyçe të historisë së saj. Ajo iu referua reformës zgjedhore, për të cilën po negociohet për arritjen e një konsensusi mes palëve, ku theksoi se, të gjitha palëve u është kërkuar që të bëjnë lëshime. “Të tre kemi kaluar 9 orë me anëtarët e Këshillit Politik, ishte një ditë e gjatë dhe e vështirë, por ka pasur progres. Kjo ka qenë e vështirë për të gjitha palët e përfshira. Të gjithave u është kërkuar që të japin në mënyrë që Shqipëria të fitojë. Shqipëria, miku dhe aleati ynë është në një fazë pikë kritike të historisë së saj. 25 marsi ishte një pikë kthese, ishte një votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE. BE ka vendosur një sërë kishte kushte për hapjen e negociatave, mes tyre është edhe reforma elektorale edhe cila duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e ODIHR”, tha ambasadorja.

Diplomatja amerikane theksoi më tej, se reforma duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, por mund të arrihet dhe konsensus përtej tyre. Por për çdo pikë përtej tyre që nuk arrihet konsensus, partitë do të duhet t’i tërheqin ato. “Qëllimi ynë sot dhe dje, pasi ne do të takohemi sërish është që të prodhohet një reformë që të plotësojë rekomandimet ODIHR, në mënyrë që Shqipëria të jetë anëtare me të drejta të plota në BE. Nëse partitë do të arrijnë konsensus për masa që shkojnë përtej rekomandimeve e të ODIHR, ne do të bime dakord me to. Por, nëse konsensusi përtej rekomandimeve të ODIHR apo kundër këtyre rekomandimeve nuk është i mundur, atëherë partitë do të duhet t’i tërheqin këto kërkesa”, përfundoi Kim.

BE

Ndërkohë, kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca tha se për BE është e rëndësishme që të përmbushen kushtet për hapjen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në union. “Për BE është e rëndësishme që të përmbushen kushtet dhe të nisisë procesi i anëtarësimit . Kufijtë janë rekomandimet e OSBE/ODIHR. Kjo është ajo që BE kërkon. Shumë shpejt KE do të prezantojë kornizën negociuese dhe arritja në reformën elektorale do  ta bëjë këtë punë më të lehtë. Dua të falënderoj të gjitha palët për qasjen e tyre konstruktive. I ftoj të gjithë të vijojnë me të njëjtën qasej dhe nesër. Kemi një mundësi që le të mos e shpërdorojmë”, tha Soreca.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Duncan Norman foli për gjetjen e një kompromisi gjatë ditës së nesërme. “Është thelbësore që këtë ta përfundojnë nesër, jo vetëm që Shqipëria të vazhdojë rrugën e saj drejt BE por edhe votuesit shqiptar  të kenë zgjedhje të lira herës tjetër. Le të përfundojmë këtë punë”, tha Norman.

Sot sërish takim

Ndërkohë ngërçi për reformën zgjedhore po mban peng edhe negociatat me Bashkimin Europian. Komisioneri për Zgjerimin Olivér Várhelyi tha se korniza e negociatave do të paraqitet javën e ardhshme në Këshill, ndërsa iu bëj thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë përpjekjet për një marrëveshje.

Dështimi i afatit për ndryshimet në kodin zgjedhor ka lënë shije të hidhur te diplomatët e angazhuar për gjetjen e konsensusit mes PS dhe PD.

Ambasadorja amerikane ka kërkuar prej palëve që të mos shtojnë kushte të reja në tryeze, ndërsa britanikët kanë sjellë në vëmendje rënien e gongut.

Deri më tani bëhet e ditur se PS është e gatshme për të pranuar identifikimin biometrik në 5400 qendrat e votimit, por nuk jep konsensusin për administratën zgjedhore.

Ndërsa partitë politike do të kenë përfaqësues, por jo në rol vendimmarrës, por vetëm vëzhgues.

Socialistët nuk kanë pranuar që Gjykata Kushtetuese të jetë institucioni që shqyrton ankimimet e subjekteve zgjedhore.

Një tjetër çështje e hedhur në tryezë është kryekomisioneri, për të cilin opozita e bashkuar kërkon që të propozohet nga demokratët dhe të votohet në Parlament nga maxhoranca me shumicë të cilësuar.

Për këto dhe qeverinë tranzitore sot Këshilli Politik do të mblidhet sërish në paradite në Rezidencën e Ambasadores Amerikane. Ambasadorët e thanë dje se në takimin e sotëm duhet gjetur konsensusi, çka la të kuptohet se mund të jetë afati i fundit.

Rama: Jo e hijshme që në 2020 ambasadorët hyjnë e dalin

Ka rinisur për herë të tretë takimi i ambasadorëve të SHBA, BE, OSBE dhe Mbretërisë së Bashkuar me katër anëtarët e Këshillit Politik.

Palët politike pavarësisht insistimit të vazhdueshëm të diplomatëve të huaj vijojnë të mbartin qëndrime të ndryshme në tryezën e reformës zgjedhore.

Ditën e djeshme përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare kërkuan takim për ditën e sotme për të biseduar mbi pikat që kanë krijuar ndasi mes aktorëve, por deri tani maxhoranca nuk ka kthyer përgjigje.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë një komunikimi sot me gazetarët tha se nuk është e hijshme për Shqipërinë e 2020 teksa sheh ambasadorë që hyjnë e dalin nëpër zyra partish për çështje të brendshme.

“Në Shqipërinë e vitit 2020, nuk është e hijshme për ne që për çështje të brendshme, dhe që lidhen me vendosjen e rregullave të lojës të bëhet me ambasadorë që hyjnë e dalin nëpër dyer, megjithatë është për të thënë faleminderit, sepse përderisa ka palë që nuk e bëjnë dot hapin për ta bërë vetëm vetë, atëherë duhet ndihmë”, tha Rama.

Më tej, Rama ftoi kryedemokrati Basha që të uleshin në tryezë dhe të dialogonin për ecurinë e reformave.

“Do të ishte shumë normale që të uleshim, merreshim vesh apo s’merreshim vesh kjo është çështje tjetër. Kjo është çështje tjetër, këto çështje bëhen bashkë, por megjithatë nuk jemi ende aty”, shtoi ai.

BE: Shpresoj për një marrëveshje: kjo është thelbësore

Kreu i opozitës shprehu falënderimin për Komisionerin për Zgjerimin, i cili tha se arritja e një marrëveshje për reformën zgjedhore është thelbësore. Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi kërkoi miratimin e reformës zgjedhore në mënyrë konsensuale, jo të njëanshme. “Faleminderit Komisionerit Oliver Varhelyi për përkushtimin për konsensus të të gjitha forcave politike për reformën elektorale në Shqipëri: Opozita është plotësisht e angazhuar dhe po kontribuon për ta përmbulljr reformën me garanci të mjaftueshme për një proces të ndershëm zgjedhor. Kjo është e rëndësishme për të rikthyer besimin e shqiptarëve tek demokracia pas manipulimeve të rënda zgjedhore dhe skandaleve të blerjes së votave në zgjedhjet e shkuara dhe po kaq përcaktuese për përmbushjen e një prej kritereve të rëndësishme nga 15 kushtet për integrimin europian të Shqipërisë.”- u shpreh Basha.

Pak më herët, Komisioneri për Zgjerimin u shpreh:

“Reforma elektorale në Shqipëri: Inkurajoj të gjitha palët, brenda dhe jashtë parlamentit, që të bëjnë sërish një përpjekje dhe të arrijnë një marrëveshje.  Kjo është një reformë e rëndësishme që duhet të  dhe do të ishte për të ardhur keq nëse ky moment do të humbej. Shpresoj për një marrëveshje: kjo është thelbësore.” /Gazeta Liberale

 

Tags: , , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back