Globi

Ambasada amerikane në Moskë rikthen përkohësisht shërbimet konsullore

Shkruar nga Liberale
Ambasada amerikane në Moskë rikthen përkohësisht

Ambasada amerikane në Moskë do të rifillojë përkohësisht shërbimet konsullore, pas vendimit të qeverisë ruse për të shtyrë ndalimin e punësimit të shtetasve të huaj.

“Deri më 16 korrik, Ambasada amerikane në Moskë do t’i rikthejë përkohësisht shërbimet rutinë për qytetarët amerikanë, përfshirë shërbimet e pasaportave, raportet konsullore të lindjes jashtë vendit dhe shërbimet e kufizuara noteriale”, tha përmes një deklarate Ambasada amerikane në Moskë.

Ajo shtoi se “do të sigurojë edhe përpunimin e vizave emigruese për rastet me prioritet dhe urgjente”.

Deklarata nuk tha nëse Ambasada do të rifillojë lëshimin e vizave jo-imigruese – një çështje kjo që u diskutua gjerësisht nga rusët, që planifikojnë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara në muajt e ardhshëm.

Ambasada amerikane në Moskë njoftoi më 30 prill se po e zvogëlonte numrin e shërbimeve konsullore, për shkak të kufizimeve që Rusia i kishte vendosur asaj në punësimin e stafit lokal.

Muajin e kaluar, presidenti Vladimir Putin nënshkroi një ligj, që e kufizon numrin e stafit vendor që punon në misionet e huaja diplomatike dhe agjencitë e tjera, si dhe urdhëroi Qeverinë ruse të hartojë një listë të shteteve “jomiqësore” që do t’u nënshtrohen kufizimeve.

Uashingtoni dhe Moska kanë hyrë tashmë në një fazë të re të tensioneve. SHBA-ja ka sanksionuar së voni Rusinë për një varg çështjesh, përfshirë sulmet kibernetike, ndërhyrjet në zgjedhjet amerikane dhe kërcënimet kundër ushtarëve amerikanë në Afganistan.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH