Sport

Alvin Kariqi mposht holandezin në finale, Shqipëria merr medalje ari në Lojërat Europiane

Shkruar nga Liberale
Alvin Kariqi mposht holandezin në finale, Shqipëria merr medalje ari

Kombëtarja kuqezi ka arritur që të fitojë medaljen e parë në Lojërat Europiane, sukses ky që vjen me sportin e karatesë dhe mban firmën e Alvin Karaqit.

30-vjeçari ia doli të ngjitej sot në shkallën më të lartë të podiumit, duke realizuar paraqitje fantastike në kategorinë e peshave -84 kg, për t’u shpallur kampion. Në ndeshjen e parë, Karaqi mposhti me rezultatin 2-0 kroatin Enes Gariboviç. Në sfidën e dytë u mund nga polaku Mikal Babos me rezultatin 5-3. Në duelin e tretë, karateisti shqiptar mundi grekun Kostandinos Mastrojanis 1-0, duke siguruar gjysmëfinalen dhe automatikisht zonën e medaljeve. Një triumf mjaft i bukur nga Karaqi, i cili pas fitores nuk mundi që t’i përballonte dot emocionet, duke shpërthyer në lot gëzimi. Por Karaqi nuk u mjaftua vetëm me bronzin, pasi realizoi një tjetër paraqitje të shkëlqyer duke mposhtur edhe italianin Mikele Martina në gjysmëfinale me rezultatin 3-2.

Në orët e pasdites karateisti ynë kishte finalen kundër holandezit Brian Simon Hen Timmermans, duke zhvilluar një paraqitje të madhe. Pas një dueli shumë të bukur, Karaqi fitoi me rezultatin 3-2 duke bërë të tijën medaljen e artë. Një sukses i madh për vetë sportistin nga Kosova dhe Shqipërinë. Kujtojmë se Alvin Karaqi prej 3 vitesh mbron ngjyrat e flamurit të Shqipërisë, pasi më parë ka përfaqësuar Kosovën.

Prej datës 21 qershor në Krakovë dhe Malopolska të Polonisë po zhvillohet edicioni i tretë i Lojërave Europiane, eveniment sportiv në të cilin merr pjesë edhe Shqipëria, e cila përfaqësohet më 11 sportistë, ndërsa 29 sportistë të tjerë konkurruan në Europianin Ekipor të Atletikës në Korzov.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH