Aktualitet

Alimehmeti: Të hiqet ora policore dhe mbajtja e maskave në rrugë

Shkruar nga Liberale
Alimehmeti: Të hiqet ora policore dhe mbajtja e maskave në rrugë

Gjatë 2 javëve të fundit në vendin tonë, është vënë re një ulje e theksuar e incidencës së infektimeve dhe fataliteteve, e kjo ka bërë që Komiteti Teknik i Ekspertëve të vijojë me lehtësimin e masave kufizuese për përhapjen e Covid-19.

Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, i tha Gazetasi.al se ora policore nuk ka pasur ndonjëherë kuptim sepse arsyeja nuk ka qenë koha e lëvizjes, por arsye ka qenë vendet ku grumbulloheshin njerëzit që do të thotë lokale dhe restorante.

“Nëse hipotetikisht lokalet dhe restorantet do ishin mbajtur mbyllur nuk do kishe asnjë problem dhe nuk do kishte orë policore sepse njerëzit nuk kanë ku mblidhen. Ora policore nuk ka asnjë vlerë”, ka shpjeguar mjeku.

Sigurisht që një tjetër efekt të rënies së numrave të infeksionit dhe fataliteteve vjen edhe nga vaksinimi i popullatës duke vijuar me kategori të ndryshme, ku për disa prej tyre ka përfunduar totalisht vaksinimin.

Mjeku Alimehmeti shikon si të panevojshme edhe mbajtjen e maskës në ambiente të jashtme.

“Brenda është tjetër diskutim, sidomos në zyra duhen mbajtur. Gjithashtu duhet të marrim parasysh se kush është vaksinuar plotësisht dhe kush e ka kaluar infeksionin nuk ka një arsyetim mjekësore të mbajë maska, të ruaj distancën e të tjerat. Se ky është parimi i imunitetit kolektiv që të kthehesh tek normaliteti,”shton Alimehmeti.

Mjeku shton gjithashtu se tashmë duhet të kemi masa më elegante dhe të lokalizuara sepse nuk ka kuptim që të vendosim masa për të gjithë kombin.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH