Aktualitet

Alibeaj i përgjigjet Berishës: PD ka emrat e saj, lëvizjet e tjera për të nxjerrë kandidatë nuk na shërbejnë

Shkruar nga Liberale
Alibeaj i përgjigjet Berishës: PD ka emrat e saj, lëvizjet e

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në një intervistë për News 24 u shpreh se, kjo forcë politike do të ketë kandidatët e saj në zgjedhjet e vitit 2023.

“PD do të hyjë në zgjedhjet lokale të 2023. Qytetarët shqiptarë mezi presin të shkojnë në zgjedhje. Shoqëria duhet të shprehë vullnetin e saj ndaj pushtetit. Ka vetëm një subjekt ligjor me emrin PD, ky subjekt ligjor që drejtoj do marrë pjesë në zgjedhje”, tha Alibeaj.

Më tej demokrati theksoi se, PD-ja do të testohet edhe vetë në zgjedhjet lokale, ndërsa nuk do të donte kurrë që të përsëritej 6 marsi.

“Ne do të testohemi edhe vetë në zgjedhjet lokale. Nuk do doja kurrë të përsëritej 6 marsi, në 6 mars votuesit kanë pasur një kandidat të PD, ndërsa kandidati tjetër i opozitës ishte me një tjetër sigël. Demokratet duhet të kenë një kandidat në zgjedhje, lëvizjet për të nxjerrë kandidatë të tjerë, nuk i shërbejnë PD-së. PD është një subjekt dhe duhet të nxjerrë një kandidat. Duhet bashkim i demokratëve dhe i qytetarëve, ne nuk e kemi luksin të kemi kandidatë të tjerë në garë”, tha më tej Alibeaj.

Kujtojmë se dje, kreu i "Rithemelimit", Sali Berisha, teksa po futej në parlament u tha gazetarëve, se ka takuar kryetarët e partive opozitare, ndërsa theksoi se, Edi Paloka po komunikon me Partinë Demokratike.

“Kam takuar zotin Ilir Meta dhe Petrit Vasili. Kam takuar edhe kryetarët e partive opozitare, zotin Mediu, Dule, Duka dhe Dashamir Shehi. Konstatoj që realisht po ecet drejt një kandidati të vetëm. Unë falënderoj të gjithë bashkëbiseduesit, të gjithë aleatët për qëllimet e tyre pozitive që opozita të paraqitet në këto zgjedhje me një kandidat të vetëm. Ndërkohë gjatë ditëve në vijim, do takoj të gjithë forcat politike që kanë pasur aktivitet elektoral, por që nuk janë në parlament. Edhe me ata do përpiqem të gjej një zgjidhje që të shkohet me një front të përbashkët. Çdo deputet është i ftuar të kandidojë po të dojë, dhe të inkurajojë të tjerë të kandidojë. Ju garantoj se kryesia, përveç rasteve të jashtëzakonshme, nuk do bëjë përzgjedhje eliminuese, por do jenë primaret. Ne kemi premtuar ndryshimin, ne do sjellim ndryshimin. Do jenë primaret që do vendosin, jo kryesia dhe kryetari. Çdo deputet që dëshiron të kandidojë, është i ftuar të kandidojë. Janë bërë takime dhe do bëhen takime. Zoti Paloka po merret intensivisht me këtë. Por jo vetëm ai. Janë të hapura të gjitha dyert e komunikimit. Kjo ftesa ime publike është rasti i fundit. Ne mirëpresim çdo lloj sugjerimi. …Nuk është kjo një garë që e trajton lidershipi i PD. Kjo është një garë që e përcaktojnë primaret”, tha Berisha. /Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH