Dossier

Ali Pasha, ekipi që ngriti për studimin e shqipes

               Publikuar në : 10:32 - 29/06/19 V Liberale

Në librin më të ri që pritet të dalë nga UET PRESS mbi figurën e Vangjel Zhapës, Fedhon Meksi hedh dritë mbi anë të panjohura të kontributit të Ali Pashë Tepelenës, përmes rrugëtimit të jetës së një personazhi që ishte shumë pranë tij.

 Fedhon Meksi

Ekipi që përgatiti Ali pashë Tepelena për lëvrimin e gjuhës shqipe dhe për përpilimin e historisë së Shqipërisë, përbëhet nga katër personalitetet më të shquara të Ballkanit perëndimor të kohës.

1. Jan Vellarai dhe fundi i përbashkët (1771 – 1823)

Detyra për të krijuar një alfabet me shkronja të veçanta për të gjithë shqiptarët duket se iu drejtua dr. Jan Vellarait nga Janina, mik i familjar i Aliut dhe më pas mjek i të birit, Veliut. Nuk mund të themi se i cilës kombësie ishte. Legrand-i thotë që “…Sidoqoftë ai shqipen në nëndialektin çam e shkruante me shumë siguri”. “Alfabeti i Vellarait kishte 30 shkronja dhe u krijua sipas fytyrës së alfabetit latin dhe atij grek, por duke i ndryshuar në formë disa shkronja”. Për Jan Vellarain, dihet vetëm se në “Gusht të vitit 1820 i djegin shtëpinë në Janinë dhe ai vetë bashkë me familjen e tij mezi arriti të shpëtonte duke shkuar në një nga fshatrat malore të Zagorit, ku u sëmur rëndë dhe vdiq në varfëri më 28 dhjetor 1823”. Dihet gjithashtu se në vitin 1797, duke qenë student në Padova (Itali), Jan Vellarai u arrestua si simpatizant i ideve të Revolucionit Francez. Pas katër vitesh (1801) u kthye në atdhe me diplomën për Mjekësi dhe Filozofi. Dr. Jan Vellarai nuk u mjaftua vetëm me profesionin e mjekut. Ai luftoi me patos për ta pajisur gjuhën popullore greke me një drejtshkrim sa më të thjeshtë, por edhe për të lëvruar gjuhën shqipe.

Veprimtarinë e vet krijuese për shqipen dr. Jan Vellarai e vazhdoi me dorëshkrimin Shënime gramatikore greqishte e re – shqip si dhe Dialogë (bashkëbisedime) greqisht – shqip. Këto vepra, së bashku me veprën e tij më të rëndësishme Çelësi i alfabetit të veçantë për gjuhën shqipe (30 tetor 1801), që duket i ka hartuar gjatë periudhës studentore në Itali, do të përdoreshin si metoda për mësimin e gjuhës shqipe pa nevojën e mësuesve, të cilët mungonin në atë kohë në Shqipëri.

Dorëshkrimet e Jan Vellarait përfunduan te Pukëvili, i cili i depozitoi së bashku me fjalorin e Marko Boçarit, në Bibliotekën Kombëtare të Parisit (1819), ku ndodhen edhe sot.

Dr. H. Holland (1788 – 1873) një nga mjekët e Ali pashë Tepelenës në vitet 1812 – 1813, që e kishte njohur Vellarain, e quan atë “njeri të thelluar në gjuhën shqipe dhe në greqishten popullore”. Kurse Pukëvil-i, që gjithashtu e ka njohur Vellarain në Janinë, flet për të me konsideratë të veçantë.

“Jan Vellarai konsiderohet gjithashtu si poeti lirik dhe satirik, më i madhi në gjuhën greke moderne në shekullin XIX. Ai ka hartuar fabula, poezi dashurie shumë të këndshme, por mbi të gjitha ai shkëlqen në satirë.”

Por, edhe Legrandi përfundon: “… vdiq i varfër dhe i lënë pas dore”.

Mos vallë për shkak të alfabetit të shqipes me shkronja të veçanta?!

2. Marko Boçari (1790 – 1823)

Marko Boçari, kreshniku shqiptar nga Suli, një nga figurat më të shquara, më tërheqëse dhe më fisnike ndër udhëheqësit popullorë të kryengritjes greke, ishte edhe gjuhëtar. Udhëheqësit e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, në një memorandum të tyre e ndienin veten krenarë kur radhitnin edhe Marko Boçarin midis shqiptarëve më të shquar në histori. Qëndroi për shumë kohë në oborrin e Ali pashë Tepelenës, ku duket se edhe ai u përfshi nga fryma që mbizotëronte aty për lëvrimin e gjuhës shqipe. Në kohën kur Ali pashë Tepelena ishte i rrethuar në kështjellën e Janinës (1820 – 1822), Marko Boçari u hodh nga ana e Vezirit shqiptar. Ai mendonte me të drejtë se vetëm duke e ndihmuar Ali Pashën do të mund t’i dërmonte fuqitë e armikut të përbashkët, do të mund ta çlironte vendlindjen e tij, Sulin, do të mund të bënte bashkimin në mes të shqiptarëve, për të themeluar një shtet të përbashkët nën kryesinë e Ali pashë Tepelenës. Pas shembjes së Pashallëkut të Janinës dhe rënies së Sulit në duart e Turqve (1822), Marko Boçari u lidh me kryengritjen greke. U shqua për aftësi ushtarake në një varg betejash, pas të cilave u quajt Shqiponja e Sulit”. U vra në gusht të vitit 1823. Poeti anglez Xhorxh Bajron mbajti një fjalim mbi varrin e tij, kurse poetë të mëdhenj europianë, ndër të cilët edhe Viktor Hygo, i kënduan trimërisë së rrallë të Marko Boçarit. Edhe pse nuk kishte arsimin e duhur, ai përpiloi një fjalor greqisht – shqip (1809) me 1494 fjalë, i shkruar me dorën e tij në Korfuz më 1809, i cili konsiderohet për kohën si “përmendore e gjallë e gjuhës shqipe”. Fjalori i Marko Boçarit ka të dhëna me karakter gjuhësor në pikëpamje leksikografike, fonetike, morfologjike, sintaksore dhe dialektore.

Shumica e fjalëve të fjalorit i përkasin leksikut konkret, por gjenden edhe një numër njësish abstrakte të formuara shpesh me brumin e shqipes. Eqrem Çabej ka vënë në dukje: “Me një ndjenjë habie shohim sot si një njeri jo i pendës, po i armës dhe folës i një dialekti në skaj të trevës gjuhësore shqiptare, si Marko Boçari prej Suli, që përdor në fillim të shekullit të kaluar fjalë të sferës kuptimore-abstrakte, si: kërkim, madhësi, i papunë, i pamasë, ashtu si dikur Gjon Buzuku në Veri…”.

Dorëshkrimi i Fjalorit greqisht – shqip i Marko Boçarit, i depozituar në Bibliotekën Kombëtare të Parisit që prej 200 vjetësh nga F. Pukvili, ruhet edhe sot.

3. Jan Evstrat Vithkuqari (1755 – 1822)

Lindi në Vithkuq. Në moshë të vogël shkoi në Janinë, ku bëri mësime të rregullta nën Kozma Bollanon dhe mori të gjitha ato njohuri që jepte shkolla Bollaneja. I pajisur me cilësi oratorike, ai u dallua si predikues kishtar, detyrë që e ka ushtruar me zell në qytete të ndryshme të Epirit. Për mjaft vjet shërbeu si mësues në qytetin e Përmetit dhe të Artës. Në vitin 1794, kur u ngrit në Janinë shkolla e Kapllanit, Evstrati u caktua aty si mësues. Në vitin 1807 u ftua nga Ali pashë Tepelena në Janinë dhe në 1818-n përfundoi në Stamboll, ku edhe vdiq në vitin 1822. Qëllimi i vajtjes së tij atje ka qenë që të kërkonte ndihma për të botuar një studim filologjik, në të cilin në mënyrë të gjerë analizonte nga pikëpamja gramatikore e historike Iliadën e Homerit. I Evstrat Vithkuqarit është gjithashtu punimi i botuar në Athinë më 1847-n, me titullin Rregullat logjike dhe etike të njeriut”.

Paragrafi i mësipërm, i shkëputur nga libri Kronografia e Epirit, e historianit grek P. Aravantinos (1856), nuk paraqet plotësisht veprimtarinë e tij për sa i përket lëvrimit të gjuhës shqipe. Evstrati ka qenë një nga përfaqësuesit e shquar të letërsisë, gjuhësisë dhe kulturës shqiptare në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX. Në studimet albanologjike me emrin e tij janë të lidhura kryesisht dy veprat gjuhësore me rëndësi: Skicë gramatikore e gjuhës shqipe (1814) dhe Fjalor anglisht – greqisht – shqip (1814), të cilat i botoi albanologu anglez Lik në veprën e tij Kërkime në Greqi (1814). Po Evstrati ka korrigjuar gjithashtu edhe Fjalorin greqishte e re arumanisht – bullgarisht – shqip (1802) të Dhanil Voskopojarit, ribotuar po nga Lik (1814).

Thuhet se ishte vetë Ali Pasha që e njohu Evstratin, këtë personalitet të spikatur të kulturës dhe arsimit shqiptar, me Likun, për të qenë mësuesi i tij i gjuhës shqipe. Dhe mësues më i mirë as që mund të gjendej.

Evstrat Vithkuqari ishte një nga njerëzit më të ditur të Shqipërisë dhe i përket përpjekjes së njohur tashmë, për shkrimin e shqipes në trevën ku sundonte Ali Pasha. I rrethit të dr. Vangjel Meksit me shokë, nga veprat që hartoi në bashkëpunim me Likun, mund të thuhet se puna e tij i shërbeu interesit në rritje në Shqipëri për lëvrimin e gjuhës shqipe. Njerëz si Meksi dhe Evstrati, duke hartuar gramatikat e tyre, i shërbenin mësimit të gjuhës shqipe, pra edhe arsimit shqip.

 4. Stefan Postenani (rreth vitit 1750 – 1822)

Stefan Postenani ka qenë mësues në Janinë në shkollën e mesme të Kozma Ballanos, por ai ka ngritur gjithashtu edhe shkollën greqishte në fshatin e tij, Postenan.

Në një dorëshkrim të tij në greqisht mbi çështjen e alfabetit të shqipes, shkruar pas vitit 1895, Jani Vreto dëshmon se ka pasur rastin të njohë dorëshkrimin e Stefan Postenanit që përmbante një gramatikë të greqishtes shkruar shqip. Vretoja na jep dhe alfabetin e veçantë që përdorte Stefani dhe që ishte me bazë greke, por edhe me germa latine. Alfabeti kishte gjithsej 37 germa. Me ndonjë ndryshim të vogël ky ishte alfabeti që u propozoi Vretoja patriotëve shqiptarë të Stambollit më 1878 – 1879, kur u shtrua çështja e alfabetit të përbashkët.

Emri i tij përmendet edhe në dy letra të Ali pashë Tepelenës, të nisura më 20 qershor dhe 21 korrik të vitit 1820. Vretoja tregon se para vitit 1822 kishte emigruar në Rusi, ku ishte vendosur përfundimisht. Si mik i Ali Pashës ai ndoshta u detyrua të largohet nga Shqipëria në kohën e prishjes së shtetit të tij./Gazeta Liberale

(Visited 77 times, 1 visits today)

Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *