Krye

Ali Oseku, njeriu që mbolli hijen e vet

               Publikuar në : 09:37 - 07/09/19 Vladimir Myrtezaj

Vladimir Myrtezaj

Kohë më parë kisha nisur një skicë-ide për fenomenin e njerëzve të shpëtuar nga historia e tyre, që gjakftohtë zgjodhën të jetonin mundimshëm në anën pozitive të saj. Të shpëtuar, pa ngarkesa, duke ndjekur fillin entuziast (ndonjëherë dhe të rremë) të jetës që u kish mbetur, për ta ndarë thjesht e me njerëz të thjeshtë. Një i kësaj sëre, në rreshtimin e paktë të tyre, si i mbijetuar në skanimin e kohës, është dhe piktori Ali Oseku. Në gravurën publike kish lënë shenjën e njeriut të palëvizshëm e pa oshilacione. Një personazh kompleks, me një histori ulje-ngritjesh ku herë u gjend i pafat e herë fatlum i ndërkryer, por gjithnjë brenda rruginës së tij të vetmuar. Takimet tona si njohje e parë ndodhën në fillim të viteve ’90, ku një uri e madhe për të ndryshuar status kishte kapluar armatën e pafund të krijuesve, si një ushqim interesant për botën e përtejme të soditësve apo kërkimtarëve të personazheve. Në një ritëm marramendës, krahas të gjitha ngjyrave të tregut, po provoheshin edhe shumë artistë, duke dhënë sinjale e shenja nga më traumatiket, deri në çmenduri, për t’u përfshirë kështu në rrjedhën e lirisë.

Në fakt, secili zgjodhi, si pa dashje, të shfaqte ambicien themelore përjashta çdo rregulli dhe logjike, si një kaos i furishëm që i dha të drejtën çdo krijuesi të shquhej qoftë si karakter, qoftë si risi, qoftë si një prurje e beftë në një realitet të ngushtuar nga praktikat e realizmit socialist. Në këtë rast, liria kish shërbyer për të çliruar energjitë e duhura, si një formë e re e racionalizimit të lëvizjes, si një kusht vendimtar. Asnjë nga ne nuk do t’ia kishte dalë të vendoste kompasin e të parashikonte kufirin e lirisë si një ndikim publik – ishte e pamundur.

Koha bëri që në miqësitë e vogla, zgjedhjet  dhe simpatitë ndërvareshin në orekse nga më të çuditshmet, duke njohur karakterin e vështirë të secilit nga ai grup krijuesish, që patën si fatalitet të parashijonin frytet e ndërrimit të sistemit.

Osekun e kisha vënë në qendër të vëzhgimeve të mia si një specie të gjymtuar nga diktatura, me kuriozitetin e thellë për të kuptuar rimëkëmbjen e tij, sigurisht duke e pranëvënë me thashethemnajën që e rrethonte; duke ditur që në një botë të kufizuar mungonin edhe modelet. Gjithsesi, në taft të parë ndjeva një burrë gazmor, me dëshirën e madhe për pikturën, gjë që në atë kohë më pengonte disi, duke qenë se në qendër të kohës qëndronin më së shumti të rebeluarit që nxitonin të merrnin një rol. Ata ishin të të gjitha ngjyrave dhe rekordeve, me lajme të importuara dhe të prodhuara në vend, me të drejtën e tyre për të realizuar hapësirën e lirisë së derdhur gjithkund si një transformator që u jepte energji të gjithëve. Me pak stepje në respekt të vuajtjeve që hoqën të gjithë të dënuarit, e ruaja veten që të isha disi i rezervuar përpara tyre, i tërthortë, që të këndonin një kohë në avancë ligjëratat që mbaheshin në ambiente të miqësuara në krahun e të gjithë atyre që thirrën për liri. Ishte kohë e marrë, një delir i gjallë që duhej shijuar. Të gjithë të dorëzuar ndaj një vetëçlirimi rrëfyes.

Një tjetër periudhë afrimi me Osekun ishte dhe procesi në Akademinë e Arteve, ku secili nga ne kishte krijuar atë lloj profili që tentonte të dominonte ide e gjasa krejt të natyrshme, që konsumoheshin në auditorë e tavolina të tejzgjatura debati. Flisnim për të njëjtin “hall” mbi pikturën, për lëvizjet e reja, shkëmbime bisedash të thjeshta e të përditshme. Më dukej ai lloj njeriu që e kishte të qartë se ku do ta hidhte hapin e radhës, gjë që herë pas here e bënte frymëzues. Por, në stilin tim e përktheja si një trajtë kompensimi për të harruar një të kaluar plot pezëm e për të jetuar një hapje pa komplekse.

Për çudinë e të gjithëve, ai nuk e bëri asnjëherë qendër të bisedës burgun, një veti e çmuar kjo mes atyre njerëzve që e kishin si të papranueshme e të pakëndshme të hapnin qoftë dhe biseda të krahasuara me atë kohë. Ali Osekun e kisha të ruajtur në kujtesë nga bisedat e para nëntëdhjetës, si një shenjë e pafajshme e protestës që bënte me një pallto të zezë, duke kryer shëtitjen e mbrëmjes në krahun e gabuar të ectarëve. Ishte kjo lloj stileme që e kishte tharmuar në kujtesën time si një tip të çuditshëm, i rrethakuar nga narcizizmi rinor, si e vetmja fashë që i jepte avantazhin e njeriut të përfolur në bulevard.

Sidoqoftë, për një ndërgjegje si e imja, të gjithë këta njerëz ruanin kërshërinë e akumuluar të një brezi artistësh që po rritej në një klimë përndjekjeje dhe rregulli mediokër, që nuk kishte të bënte në asnjë milimetër me hapësirën e pavarur apo me atë terren që të gjithë e donin të pashkelur e të përveçëm. Ashtu përflitej në 1975-ën dhe ne, përveçse ndienim çudi, ende nuk po i deshifronim qartë lojërat shtrënguese në opinionin publik. Kishim dëgjuar përmes librash për disidentë dhe njerëz antirrymë dhe na dukej një lloj trimërie, ku përveç kuriozitetit dhe nuhatjes për të kuptuar pengesën, ndienim edhe peshën e rëndë të një protagonizmi të pakontrolluar, si lajthitje që mund të të ndryshonte jetën. Por edhe në atë klimë kishte kategori ambiciesh që flirtonin me pushtetin e padukshëm, kurse pas perdes e shanin dhe e përçmonin. Ishte një marrëdhënie në kufijtë e absurdit, që e kthente këtë rëndesë në një lloj loje të dyfishtë mes spiunësh dhe viktimash që nuk e duronin këtë lloj dyzimi. Parë në distancë, dukej si një varësi e marrosur nga brendësitë e botës njerëzore, që nuk prishte shumë punë, por qe si një humus i mjaftë për ta njelmuar e helmatisur këtë ndërvarje asociale.

Sidoqoftë, historia e Osekut, e ndërtuar së largu mbi bazë thashethemi, kish ngjitur për ta kornizuar për një zgjatje në kohë, si një subjekt në qendër të goditjes së opinionit publik. Por, për ëndërrimtarët, që nuk ishin të paktë për modelin e njeriut që nuk rreshtohej, të qenit i vetëmjaftueshëm ishte një koracë për të përballuar frikën. Në këtë perceptim e shikoja disi me admirim, por edhe në një fluks të diskutueshëm vlerash, ku herë flitej mirë e herë e neglizhonin. Unë ia dilja ta zbuloja lehtësisht në kohë këtë konflikt real të kudondodhur mes miqsh dhe armiqsh në një fushë të brishtë opinionesh, ku dashuritë e para dhe simpatitë ndaj kujtdo lindnin kryesisht nga qasjet dhe kimitë ndërnjerëzore. Do më duhej ca kohë që, duke lënë mënjanë faktorin human, t’i gjykoja njerëzit edhe sipas tatusë që zgjidhnin, që ata e gjurmonin ndjeshëm në veprën dhe përditshmërinë e tyre. Kështu, afrimi apo distancat konvergonin në terrenin e instinktit që të rrëmbente pikërisht në këtë hapësirë kontradiktore. Ligjësitë e shenjës kryenin ritualin e shkodimit, shpeshherë si asgjë e përbashkët me portretin fizik të vetë subjektit. Prandaj asnjëherë nuk krijoja një opinion paraprak pa kaluar një okë kohë për të dekriptuar thelbin e personit.

Detajet e vogla kanë një domethënie të madhe te një figurë që përflitet në publik. Piktorët, por jo vetëm ata, ngaqë më së shumti janë të ngujuar te vetvetja, kanë një aftësi për të qëndruar bashkë, duke qenë se është kimia e llojit që i mbledh.

Një nga biznesmenët e qytetit na ofroi një punë në ambientet e biznesit të tij. Miqtë e mi, ndër ta dhe Oseku, më ftuan në grup për të realizuar një projekt në disa hapësira të kësaj ndërtese në qendër të Tiranës. E pranova ftesën më shumë si një mundësi bashkëjetese, që të ishim bashkë, sesa si një kontribut, pasi ndërhyrja ishte në varësi të funksionit, kështu që detyrimisht do të ishte një zgjedhje e kushtëzuar, sido që e paguar. Shkoi lehtësisht, nga qejfi i madh se do të ishim bashkë për të realizuar 3-4 ndërhyrje nëpër sipërfaqe të sheshta. Por, edhe për një tjetër arsye: kisha kohë që e kisha humbur përvojën e prekjes së drejtpërdrejtë në një hapësirë publike.

Gjithsesi, kafetë e mëngjesit, bisedat e shpeshta,  netët e vona, drekat e darkat me verë me biznesmenin na dhanë shansin ideal për të qenë mes miqsh, pavarësisht se e njihnim më së miri njëri-tjetrin. Kompania na dha një sasi të hollash paradhënie për të blerë bazën materiale. Shkuam te një dyqan arti diku nga rruga e Kavajës. Tani imagjinojeni se si ndihen ustallarët në gji të gjësë me të cilën shprehen… S’ka më mirë. Vura re se të gjithë u pozicionuam në përballje me shitësin në një modelim të posaçëm qëndrimesh. I vetmi që na ktheu shpinën e që nisi të kryente një veprim disi të çuditshëm ishte Oseku. Më la pa gojë veprimi i tij si i maskuar nga vëmendja jonë: në një afinitet impresionues, Aliu i merrte penelat një nga një dhe i fuste në qiellzë duke i njomur me gjuhë në shenjë testimi. Më iku truri në ato momente, pasi janë disa gjeste që ndodhin në një tjetër intimitet të autorit me mjetet. E desha shumë në atë çast: nuk e kishte harruar aktin elementar e instinktiv që bënte një mjeshtër i sprovuar, duke i prekur sendet imtësisht, me një përkëdhelje gati mahnitëse. Për momentin bëra sikur nuk e vura re, po më pas nuk durova, duke provuar një lloj turpi për sjelljen time të akullt dhe aspak prej mjeshtri, por si një tradhtar i dalë nga radhët e dashurisë së parë. U ndjeva shumë keq, nën trysninë e sikletit për ta nxjerrë jashtë këtë përshtypje. Pastaj ua tregova në kafene gjithë nën një peshë faji. Plasi e qeshura, por tek unë la një shenjë të zgjatur, që më vinte çdo herë në provë gjestesh të vogla që flisnin shumë. E çuditshme se si disa njerëz janë të lidhur kaq organikisht me mjetin apo instrumentin… Qe një moment ku fillova të besoj se një lloj pozicioni të palëvizshëm në përkrahje të pikturës Aliu e kishte organik e gjithëshprehës, si një tra kryesor në jetën e tij, ku mund të tjerrë gjithë jetën e tij të mbetur mbi të, gjë që u bë një e vërtetë e provuar në kohë. Fillova të bindem se tek ai mbizotëronin gjëra të pjesshme që po e ndërtonin dalëngadalë drejt të vërtetave të besueshme të tij. Nuk ishte rastësor apo i pjesshëm në kohë, apo të bënte kinse, qoftë dhe mbi një projekt. Ishte skrupuloz i prerë, i paimitueshëm në zgjedhjet e tij. Në fakt, kur vëzhgon endjen e tij të shtrirë në kohë, kupton se është lojtar i emocioneve që lëvizin mbi një strukturë të impostuar kaherë, si trajta fluide e plot dritë. Ama në rregullin dhe disiplinën ditore është i palimit e i pandryshueshëm në të tijën; një disiplinë që zbuloi pikturën apo aktin e endjes së saj si shoqëruesin kryesor të jetës së tij. Shpesh më dukej si rekord i kohëmatjes së të jetuarit, duke endur mbi pëlhurë rrezatimet e narcizizmit të tij, si një hakmarrje ndaj një kohe shumë të trazuar. Askush nuk do t’ia dijë, dhe nuk ka se si, por një energji e tillë e pakursyer për të dhënë çastet e ëndërrimit përmes punës është më shumë se impresionuese.

Prerja e tij pamore si një trajektore krejt veç, sërish nga të gjitha prurjet dhe zhurmat në qasjen e ndërtimit të figurës, ishte përsëri një shfaqje e ligjshme e karakterit të tij të përmbajtur e vicioz.

Një lloj neoklasiku bashkëkohor, që vetëmjaftohej brendashkruar gjestit që i buronte – të tjerat ishin krejt të papranueshme në një paqe të ndërtuar dita- ditës në sitën e ndryshimeve të luhatshme në botën e njerëzve.

Çfarë nuk bëri vaki në skenën e protagonizmit, por atij nuk i ndodhi asnjë oshilim. Hynte brenda mashtabit të figurës së zgjedhur gjerazi, serioz e me një peshë të lakmueshme. Dalëngadalë, sa vinte dhe kishte pranuar udhëtimin e tij mbrapsht drejt fëmijërisë. E gjithë bota e tij ishte tashmë e mbuluar me zbulime dhe bulëza të reja të karakterit historik, pa harruar një fashë pasioni ku synonte në një situatë krejt të vetmuar, me brengën që jetoi në kohë reale me artin e tij. Dhe pikërisht për këtë kërkonte me finesë aleanca me njerëz që do të dinin ta përkthenin statusin e tij të zgjedhur, që herë e përziente me një lloj romantizmi e herë të tjera në fasha të ndara e të qarta të periudhës së artit modern. Krejtësisht kundër magjisë gjithëpërfshirëse të teknologjisë, të cilën e konsideronte si shuarje të shpirtit dhe një kundërharmoni në gjendjen njerëzore.

Me shumë finesë pranon të jetë i hapur, jo entuziast, por si një shtysë e dhunshme që sjell koha e ikshme e manipuluese. Dashuron me pasion filmat e rinj, muzikën për të cilën flet gjatë, skenografinë dhe operën, dhe në veçanti filozofinë, historitë e artistëve (për dëshmitë e tyre dhe kulturat e ndryshme). Bëhej kurioz si një fëmijë syndritur për këto shtigje

të përvojës njerëzore. Më bën shumë përshtypje si model artisti, pasi brenda tij zien një dashuri e pamatë për punën, si gjëja më serioze gjetur në botën reale, por edhe si një aleancë për të gjurmuar, me besimin e palëkundur se po bën gjënë e duhur – po pikturon.

Shumë shpesh shkoj dhe e takoj, pasi më vlen si sheshpushim për të reflektuar. Zhvendosem në kohë bashkë me të, me shumë qejf, dhe flasim kuturu mbi gjëra të thjeshta që e mbushin jetën dhe kuriozitetin njerëzor. Sikur shpëtoj sa herë që e takoj, duke menduar se kam qëndruar me një njeri luksi, të kulturuar, me zgjedhje të qarta, pa atë hallin e madh që na afrohet kaq shumë përmes dyshimeve mbi të qenit i madh, i ekzagjeruar, i vogël, i famshëm apo mediokër, i fortë apo i dobët.

Vlen të pozojë, ngaqë jetoi sipas zgjedhjes së vet, në një atmosferë që s’ka asnjë lidhje banale me artin e tij të kthjellët, që i ngjan ekzistencës në realitete imagjinare, si supozime të jetës së tij të brendshme, krejt jashtë kohës, trendit apo angazhimit në ngut. Aliu u lëshua thjesht ndër zëra të huazuar të identitetit primar brenda subjektit, që nuk ngurron të mbulojë me afsh e kolorit qindra kanavaca, aty ku është vetë jeta e tij – një garanci që i ngjan pasionit dhe zgjedhjes për t’iu dhënë me tërësej vlerës.

Nuk është se nuk kuptonte apo se i qëndronte botës si një naiv. Kjo nuk do të ndryshonte gjë tek ai e as në profilin e tij. Ai kuptonte më së miri çdo gjë, por çdo harxh në kohën e vjedhur – më thoshte – ka koston e vet. Ai mendon se e çoi jetën si një i mbijetuar (jo i sistemeve), sepse dukej si një pjesë e tejkaluar nga ai. Mbijetoi në sfidën për të qenë i vendosur e serioz, me ëndrrën për të shpëtuar nga gjërat e rëndomta. Përvoja i ka dhënë sigurinë për ta konturuar si profil në caqe të paprekura, me dëshirën e madhe për ta ndarë me njerëz që e kuptonin këtë model qëndrese, që i shërbeu që në rini e përgjatë kalimit të tij të pamjaftueshëm në dashuri e zell për gjënë e zgjedhur; si një nivel i ri i qëndrimit të plotë e të paoshiluar nga erërat e lehta kalimtare.

Hapësirat në tablotë e Osekut janë lajmëtare kryeneçe të zgjedhjes së tij sipas “qejfit”, zërit të brendshëm, që e kishte burimin në shtresa shumë të thella; por edhe te një rrethanë me të cilën të përball fati për t’u realizuar si një përkufizim i zgjatur e unik në ditët e Perëndisë.

Jeta ishte një pezëm i madh i dukjes së qenies në planetin Tokë dhe për t’u shfaqur si lajmës apo ndërmjetës realitetesh paralele, ai zgjodhi gjënë më të sheshtë: shenjën. Hapësirat e pafundme që zgjasnin njëra-tjetrën nga një pikturë te tjetra qëndrojnë si një ditar i pandryshueshëm, për të na dhënë mesazhin e një harmonie qenësore, si një lojë e ritreguar nëpërmjet dritës, ku boshi sfidon përjetimin. /Gazeta Liberale

 

(Visited 858 times, 1 visits today)

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *