
Kryesore
Alfred Peza, nga Planeti A. në Planetin E.

Irena Myzeqari
“Enveriada” është ndalesa e radhës e Alfred Pezës. Stacionuar në të shkuarën, ai heq zhgunin e politikanit, për të mveshur dorashkat e një gazetari detajist, me qëllimin përfundimtar arritjen te shkrimtari ose ndryshe te alter egoja e tij. Pajisur me të vërtetat e historisë, ai guxon të na sjellë edhe një herë mbi tryezë planetin E., por tanimë duke e vendosur dritën e prozhektorit në simbolika, të cilat me ose pa dashje, i kishin shpëtuar syrit ose kujtesës së shumëkujt prej nesh. Nën ndikimin e Trinisë Biblike, Peza bën autopsinë e planetit E. bazuar në tre karaktere të paemërtuara nominalisht prej tij; Paraardhësi, Pasardhësi dhe Udhëheqësi i Ri. Në Enveriadë nuk kanë emër, ama në mendjen e çdo shqiptari, ata zgjojnë reminishenca të një epoke, e cila u mbajt në këmbë prej Ateizmit, Letrave të Popullit dhe Tunelizimit.
Ky nuk është libër për Individin, por për Pushtetin. Nëse lexuesi kërkon të gjejë karaktere, ato sfumohen prej sistemit. Duke e futur lexuesin në një lojë gjurmimi, shkrimtari kërkon ta drejtojë vemendjen e tij tek dimensionet e pushtetit dhe se si struktura garanton jetëgjatësinë e Enveriadës, pa mbetur e varur tek karizma e individit dhe autoriteti i tij. Ndaj shumëkush që ndalet në Enveriadë, habitet me Syrin e Shqiponjës.
Syri nuk është individ, nuk është as system; qëndron mbi të dyja, si e vetmja garanci për vazhdimësinë. Përshkrimi i Besim K. për strukturën që ai drejton është i denjë për të qenë subjekti i një thriller- i politik hollivudian, i cili do t’i fliste simbolikisht jo vetëm Shqipërisë, por edhe çdo sistemi politik botëror. Njëlloj si Big Brother – i Orwell, Syri i Shqiponjës i Pezës, vëzhgon në imtësi jetët e çdo qytetari shqiptar, me objektivin e vetëm, të kontrollojë mendjet e tyre, jetët e tyre e për rrjedhojë t’i sigurojë pushtetit përjetësinë.
Thënë kjo, nuk duhet të na çudisë emërtimi jo nominal i drejtuesve të asaj epoke. Peza na bën të kuptojmë që më e pushtetshme është ajo çfarë nënkuptohet. Njëlloj si tunelizimi, mesazhi i fuqishëm i këtij libri, vjen në nëntekstin e tij, i cili i lënë për gjykim kohës, mund të na shërbejë pas shumë vitesh si një hartë e mirë nga ku mund të fillojmë kërkimin për të vërtetat e komunizmit në Shqipëri.
“Enveriada” shkrin bashkë shumë zhanre. Autori synon romanin, por nuk ndalet aty; duket sikur ka ndërtuar një skenar thriller, po gërshetimi simbolik të hedh sërish në letërsi. Sjellja bashkë e një rrugëtimi të një udhëheqësi, me ditarin e një të internuari dhe duke kacavjerrë midis këtyre dy degëve, një histori dashurie, e shpie teknikën e këtij romani një shkallë më lart, nga ç’ka shkruar më herët Peza, duke i lënë vend lexuesit të presë e dëshirojë më shumë prej shkrimtarit dhe penës së tij.
“Enveriada” është sociologji se aty gjejmë dinamikat e jetës sociale të epokës; është memuaristikë, sepse kujtimet janë pjesë e rëndësishme e skeletit që e mban në këmbë veprën. “Enveriada” është padiskutim edhe antropologji, se autori guxon që të sjellë në faqet e librit përshkrimet e karakterit shqiptar, sjelljeve të tij, çfarë e bënte të lumtur e çfarë e trishtonte, e mbi të gjitha, nxjerr në pah dallimet sociale, kulturore e klasore, të cilat edhe pse shkriheshin në ngjyrat e barazisë, linin dritëhijet e tyre në çdo cep të telajos.
A i bën ky roman një tribut Enver Hoxhës dhe Komunizmit, është pyetja që mund t’i lindë gjithkujt. Përgjigjja është JO! Ky libër nuk është risi për komunizmin, është konfirmim. Autori rimerr ato që i dinim, për të na i thënë sërish, me funksionin e vetëm të mos harresës. Nëse i bën tribut diçkaje a dikujt ky roman, ajo do të ishte kujtesa, për të cilën të gjithë ne kemi nevojë ta mbajmë të gjallë. Duket habi, por edhe kujtesa harron. Mirëpo, në fjalët e Primo Levit, nëse lemë kujtesën të harrojë, rrezikojmë të ripërsërisim historinë edhe një Enveriadë të dytë, as Peza dhe as ne nuk do t’ia uronim vetes. /Gazeta Liberale