Aktualitet

Alfed Peza mbi fituesen e Çmimit Kadare 2023: Jeta nuk është poezi!

Shkruar nga Liberale
Alfed Peza mbi fituesen e Çmimit Kadare 2023: Jeta nuk është

Nga Alfred Peza

Kur nisa rrugën e gazetarisë këtu e gati tri dekada më parë, mendoja se njësia matëse e vlerës së asaj që do shkruaja, do të ishin çmimet që do të duhej të fitoja. E pasi nisa t’i merrja ato një e nga një, me kalimin e viteve kuptova se as ato nuk kishin ndonjë vlerë të veçantë, përderisa edhe unë vetë as i numëroj e as nuk i kujtoj saktë.

Tani vonë letërsia më ka mësuar se i vetmi çmim që vlen përjetë është ai i lexuesve, sikundër edhe ai i mendimit të kultivuar përmes kritikës së specializuar që pothuajse mungon në qytet. Realiteti i ri i rrjeteve sociale, rrezikon ta vrasë edhe këtë mundësi, për aq kohë sa njësia matëse e vlerave publike është përmbysur.

Kjo ishte dilema që m'u faneps, kur UET Press më kërkoi të isha anëtar i jurisë së çmimit letrar “Kadare” për vitin 2023. Aq me tepër që e kam vendosur, të mos dërgoj asnjëherë vetë për të konkurruar për ndonjë çmim letrar, librat e mi të botuar tashmë apo të tjerë që i mbaj në sirtar, por kjo nuk më pengoi që t'i thoja PO ftesës së mikut dhe kolegut të vjetër Henri Çili.

Kjo nuk ma hoqi gjithsesi drojën, për shkak se anëtarët e jurive më janë dukur gjithmonë si noterë publikë, që duhet të japin borxh emrin e tyre për të justifikuar vendimin apriori të dikujt që e komandon realisht procesin pa e ditur askush. Megjithatë vendosa ta provoja, për të kuptuar nëse shijet e mia dhe gjykimi artistik, do të përputhej me ato të anëtarëve të tjerë të jurisë së përbërë nga personalitete të shquara të letrave shqipe.

Ajo që me goditi sapo e lexova me një frymë, ishte romani “Duhet të jetë dashuri”, i Nurie Emrullait. Si për këdo tjetër që mori pjesë në këtë garë letrare, edhe për të, nuk doja të ndikohesha nga google. Ndaj as nuk kërkova të dija më shumë paraprakisht për moshën, ku jetonte, me çfarë merrej, nëse kishte apo çfarë kishte botuar dhe çfarë ishte thënë më parë e shkruar nga të tjerët për të.

Pasi u shpall çmimi, pashë për herë të parë të botuar në media foton e saj e shoqëruar edhe me disa detaje të CV-së së saj. Ato ma bënë më të plotë, sfondin e një tabloje të re letrare plot shkëlqim, që kishte nisur të vizatohej në kokën time. E aty pashë për herë të parë, atë rreze dielli, që kisha kohë që kërkoja të fekste në qiellin e botës së letrave shqipe.

Nurie Emrullai vjen nga fshati. Jeton në province, duke bërë ende me pasion veç të tjerash, edhe mësuesen e shkollës fillore. Nuk jeton në metropolet e flukseve të emigracionit shqiptar. As në Tiranë. Madje as në Prishtinë. E as në Shkup e Tetovë. Ndaj pasi e pushtoi natyrshëm poezinë, me madhështinë e një jete të qashtër, e kaloi natyrshëm rubikonin, ku e thërrisnin sirenat e Odiseut, drejt botës se re të romancieres.

Ajo u fut si meteor në botën tonë letrare, përmes një vepre emancipuese, duke na dhënë të gjithëve ne kryeqytetasve një leksion të jashtëzakonshëm. Përmes romanit të saj me stil të sinqertë, sa fiction aq edhe me penelata autobiografike, Nurie Emrullai ia ka dalë që ta ngrejë fabulën e dashurisë së pastër e shteruese, në një rrëfim universal. Ajo është Irisi që do ta dashuronte Bluja e çdo mashkulli të vërtetë, beqar apo i martuar me Mishën e tij. Madje në mënyrën me poetike. Pavarësisht se siç thoshte nëna e saj në roman, jeta reale nuk është poezi!

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH