Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur rreth idesë së ashtuquajturës “Shengeni i vogël”, që u iniciua në takimin e fundit në Novi Sad midis kryeministrit shqiptar, Edi Rama, atij maqedonas, Zoran Zaev dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Kurti ka thënë se nuk i kundërshton iniciativat rajonale dhe se Kosova nuk duhet të përjashtohet nga iniciativa të tilla.
Duke theksuar se duhet të takohet me kryeminsitrin Rama që të informohet rreth idesë, planit dhe mënyrës së kësaj iniciative, Kurti thotë se, “Unë dua që Shqipëria ta shohë Serbinë me sytë e Kosovës. Kjo është tejet e rëndësishme”.
Siç thotë Kurti, Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka liberalizim të vizave dhe që ka nevojë për liberalizim e tyre.
“Nuk i kundërshtoj në parim iniciativat rajonale, por Kosova duhet të jetë aty e respektuar dhe aktive. Për të arritur aty, unë edhe do ta ngre këtë çështje në takimin e parë që do ta kem me kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Ramën”, deklaroi Kurti për AA.
I ashtuquajturi “Shengeni i vogël” synon lehtësimin e kufijve midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke mundësuar lirinë e lëvizjes së kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve./Gazeta Liberale