Florian Çullhaj PhD
Dikotomia midis politikës dhe moralit kryesisht është më tepër i një natyre parimore sesa në praxis. Politika në mënyrë permanente shpërfill moralin në praktikë, duke përcjellë idenë se veprimi politik moral është i pamundur, përjashtuar këtu rastet efemere. Libri i Immanuel Kantit “Paqja e Përjetshme” i vitit 1795 (Tiranë 2013) , është një gur themeli në historinë e mendimit politik. Edhe sot e kësaj dite, ky libër ka një rëndësi të veçantë si për veprimtarinë politike në nivel kombëtar po ashtu dhe në atë ndërkombëtar.
Argumenti moral i Kantit është se; nëse paqja e përhershme është e mundur, atëherë detyra jonë është ta aktualizojmë duke bërë gjithçka brenda mundësive tona për të arritur atë. Për të realizuar këtë objektiv Kanti mbron idenë se një marrëveshje midis politikës dhe moralit është e mundur dhe e dëshirueshme. Për ta arritur këtë ai propozon zgjedhjen ndërmjet dy figurave politike, atë të politikanit të moralshëm dhe moralistit politik. Dallimi që Kanti bën midis të dyve është i mbresëlënës:… parimi i parë, ai i moralistit politik, është një detyrë e thjeshtë teknike; e dyta, nga ana tjetër, si një parim i politikës morale, është një detyrë etike, dhe dallohen nga tjetri si qielli nga toka, në lidhje me sjelljen që duhet të ndiqet për paqen e përhershme, e cila dëshirohet jo vetëm si një e mirë fizike, por edhe si gjendje e cila rrjedh nga njohja e një detyre.
Kanti i vendos këto dy figura në antitezë. Politikani i moralshëm synon realizimin e qëllimeve etike, zgjedhjet e të cilit ndiqen duke mbajtur në konsideratë imperativët moralë. Në këtë kuptim, veprimet politike individuale mund të jenë të virtytshme sepse ato direkt diktohen nga arsyeja në funksion të një qëllimi politik të realizueshëm. Ndërsa moralisti politik, është një teknik që ndjek një objektiv bazuar në atë që i përshtatet më mirë atij ose në bazë të asaj që është e përshtatshme për shtetin të cilit i përket, në secilin rast avantazhi i fituar nuk është i një natyre morale. Në këtë kuptim, moralisti politik mund të përdorë çdo mjet për të arritur qëllimet e tij, të cilat vlerësohen vetëm në lidhje me efikasitetin dhe shpejtësinë me të cilën ai arrin pritshmëritë që i ka vënë vetes. Në këtë mënyrë moralisti politik drejtohet ekskluzivisht nga praxis, domethënë instrumentalizon çdo mjet që ka në dispozicion për të arritur një qëllim të caktuar. Kjo mënyrë e të bërit politikë në mënyrë të pashmangshme çon në konflikt dhe për Kantin nuk është e pranueshme.
Sipas tij, problemi këtu qëndron tek përparësitë, morali vjen përpara praktikës politike dhe është morali që duhet ndjekur dhe jo e anasjella, sepse është njësoj si të vendosësh karrocën përpara kuajve, është kundërproduktive. Në fakt, në aspektin objektiv nuk ka asnjë mosmarrëveshje midis moralit dhe politikës dhe në të vërtetë morali, nëse kuptohet mirë, ndihmon për të realizuar projekte të mira politike, siç është për shembull dhe paqja e përjetshme. Sipas filozofit, kjo e fundit nuk duhet t’i lihet rastësisë ose vullnetit të mirë të njerëzve, por duhet pjesërisht të strukturohet përmes institucioneve. Por, aspekti që e shqetëson më tepër Kantin është ai subjektiv, ku në të cilin ekziston një konflikt midis moralit dhe politikës dhe guximi i vërtetë konsiston në përballjen me parimet e brendshme të këqija. Për Kantin, politika e vërtetë nuk mund të përparojë “pa vlerësuar më parë moralin”.
Albin Kurtin, liderin dhe themeluesin e Lëvizjes VetëVendosjes!, po ta klasifikojmë në terma Kantianë, vëmë re se ai gjithnjë ka ruajtur staturën e politikanit të moralshëm, një nacionalist, i cili ka luftuar gjithmonë për idealet e tij. Me fitoren e zgjedhjeve të fundit pritet që të jetë Kryeministri i ri i Kosovës me vullnetin e plotë të sovranit. Tek figura e Albinit, subjektiven e tij e kemi të qëruar sepse ai asnjëherë nuk ka shfaqur një ndërdyshje ndërmjet moralit dhe politikës. Koherenca në veprimtarinë e tij politike ka qenë e udhëhequr nga parime morale dhe veprimet e tij politike individuale kanë qenë të virtytshme sepse ato janë diktuar direkt nga arsyeja në funksion të një qëllimi politik. Ajo që mund të përbëjë shqetësim është objektivja në realizimin e qëllimeve të tij politike, këto qëllime nuk duhet t’i lihen rastësisë ose vullnetit të mirë të njerëzve, por duhet të strukturohen përmes institucioneve. Bash kjo është detyra më sfiduese që i paraqitet Albin Kurtit si Kryeministër i ri i Kosovës. A do mundet ai vallë të shkrijë subjektiven me objektiven për të bërë të mundur që qëllimi i tij politik të realizohet? Premisat e deritanishme janë më shumë se pozitive dhe siç thoshte Kanti, “arsyeja gjithmonë na ndriçon mjaft qartë se çfarë duhet të bëjmë për të qëndruar në koherencën me detyrën, dhe nëpërmjet saj na tregon edhe rrugën drejt qëllimit përfundimtar”.