Globi

Albin Kurti: Me sulmet në veri Serbia po provokon konflikt

Shkruar nga Liberale
Albin Kurti: Me sulmet në veri Serbia po provokon konflikt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vlerëson se sulmet e shkaktuara në veri të vendit këtë të shtunë janë nxitur nga Beogradi. Në një konferencë për media, Kurti tha se sulmet kanë qenë të qëllimshme dhe se Serbia dëshiron ta përshkallëzojë situatën, njofton Klankosova.tv.

“Djegia e Qendrës për Regjistrimin e automjeteve në Zubin Potok në ora 01:00 pas mesnate nuk ka qenë zjarr aksidental, por zjarrvënie e qëllimshme. Edhe në Qendrën për Regjistrimin e automjeteve në Zveçan janë hedhur nga dritarja brenda zyrës dy bomba dore që fatmirësisht nuk kanë eksploduar”.

“Hetime policore do t’i zbardhin këto dy raste. Sulmet në Zubin Potok dhe Zveçan vijnë pas deklaratave nxitëse në Beograd dhe mbështetjes së tyre për bllokimin e rrugëve që shpien tek pikat kufitare Jarinjë e Bërnjak”.

Kurti thotë se Serbia nëpërmjet këtyre sulmeve po provokon konflikt serioz ndërkombëtarë i cili rrezikon të marrë përmasa rajonale.

“Serbia qartazi donë ta militarizojë dhe ta eskaloj situatën, po sjell deri afër kufirit të Republikës së Kosovës edhe fluturakët e saj si helikopterë dhe avionë të prodhimit rusë. Nëpërmjet këtyre sulmeve dhe provokimeve ku përdoren qytetarë të Kosovës Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtarë – konflikt ky i cili rrezikon të marrë përmasa rajonale”.

“Ftesës së Brukselit për bisedime siç dihet ne jemi përgjigjur pozitivisht, kemi treguar gatishmërinë dhe interesimin tonë për dialog. Presidenti i Serbisë ka refuzuar dhe në vend të dialogut ka zgjedhur inkurajimin e grupeve kriminale në veri Kosovës. Prandaj, provokimet e tilla, pengesat dhe bllokadat përfshirë dhe veprimet kriminale të sotme me elemente terroriste janë të tilla sepse krimi, tensioni, frika, kontrabanda dhe kaosi ka qenë e vetmja formë e mbijetesës për ta për këto dy dekada”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tha po ashtu se qytetarët në veri, pa dallim përkatësie, nuk duhet të frikësohen nga provokimet e sulmet e tilla.

“Dhjetëra mijëra qytetarë kanë ardhur nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës, duket që këtu e kanë hallin zjarrvënësit nga Beogradi. Ata që i djegën deshën që të mos kenë ku të pajisen me targa. Kurrë s’ka qenë më i lartë morali i pjesëtarëve të Policisë e profesionalizmi i tyre është i lartë”, u shpreh Kurti.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH