Arte

ALBERT V. NIKOLLA/ Sarah, bukuria e një romani mbi artin dhe ndërtimin e një shteti

Shkruar nga Liberale
ALBERT V. NIKOLLA/ Sarah, bukuria e një romani mbi artin dhe ndërtimin

"Pas romaneve fiction dhe auto-fiction , në letersinë shqipe, shfaqet edhe romani real-fiction i Alfred Pezes!"

“Një prozë psikologjike ka aq interpretime po aq sa ka edhe lexues, sepse ashtu siç akti i të shkruarit është individual, po ashtu dhe lexim-perceptimi është akt individual, dhe në ketë mes kritika është e pafuqishme të deshifrojë në mënyrë absolute një vepër letrare”-

Citim nga vepra “Love Sogs Evolution”- Botimi im në versionin frëngjisht.

Kam patur rastin të takoj dhe të shkëmbej mendime njërin nga kritikët më të mëdhenj të post modernizmit në botë, Profesorin e Universitetit te Nju-Jorkut, filologun dhe romancierin Serge Dubrovsky. Dhe filozofia e tij e Kritikës post moderne, më ka bërë të mundur ta vështroj letërsinë sipas normave teorike letrare të Formalizmit Francez, (Semiotika e Barthes) dhe avangardizmit Amerikan. Nga leximi i veprës së baballarëve të Kritikës Sistemike, kam mësuar se ka tre rryma të mëdha Prozaike, (në aspektin perceptimit Kohor dhe Hapsinor) : Proza e Fiksionit, njëqind për qind pjellë e fantazisë, Proza e Autofiksionit , që lindet nga eksperiencat private të shkrimtarit dhe kthimit të tyre në linjë fiksioni, dhe proza e Real-Fiksionit, që ka lidhje me personazhe reale të cilat futen në linjat narrative sipas parimit të teknikave stilistike, për të sjellë një roman inspiruar nga ngjarje të vërteta dhe personazhe që kanë jetuar. Dhe romani “Sarah”, i përmbush të gjitha kriteret për të qenë në llojin e romanit Real-fiksion.

Dua të shtoj një element të rëndësishëm në këtë analizë kritike semiologjike (kuptimore, kritike dhe përceptuale). Unë kam patur një njohje profesionale me Fredin, që kur ai vendosi ti përkushtohet Gazetarisë, dhe e njoh karakterin guximtar dhe impulsiv, analitik dhe zbërthyes që ai mishëron, por edhe qetësisë që fshihet brenda këtij shkrimtari. Kështu i jap të drejtë vetes të them disa gjëra ndryshe, më të qenësishme. Por ky është perceptimi im, dhe shpresoj të përkojë më atë të lexuesit.

Alfred Pezen, e kam vrojtuar fillimisht si një gazetar investigativ, me shumë talent në fushën e Reportazhit. Por as që e kisha menduar në pozicionin e një romancierit. Si koleg dhe mik të vjetër e takova Fredin këtë korrik të 2021, në një kafe të kryeqytetit, ku ai më dha me dedikim romanin e tij: Sarah. Dhe Zot i madh çfarë surprize! Sidomos përshkrimi e forcës së “gruas intelektuale” me kualitetet e saj të dukshme si Bukuria, Mençuria dhe Guximi , e cila ( siç më ka thënë e gjyshi im i ndjerë nga nëna, që ka qenë në Gardën Mbretërore), ka ekzistuar vërtet. E dashura misterioze e Ahmet Zogut, është burimi i fillimit të modernizmit, sipas Fredit. Një personazh i gdhendur me aq finesë…Por nuk kemi të bëjmë me një roman dashuria. “Shoqëritë moderne nga ato primitive dallohen fare thjesht nga mënyra sesi trajtojnë Gruan”- thotë Frojdi. Një zbatim e kësaj aksiome filozofike është edhe romani i Alfred Pezës. Jo vetëm kaq. Ai shkon dhe më tej:

“Pushteti ka fytyrë të ëmbël dhe humane, kur mbështillet me misterin e dashurisë. Të gjitha luftërat bëhen për lavdi, para dhe seks”- ka thënë Napoleon Bonaparti, përpara të pranishmëve përgjatë një Balloje në Versajë. Duhet të kesh kaluar në sistemin e filozofisë së hollë frojdiane për të kuptuar Aksionin narrativ në romanin “Sarah”.

Nga ana tjetër, të zbërthesh me teknikë narrative atë periudhë të mistershme të krijimit të shtetit dhe të mbretërimit të Zogut, çfarë guximi… duhet të jesh njohës i madh i “Artit Politik”, por edhe i teknikës ndërthurjes së shumë linjave imagjinare, teknika që i kisha hasur vetëm tek të mëdhenjtë, Kadare, Sterso Spase e Jakov Xoxa. Ajo që i mërmërita vetes pas një leximi të kujdesshëm dhe të thelluar në çdo frazë ishte: “Fredi ja ka dalë”… Ai i ka mbetur besnik thënieve të specialistëve të historisë së shekullit të kaluar.

Për te saktësuar: Historiani amerikan Raymond Hutchison do ta quante Zogun “personazhin shqiptar më të fuqishëm të shekullit XX ose gjatë shumë shekujve që nga vdekja e Skënderbeut të madh më 17 janar 1468”. Leksografi i njohur Stuart Edward Mann, hartues i fjalorit historik Albanian-English, shkruante në paraqitjen e gramatikës së tij shqipe (1932), se “ardhja e Zogut në krye të vendit si president dhe pastaj si mbret, ishte një fillim i mbarë”.

Të gjitha këto konstatime mishërohen në romanin e Fredit.

Përgjatë leximit i kam thënë vetes, se sa të pamend janë shqiptarët që e helmojnë trurin e tyre me politikë apo kronika krimesh, kur kanë mundësi të lexojnë romane të tilla që kanë vlera enciklopedike. Gjatë kohës së plazhit familjar 15 ditor në rërën plot jod të Tales në Lezhë, u ndjeva me fat që pata kohën dhe qetësinë të lexoj veprën e lartpërmendur. Dhe e bukura e gjithë kësaj Maratone leximi ishte një fakt i thjeshtë: në asnjë moment nuk dyshova se ato që kishte shkruar Fredi, ishin krejtësisht të vërteta. Me një teknike shkrimi që më kujtoi romanet e Frigerald, me një intrige të tipit Oruell, me një esence tipike investigative që e kam hasur në mendësinë konceptive të Fredit edhe ne artikujt e tij, ai krijonte një triller Politik, të cilin për hire të së vërtetës i ka munguar letërsisë tone.

Si gazetari që kisha shkruar më shumë reportazhe dhe dosierë mbi jetën e Ahmet Zogut, unë mendoja isha në dijeni të gjitha elementëve më thelbësore të jetës së tij, por isha gabuar. Narracioni i Fredit, dhe detajet e hollësishme të jetë së Mbretit, por edhe të korrelacioneve që ai kishte me shoqërinë patriarkale shqiptare, rrethin e intelektualeve të shkolluar ca në perëndimin e ca në Turqi, pa harruar këtu konspiracionet kundra tij, më bënë të mendoja se e vërteta mbi këtë figurë politike, është e pafundme imagjinata dhe mund të interpretohet shumë më mirë nga një njohës i hollësishëm i Politikës dhe Kronikës.

Një roman që përdor teknikën e shumë linjave narrative të ndërthurura, një prozë e intrigës, trilerit, filozofisë së deshifrimit të ngjarjes dhe ekonomisë së fjalorit të gjuhës së përdorur. Historiani Bernd Fisher ka shkruar se “Të ishe bradigardi i Zogut ishte njësoj si të ishe roje nate e një fabrike baruti, rreth e rrotull se cilës shkreptijnë rrufetë”, dhe këtë konstatim e gjeta edhe në Librin e Fredit. Popujt kërkojnë që liderat e tyre të jenë të përsosur, të bukur , të drejtë dhe të pa mëkatë. Por lider të tillë nuk kanë ekzistuar kurrë. Të gjithë liderët fshehin në universin e tyre mëkatet e pathëna,”atë që Cezari e citon “ Pakt me demonët” por në fund të jetës së tyre ajo që ka rëndësi, është gjurma që ata lënë në histori, rezultati i tyre shtet-ndërtues. Historia nuk gjykon ato mbi thashetheme por thjesht mbi vlerat apo antivlerat që ata mbartin. Kur lexon Romanin Sarah, të krijohet ideja se “Zogu mori fise dhe krijoi një komb”.

Romani Sarah, na fut në një botë eterike, atje ku përcaktohet fati i një kombi, me burra misteriozë që ndërtojnë kështjellën e ekzistencës së tribuje mitike që kërkon dritë në historinë e tij, e që e gjejnë frymëzimin në një shkëndijë civilizimi ( siç është Sarah Blloshmi), e cila i paraprin takimit me Pushtetit (Mbretit) me Filozofinë (Faik Konicën) dhe me Anti- filozofinë e prodhimit anadollak (Komplotistët)… në figurën e një mbreti aventurier, por edhe vizionar ne shohim përpjekjet për të krijuar një elitë, për të inspiruar përgjegjshmëri dhe disiplinë, për të refuzuar fatalitetin e ëndrrave të këqija që prishin gjumin e këtij populli të sakatuar nga regjimet dhe pushtimet nder shekuj.

Romani i Fredit më krijoi pak a shumë këtë ide: Ahmet Zogu, qe i gatshëm tua falte te gjitha mëkatet armiqve të tij, Tu falte Atentatet, Revolucionet, shembjen nga pushteti, siç bëri me Nolin dhe Konicen, por ai nuk qe i gatshëm tu falte armiqve të tij dy gjëra esenciale: Mos-aftësinë për të kuptuat se në fazat e para të shtetit kush sulmonte “Njeriun e dërguar nga Zoti” i ndihmonte postulatit të qarqeve antishqiptare sipas te cilit “Shqiptaret nuk ishin atë aftë të krijonin shtet”, dhe e dyta Mos-aftësinë për të dialoguar me forcën e argumenteve por me Forcen e Armëve … Historia njerëzore nuk njeh ndonjë president apo mbret, që kanë tentuar ta vrasin direkt me shumë se shtatë herë, ose kanë paguar para dhe kanë thurur komplote për ta vrarë mbi 25 herë. Alfred Peza në romanin e tij Real-Fiksion të modelit Psikologjik, na jem një insinuatë sesi Treshja Mbret-Intelektual- Femër e civilizuar, lufton ndaj bërllomeve të kalbura mbetur nga mentaliteti Bizanto-Otoman…

Si përfundim, duke mos dashur t’ju tregoj lëndën e romanit (nuk është misioni im) , dua t’ju them se për mua romani Sarah është i jashtëzakonshëm, në sencin që ai zbërthen të gjitha ingranazhet që krijojnë pushtetin, trajton aspektet kohore dhe ekzistenciale të fillim-shtetit modern në Shqiperi, dhe na paraqet një fill të tragjedisë tonë të ringritjes si komb. Është aftësia jonë si lexues të zbulojmë brenda kësaj proze investigative dhe psikologjike: Kualitetet dhe urrejtjet që na karakterizojnë, me histerinë për të shembur fatin tonë dhe përpjekjet e gjenive për të mos lejuat shkatërrimin përfundimtar, me individualitet dhe çmendurinë e komploteve.

Romani Sarah është një mishërim i një shprehje të vetë Ahmet Zogut në fund të jetës së tij: “Do të ishte shumë më e lehtë të mbretëroja në krye të 400 milionë skllevërve, sesa në krye të 800 mije shqiptarëve ku secili e quante veten mbret”….

*Albert V. Nikolla është shkrimtar i mirënjohur i prozës së shkurtër dhe poezise së viteve 90, gjithashtu filolog.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH