Kryesore

Akuzat/ Çili: Cilësi skandaloze e sistemit të vjetër të drejtësisë

               Publikuar në : 08:59 - 06/03/20 liberale

“Është një marrëdhënie shërbimi mes studios legale dhe personave të kontaktuar, të afërm të personave në procese gjyqësore për shkallën e tretë, janë bërë kontakte dhe biseda për të konkluduar një kontratë shërbimesh juridike në funksion  të shërbimit juridik”

Botuesi Henri Çili, tashmë në rolin e pronarit kryesor të një studio ligjore, hodhi dje poshtë të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij një javë më parë nga prokuroria për mashtrim dhe ndikim të paligjshëm. I arrestuar javën e shkuar dhe i lënë më pas në gjendje të lirë nga Gjykata, Henri Çili, u shfaq dje publikisht duke hedhur poshtë të gjithë dyshimet e ngritura nga Prokuroria për akuza të ndryshme, nga ato për mashtrim, falsifikim dokumentash, fshehje pasurish, e deri ndikim të pligjshëm. Më poshtë vijon deklarata e tij e plotë  para mediave.

….

Fillimisht do të doja të shpjegoja përse jam këtu; në çfarë pozitash është ndërtuar interesi im i ligjshëm në çështjen për të cilën unë jam dyshuar se kam shkelur ligjin, jam ndaluar, arrestuar dhe kam fituar masën për detyrim paraqitje. Ditën e enjte në datën 27 shkurt unë dhe dy të punësuarit e mi, avokatët Betim Shkupi dhe Ilir Korbi,  jemi ndaluar përmes shkeljes të rëndë proceduralë të cilat avokatët e mi i kanë paraqitur profesionalisht pranë organeve përkatëse, kur nuk kisha pasur në jetën time asnjë precedent penal; nuk kisha asnjë rrezikshmëri për t’u larguar nga Shqipëria dhe nuk kisha asnjë mundësi për të prishur provat. Sidoqoftë, vendimi i Gjykatës së Përmetit i së dielës e hodhi poshtë masën e arrestit dhe vendosi detyrim paraqitje.

Së pari: Unë jam i përfshirë në çështjen për të cilën dyshohem se kam shkelur ligjin, aspak në funksionet  e mia si botues, si pronar i UET por si ortak mazhoritar i një firme legale me një entitet juridik me vete, i regjistruar në QKR ku unë kam 75% të aksioneve, në datë 08/05/2019. Duke pasur një interes të ligjshëm, pra si ortak, pas opinioneve ligjore të avokatëve të mi, kam takuar, para- negociuar negociuar, ndërmjetësuar me persona në funksion të  kontratatave  për shërbime juridike dhe konsulencash të tjera, që ofron çdo studio legale sipas ligjit. Nga ana tjetër, veprimi im në kuadrin e kësaj studio, kishte ende një karakter përgatitor, ishte ende në fazë përgatitje për të ndërtuar një sistem tarifash, komisionesh për marrëveshjet dhe shërbimet në funksion të sigurimit të kontratave të shërbimeve juridike dhe të konsulencës. Specifika ime në lidhje me këtë sipërmarrje, ishte marrja përsipër edhe fushatave të komunikimit mediatik,  tek organizatat e të drejtave të njeriut për shkak të specifikës që kam nga profesioni si ish gazetar.

Së dyti: Personalisht, unë mendoj që në realizimin e të drejtave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, në procese të ndryshme gjyqësore në shkallët e ndryshme të gjyqësorit deri në Gjykatën e Strasburgut, komunikimi, publikimi dhe ndriçimi i të gjitha rrethanave të çështjeve, është jo vetëm ushtrim i lirisë e shprehjes, por  media luan një rol shumë të rëndësishmen në gjetjen dhe vënien në vend të drejtësisë duke siguruar njëkohësisht dënimin e autorëve, por dhe mos shkeljen e të drejtave të tyre. E gjitha në funksion të një misioni më madhor: dhënia e drejtësisë.

Së treti: Duke respektuar vendimin e gjykatës së Përmetit për ruajtjen e sekretit për përmbajtjen e seancës për vlerësimin e masës së arrestit unë nuk do t’i referohem asnjë elementi të seancës për të respektuar ligjin dhe zbatimin e atij vendimi të gjykatës. Por, jam këtu për t’ju përgjigjur të gjitha akuzave të bëra publike nga prokuroria apo vendimi i gjykatës që ka vlerësuar masën e arrestit apo informacionet që kanë rrjedhur në media nga organi  akuzës. Fillimisht po i referohem pozitës time në lidhje me dyshimet për këto akuza.

AKUZAT

AKUZA E PARE: MASHTRIMI: Në kuadër të veprimtarisë sime si ortaku mazhoritar i studios ligjore nuk kam kryer asnjë veprim të paligjshëm dhe specifikisht në lidhje me akuzën e parë nuk kam mashtruar askënd për asnjë lloj arsye dhe asnjë lloj çështje. Është një marrëdhënie shërbimi mes studios legale dhe personave të kontaktuar, të afërm të personave në procese gjyqësore për shkallën e tretë, janë  bërë kontakte dhe biseda për të konkluduar një kontratë shërbimesh juridike në funksion  të shërbimit juridik që studio do të  ofronte për këta klientë për ndjekjen e çështjes së tyre në shkallën e tretë.

AKUZA E DYTE: Nuk kam falsifikuar asnjë dokument dhe nuk ekziston asnjë dokument i falsifikuar, as kam nënshkruar, as kam marrë pjesë në përpilimin e asnjë akti të falsifikuar të pretenduar nga prokuroria.

AKUZA E TRETE: FSHEHJA E TE ARDHURAVE: Nuk kam fshehur asnjë të ardhur, sepse me të dy çështjet për të cilat dyshohet se kam kryer shkelje ligjore,  sepse nuk kam realizuar në kuadrin e Legal Studios asnjë arkëtim, asnjë kontratë shërbimi për një arsye të thjeshtë, sepse në të dy rastet çështjet kanë qenë në fazën e negocimit për të konkluduar një kontratë shërbimesh juridike, edhe pse kishim filluar punën përgatitore ose hapat e pare si marrja e prokurës nga i pandehuri Feti Yzeiraj dhe i rekursit në gjykatën e lartë, brenda afatit maksimal ligjor.

AKUZA E KATERT: USHTRIMI I NDIKIMIT TE PALIGJSHEM: Në lidhje me këto dy çështje për të cilat pretendohet se kam kryer shkelje ligjore, nuk kam takuar asnjë gjykatës, asnjë  funksionar të lartë të drejtësisë , as nga unë apo avokatët e studios ligjor. Po ashtu në jetën time asnjëherë nuk kam takuar asnjë gjykatës apo funksionar të drejtësisë për të ndikuar për vendimet e ardhshme gjyqësore.

AKUZA E PESTE: PASTRIME I PRUDUKTIT TE VEPRES PENALE: Përderisa nuk realizuar asnjë të ardhur kështu që shprehimisht nuk kam çfarë produkti të pastroj. Dhurimi i dy njësive të shërbimit, nga ana e sipërmarrësit Seit Fishta në Velipojë është bërë me vullnet të lirë, është kryer konform ligjit, janë paguar taksat dhe është kryer në funksion të një kooperimi të ardhshëm midis nesh sipërmarrës dhe kompleksit Fishta në qytetin e Velipojës. Konkretisht kemi folur zotin Fisha, për  ide dhe projekte, për të zhvilluar atje kurse trajnimi, shkolla vere, aktivitete të ndryshëm. Është e vërtetë se kontaktin me zotin Fishta ka marrë shkas nga lidhja miqësore e një prej klientëve të mi me të, por konteksti dhe arsyeja e dhurimit janë krejt të tjera dhe nuk lidhen fare me shpërblimet e drejtpërdrejta ose të tërthorta për këtë çështje e vëllezërve Aliko.

HAPAT E MËTEJSHËM:

Në përputhje me këto elementë avokatët e mi do të kërkojnë pafajësi dhe pas marrjes të pafajësisë sigurisht që do të kërkojnë dëmshpërblimin.

KOMENTE

Kisha disa komente të vogla nga pozitat e mia si qytetar.

Së pari: Si qytetar unë mendoj se çdo shkelës i ligjit duhet të marrë dënimin e merituar aq më tepër vrasësit e një polici të rënë në krye të detyrës, por kjo duhet të kryet në përputhje me ligjin dhe duke respektuar të drejtat e njeriut, legjislacionin në fuqi dhe parimet e një procesi të drejtë dhe të rregullt. Të dyja këto çështje janë ende  në shkallën e tretë dhe janë ende çështje të papërfunduara. Në këtë kuptim nuk ka asnjë kontradiktë mes bindjes sime morale si qytetar, ndëshkimin e çdo shkelësi të ligjit dhe aq më tepër atyre që kanë vrarë një polic në krye të detyrës me të drejtën e një procesi të rregullt ligjor dhe funksionin dobishëm që ka një studio ligjore për të ofruar shërbime ligjore për të akuzuarit, për t’i siguruar viktimave dhe shoqërisë drejtësi. Sipas opinionit ligjor të ekspertëve të mi shkalla e tretë e gjykimit, ose gjykata e Strasburgut do të ofronin shumë më tepër mundësi për një gjykim të drejtë të kësaj çështjeje.

Së dyti: A është çështja ime e nxitur politikisht? Unë nuk mundoj se jam viktimë ndonjë procesi politik, nuk jam absolutisht i bindur se kjo çështje duhet interpretuar politikisht. Mendoj se kemi të bëjmë me cilësinë skandaloze të sistemit të vjetër të drejtësisë, protagonizmit të sëmurë lokal të segmenteve të drejtësisë. Si e tillë kjo çështje nuk shërben fare për askënd “si bilanc i luftës ndaj korrupsionit apo krimit”. Është një proces i pakuptimte, absurd, për të qenë i qëllimshëm, aq me pak politikisht.

Së treti: Duke respektuar parimin e përgjegjësisë personale para ligjit, marrëdhëniet e mia personale, me njerëz të dashur apo me të afërm të tyre janë objekt i plotë i privatësisë. Çdo ide apo veprim imi për të mbështetur apo dhuruar brenda ligjit është një vullnet i imi personal në kuadrin e kësaj marrëdhënie private. Këtu nuk ka asnjë kundërshtim me ligjin dhe nuk është kryer asnjëherë asnjë veprim në kundërshtim me ligjin.

Së katërti: Unë mendoj se veprimi i lirë në kuadrin e lirisë tregtare, përfshi dhe aktivitete të tilla si studio legale, jo vetëm është një e drejtë dhe një interes i ligjshëm, në funksion të iniciativës së lirë ekonomike, por është edhe një interes i rëndësishëm publik.  Sepse mirëfunksionimi i këtyre shërbimeve juridike për respektimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut për këdo, i shërben një misioni të madh të përbashkët që si shoqëri duhet të kemi që të gjitha institucionet, përfshi dhe kjo pjesë e sistemit të drejtësisë: Dhënies së Drejtësisë.

Veprimtaria ime publike deri në periudhën që kam qenë gazetar dhe pastaj si sipërmarrës është frymëzuar nga respektimi i plotë i ligjit dhe nga parime të shëndosha në lidhje me mënyrën se si pozicionimet e mia në këtë rast në kuadrin e një studio legale janë pikërisht për të kryer çdo gjë konform ligjit dhe për të realizuar qëllimin  ose objektin e iniciativave të mia të ndryshme në kuadrin e studios sime ligjore, shërbimi ligjor të klientëve dhe në funksion të dhënies së drejtësisë.

Por imagjinoni, kur unë një figurë publike, sipërmarrës i një prej 250 bizneseve më të mëdha private në vend, një ndër 250 punësuarve me të mëdhenj në vend, me bëhen kaq shume shkelje, kam kaq vështirësi për të siguruar të drejtat e mia, imagjinoni qytetarët e thjeshte. Drejtësia dhe cilësia e ofrimit të drejtësisë në këtë vend është në një gjendje alarmante dhe duhet të jemi të gjithë të shqetësuar. /Gazeta Liberale

 

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back