Aktualitet

Aksidenti/ "Ambulanca arriti 50 minuta me vonesë", reagon QKUM

Shkruar nga Liberale
Aksidenti/ "Ambulanca arriti 50 minuta me vonesë", reagon QKUM

Një aksident tragjik ndodhi mbrëmjen e djeshme në rrethrrotullimin e Kolonjës në aksin Lushnjë- Fier, ku mbetën të vdekur dy kushërinj dhe u plagos rëndë një person i tretë.

Ditën e sotme kanë dalë detaje të reja nga aksidenti, ndërsa një nga dëshmitarët në vendngjarje, Klajdi Ndrecka tha për TCH, se ambulanca arriti 50 minuta me vonesë.

"Patrullat kanë ardhur pas 50 minutash. Pastaj u munduam vetë që të nxirrnim atë shoferin, s’donim dhe ta lëviznim shumë se kishim hall mos e dëmtonim. Pastaj kur erdhi ambulanca, pas 50 minutash ishte vetëm një shofer dhe një infermiere. Pastaj i futëm të tre”, ka thënë ai.

Pas këtij lajmi ka reaguar Qendra Kombëtare Urgjencës Mjekësore, e cila ka mohuar këtë gjë. Në një njoftim në rrjetet sociale, QKUM thotë se ambulanca ka arritur pas 13 minutash në vendngjarje.

Komunikatë për media

QKUM shpreh ngushëllimet familjarëve për humbjen e jetës së dy të rinjve në aksidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme.

Pas lajmit të publikuar në media për aksidentin që ndodhi në datën 28 tetor në orën 21:02 në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Kolonjës në aksin Lushnjë – Fier, ku u tha se ambulanca ishte vonuar 50 minuta, Qendra Kombëtare e Urgjencës mjekësore ka bërë menjëherë verifikimin dhe konstatoi se ambulanca ka mberritur pas 13 minutash në vendngjarje.

Ambulanca ka mbërritur në vendin e ngjarjes me ekipin mjekësor, duke ofruar menjëherë ndihmën e parë për të aksidentuarit.

QKUM, njofton opinionin publik se menjëherë pasi njoftohet Njësia e Koordinimit në numrin 127, organizimi për nisjen e ambulancave në vendngjarje bëhet menjëherë.

Çdo thirrje pranë Njësisë së Koordinimit pranë QKUM, regjistrohet dhe lëvizja e autoambulancave monitorohet me sistemin GPS, duke regjistruar të gjitha kohët e lëvizjes dhe mbërritjes në vendngjarje.

Të gjitha këto të dhëna janë të regjistruara, lehtësisht të verifikueshme, por të pa modifikueshme.

QKUM fton mediat të mos dizinformojne opinionin publik me lajme të tilla dhe fton qytetarët të denoncojnë në institucionet përkatëse çdo parregullsi në sherbim./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH