Editorial

Ajo që na duhet është ringritja, jo rindërtimi!

Shkruar nga Liberale
Ajo që na duhet është ringritja, jo rindërtimi!

Gentian Kaprata

Urbanism & Democracy

Dëmet materiale të tërmetit të 26 nëntorit duket se janë shumë më të mëdha sesa perceptoheshin ditët e para. Qindra ndërtesa e banesa janë plotësisht të pabanueshme, pra ose janë shembur vet ose duhen shembur nga autoritetet; dhe dhjetëra mijëra të tjera kanë domosdoshmëri ndërhyrje të thella apo më të lehta rikonstruktuese. Nuk do të hyjmë në raportime shifrash të detajuara dëmesh materiale, sepse duket se kjo është e vetmja gjë që po bëjnë mirë autoritetet, nëse po e bëjnë saktë edhe këtë; por do e trajtojmë problemin nga qasja makro. Ky është gabimi i parë që nuk duhet të bëjmë, nuk duhet të fokusohemi të gjithë te shifrat për të lënë pas dore gjënë më të rëndësishme, gjetjen e rrugëve strategjike dhe gjithëpërfshirëse për daljen nga kjo situatë.

Ne duhet të dalim nga kurthi i ‘legalizimit’, pra gjetjes së mënyrave për të balancuar gabimet e kryera më parë duke bërë gabime të reja; për të hyrë në rrugën e zgjidhjeve ‘të planifikuara’ më parë duke përfshirë në analizë të gjithë variablat që ndikojnë në këto zgjidhje. Sepse këtë duket se kemi bërë në këto vite, kemi legalizuar realitete të krijuara nga paaftësia jonë për të planifikuar, projektuar dhe programuar, megjithëse e kemi ditur se këto realitete do na çonin në disa gjëndje edhe më të këqia se ato që kemi legalizuar. Prandaj, thirrja e parë që duhet të bëjmë sot, është gjetja e zgjidhjeve që na drejtojnë drejt synimit të qartë, afatgjatë dhe gjithëpërfshirës për gjendjen ku duhet të mbërrijmë që vjen nga planifikimi, projektimi dhe programimi.

Ajo që na propozon qeveria, që në fakt nuk është as propozim për vlerësim, por një vendim i marrë dhe që duhet zbatuar, është ndërtimi i pesë lagjeve të reja në Durasanë (një në Durrës, një në Lac dhe tre në Tiranë). Logjikë e thjeshtë; tërmeti na shkatëroi disa mijëra apartamente, dhe përgjigjja jonë është të ndërtojmë disa mijëra (dhjetë mijë) apartamente të reja dhe për këtë na duhen disa qindra milion euro; porse logjikë legalizuese. Pra, shteti i madh dhe i plotfuqishëm iu përgjigjet menjëherë qytetarëve të tij të dëmtuar nga tërmeti. Njësoj si me ndërtimtarinë pa leje, ju ndërtuat pa leje, ne shteti i madh dhe i plotëfuqishëm bëjmë një ligj dhe iu japim lejen e legalizimit në dorë. Ju shtuat volume pa leje në ndërtesat me leje, ne bëjmë një ligj tjetër dhe gjithashtu ju bëjmë të ligjshëm. Shumë larg zgjidhjeve të mbështetur në planifikimin që përfshin të gjitha burimet që kemi në dispozicion dhe të gjithë aktorët që ndikuan në këtë gjendje.

Tërmeti nuk na pyet kur vjen, por mënyra sesi e presim varet tërësisht nga ne, prandaj, dëmet materiale nga tërmeti nuk erdhën rastësisht. Ato janë të tilla për shkak të mënyrës sesi ne kemi lejuar zhvillimin ndërtimor, dhe në këtë rezultat kemi kontribuar të gjithë. Kanë kontribuar institucionet  shtetërore me inekzistencën e tyre megjithëse qytetarët i kanë financuar nëpërmjet buxhetit të shtetit, kanë kontribuar kompanitë e ndërtimit me mungesë deontologjike, megjithëse blerësit i kanë financuar nëpërmjet buxheteve familjare apo kredive të marra, por ka kontribuar edhe çdo qytetar që i ka finacuar këto institucione të sektorit publik dhe privat, në mungesë të përgjegjshmërisë individuale dhe shoqërore për të kontrolluar produktet e financimit të vet.

Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, kemi dështuar, dhe hapi i parë është pikërisht pranimi i dështimit. Pranimi i dështimit ka gjasa të mëdha të na drejtojë në një mentalitet të ndryshëm nga ky, i cili na solli këtu ku jemi, por gjithashtu na jep edhe zgjidhjen e duhur, të zgjuar, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse që po kërkojmë në këtë moment të vështirë.

Kjo zgjidhje nuk mund të na vij nga rindërtimi, apo rritja e stokut të banesave në Durasanë, që na mban në të njëjtën logjikë dhe na drejton në të njëjtën gjendje finale; por nga ringritja ku duhet të kontribuojmë të gjithë nën një marrveshje të re shoqërore për të zgjidhur hallin e sotëm dhe për të projektuar ndërtimtarinë për të ardhmen. Shteti duhet të pranojë se ka dështuar në detyrën e tij më bazike atë të planifikimit territorial dhe të sigurimit se zhvillimi ndërtimor, që prej 27 vjetësh ka përfshirë shumë aktorë privat, të përfundojë në një qytet të mirë jetueshëm dhe të sigurtë për qytetarët. Industria e ndërtimit duhet të pranoj se ka dështuar në dorëzimin e ndërtesave, në tërësinë e tyre, plotësisht të sigurta dhe në një raport të drejtë midis kërkesës dhe ofertës. Ndërsa ne qytetarët duhet të pranojmë se kemi dështuar me përgjegjshmërinë individuale dhe shoqërore që shoqëron individin në vendet e demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut të lirë.

Marrveshja e re duhet të mbështetet në tre shtylla sipas kontributorëve. Së pari, shteti duhet t’i drejtohet stokut ekzistues të banesave për të siguruar të gjithë apartamentet që i nevojiten; të miratoj një moratorium ndërtimi afatgjatë dhe të ndërmarri një nisëm për ndryshime legjislacioni në shumë aspekte që kanë lidhje me ndërtimtarinë. Së dyti, kompanitë e ndërtimit duhet të ofrojnë të gjithë stokun e banesave që kanë të pashitur me çmime preferenciale (të afërta me kostot që kanë pasur); të ristrukturojnë kapacitetet njerëzore dhe logjistike dhe të zhvendosin vëmendjen nga ndërtimi i banesave që janë me shumicë në ndërtimin e infrastrukturave (sociale dhe inxhinierike) që mungojnë. Dhe së fundi, ne qytetarët duhet të kuptojmë se në sistemin ku kemi zgjedhur të jetojmë nuk ka vetëm liri individuale por edhe përgjeshmëri individuale, dhe në këtë kuptim, duhet të mbajmë përgjegjësi për vendimet dhe veprimet tona të lira dhe individuale. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH