Aktualitet

Ajo nuk bën sikur - ajo bën

Shkruar nga Liberale

Nga fidanishtja e humanëve që ëndërrojnë

Vladimir Myrtezai

Ajo është një kontradiktë në lëvizje, një personazh konkret: ka rregullat e saj që i vendos vetë në një botë që nuk e nxë, që nuk e lejon, që e shtyn dhe që e bën të papranueshme. Por, ajo ka botën e saj si të vetëmjaftueshme.

Jeton esencialisht përmes ëndërrimit, duke anashkaluar përditshmërinë, gjërat e zakonshme, duke zgjedhur gjërat e nevojshme: prirjet, formën e të menduarit, të ushqyerit e paktë dhe udhëtimet filozofike. Ka alfabetin e saj, me një tjetër A dhe Zh, nga ku po ndërton fjalitë e para pamore, me një sintaksë që priret drejt një rrokullisje kontradiktore, duke riqepur e rishqepur gjendje dhe mesazhe që kanë të bëjnë me statusin e saj si një ndërgjegje e pastër e në kërkim. Nuk udhëhiqet nga modele, sepse i duken të kryer, histori, por i beson të pavetëdijshmes, dhe akoma më shumë besimit se është. Ajo nuk bën sikur.

Asnjëherë nuk u ngut dhe nuk përcaktoi kufij ndarës. Udhëton e qetë, merr kohën që do si përjashta kohës dhe riformulon ditë pas dite një ditar të thjeshtë  emocionesh apo pyetjesh e kundër pyetjesh në një monolog të zgjatur, pa partner, si një vallëzim i shkakluar, i parregullt; as si ndarje e as si nënndarje, por një vallëzim përtej përcaktueshmërisë, si në një vepër arti, pa dhënë shpjegime dhe pa iu detyruar askujt. Të tillë personazhe pluskojnë në jetën e shfrenuar urbane, jo më si pjesë aktive, por si ishuj të vetmuar që konservohen në shoqëri për ngasje të larta kulturore.

Fillesat e këtij udhëtimi sa shpirtëror e po aq dyshues, pa harruar pengesat në rritje, janë udhëtimi i nëndheshëm ende i palexuar, kthyer në show apo në pretekst për publikun, si një parashikim për të ardhmen, për atë botën e vogël e të zgjedhur të lojtarëve të mendjes. Gjithsesi prezenca e një krijimtarie të një lloji josubversiv, në një territor përjetimesh krejtësisht në trans e intuitive, ndërtohen si personalizime hapësinore përmes mungesës së subjektit në një aksion të ndërthurur ciklik e vicioz të qenies. Çdo shpërthim imazhi përshkon hapësirën e rikrijuar në një ftesë të hapur për t’u bërë pjesë e tërësisë si një ripërjetim bashkë me autoren. Arkitektura e tingullit dhe plastika e lojës së trupave në hapësirë ritregojnë edhe më thellë një trill, një metaforë të asaj çfarë jemi dhe çfarë përcaktojmë me botë ende të pashprehura, të nëndheshme, pjesë qendrore të ndërgjegjes sonë.

Iva është në zgjedhjen e saj, duke u rindërtuar hap pas hapi në një zgjedhim të nëndheshëm të egos, ku herë duket e fituar e herë plandoset në një kthim mbrapsht. Rivendoset bashkë me fantazinë dhe shumën e përjetimeve në një lojë të hapur gramatikore, përmes postulatesh që i burojnë nga një obsedim i shijes së saj në shfrenime të përmbajtura të pavetëdijes, ku në të shumtë ndihet e zhveshur, e pakrahasuar, drejt një thelbi të limituar si propozim i asaj që ende nuk ka marrë formë, por që çlirohet si ide, që ndërtohet rrugës, herë me intuitë e herë me vetë përcaktime sinorësh të parashikuar nga dija. Ajo avitet në zona të pllenuara që i burojnë nga përvojat, ku herë rrethuar me mure që presin të bien e herë me devijime si tolerancë e propozimit të pastër, si një dije që sheh e vetme dhe pret të mësyjë si parashikim i një kufiri përsëritës e ciklik në zgjedhjet e saj nga laboratorët e ndërgjegjes.

Ende në moshë vitale, shprehëse, ajo konfliktohet vazhdueshëm në një ndjesi të tokës së zbuluar, duke qarkuar e afruar kujtesën si një element ndërveprues mbi gjendje të pastra, për të cilat mendon se i sheh përditë në nukle të varguara të një logjike që e personalizon kah uni, që dyzohet shpesh në këtë udhë kontradiktore me të tjera nukle që e komplikojnë formën e të ekzistuarit të strukturave të mëvetme.

Iva Seferi ndien dhe kupton thellë gjëra ende të paartikuluara, si basene të nëndheshme e forma udhëtimi që në njëfarë mënyre përsërisin rritjen e narcizismit të saj, si e vetë prodhuar dhe jo e dalë nga skema e një sintakse pamore si e bashkëudhëtuar më parë. Ajo mendon se është shkaku dhe vepra pasojë e saj, si e pavarur, e strukturuar, si mungesë shpjegimi për kontradiktat që formulojnë aktin e dukjes.

Veprat e saj në një medium të hapësirës konvergojnë si liri të pjesshme, që jo domosdoshmërisht ndërtojnë kontekste shpjeguese. Ajo udhëton në një terr vital, duke zbuluar pak nga pak ngrehinën e pleksur të saj, herë me tingull e herë si arketip i fjetur i ndërgjegjes. Iva mendon se vetë procesi i bërjes së një vepre arti mund t’i nënshtrohet një qasjeje tjetër përkrahëse, si kulturë udhëtuese për të ndërtuar një bashkëjetesë që zbulohet përmes shenjave të përputhura, jo vetëm duke ndërtuar, por edhe duke shkatërruar. Kështu, ky udhëtim na bën të zbulojmë kundër argumentin që i ka të gjitha gjasat të riformulojë hapësirën identitare. Këta hapa të saj janë provokuar duke vendosur vetveten në një rihetim të hapësirës si formë e re e vëzhgimit të veprës.

Në një përthyerje jo të paqtë të një narrative pamore multimediale, përmes shenjave dhe tingujve ajo ritregon me një përmasë konfliktuale një arkitekturë të miksuar të hapësirës./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH