Kryesore

Ajër në semaforë të kuq

               Publikuar në : 10:08 - 24/10/20 liberale

Vladimir Myrtezai

Françesk Garxhiola sapo kish dalë nga një gjendje e rëndë varësie prej një dashurie të re e të rrëmbyer, si thellim i beftë e spontan, që dita më ditë u shndërrua në një breshëri tronditëse për të. Po kalonte një traumë që nuk ishte e mundur as të flitej e as të merrej me mend, se sapo merrte guximin ta afronte në krye për analizë, kishte ende humbje ekuilibri dhe sekretime lëngjesh morbozë e të hidhur, që i gufonin vrullshëm. Ishte rrëzuar papritur e nuk kishte më fuqi të ngrihej në këmbë. Shkëmbente një inat të pashembullt e të papërshkrueshëm me veten, si  kurrë më parë.

Françesk Garxhiola ishte prerja e rrallë e njeriut të rrahur me vaj e me uthull, që e jetonte jetën në një trans të mrekullueshëm, si një lojtar i rrallë ndjenjash njerëzore; i aftë natyralisht për ta zotëruar mendjen e tjetrit, e madje për ta drejtuar atë sipas dëshirës gati të telekomanduar të tij. Një makineri e projektuar në mënyrë perfekte, në një standardizim të frikshëm të shtysës e intuitës së tij; një formë e lartë e inteligjencës natyrale, e akumuluar andej-këndej, për të qenë i pazhurmë në të gjitha manierat; se si e rrethonte tjetrin në një bashkëgjendje të njëkohshme, duke u shndërruar pa kurrfarë zori në një traversë të dyzuar, projektuar ndër hapësira mbërthyese sugjestioni. Diçka e ngjashme, e padukshme, e veshur me fjalë, që të pushtonte e nuk të jepte mundësinë e qëndrimit larg kësaj ndërvarjeje të automatizuar njerëzore. Magnetizim i një sjelljeje të ç veshur e moderne, që tingëllonte si formë e gatshme, e mësuar dhe e përdorur në marrëdhëniet rutinë njerëzore, si një mjet i shpejtë ndikues.

Françesk Garxhiola ishte fare i ri, rreth të tridhjetave, dhe kishte një aftësi të veçantë komunikuese me mjedisin që e rrethonte, me miqtë dhe me të afërmit e tij. Kishte një aftësi që në njëfarë mënyre shquhej si pjekuri e parakohshme në pas adoleshencë. Ai sillej normal, me një sjellje mjaft të përkorë e komode me shumë kategori njerëzish që ndeshte në jetën e përditshme.

Që herët, fare i ri, u perfeksionua në një nuhatje natyrale mbas fuqisë së imazhit, një dhunti e lindur me vetë kahjen e tij – fotografinë si zanat, që gjithsesi e bënte të mbijetonte në një shtjellim të ethshëm në shijet e publikut, si dhe të ishte i zgjedhuri, pasi me intuitë e miklim manipulues kishte zbuluar çelësin e magjisë me mjaft inteligjencë, që ishte i pëlqyeshëm dhe mundësonte formën e ëndërrt të një pasqyrimi dehës. Ky zanat i kishte shtuar komunikimin me njerëzit, dhe kishte bërë që lehtësisht të fitonte teknika komunikuese me ta. Ishte një formë jetese e lehtë, në një dominante shkëmbyese krejt të çlirët, si lundrim në një botë hijesh.

Minjok e me një hepim që i dallohej në ecje, si një tendencë e padukshme për t’u zgjatur, më shumë si një pedanë e përkohshme sesa një realitet në përputhje mes dëshirës dhe mundësisë. Një lloj shënjimi në gjuhën e trupit, që e zhvendoste atë në situata të kontradiktuara mes paraqitjes dhe mundësisë për të qenë në lartësitë e dominimit, që atij i kompensoheshin pikërisht nëpërmjet formës së tij krejt të zhdërvjellët e të pakompleksuar për të përfshirë çdo gjë që i shfaqej si ëndje, ose si perspektivë e egos së tij.

Hapshpejtë dhe i lehtë, që bëhej prani e pazhurmë dhe me forma të sheshta në një kontaminim sjelljesh në hapësirë, shpërndarë me kujdes në qendrën e synuar të bisedave të tij të pambukta.

Françesk Garxhiola ishte njësia më e lartë e shumës së reflekseve të fituara nanuritshëm, kur njeriu, si pa dashje, ndjehet i rrethuar, e më pas në një pushtim të kushtëzuar ku ndihej nevoja e kësaj pranie si një postim i kudogjendur; si ajër i pavënë re prej njeriu në kërkim të një lloj robërie, atë që shpesh e quajmë kurth-atmosferë.

Françesk Garxhiola ishte etaloni i njeriut të ditës, që ishte i shumëzuar në shumë njerëz, si fotokopje që e prodhon shllaku njerëzor; si ngrehinë shëtitëse e njeriut  pa ndonjë shkak qendror a të lartë, por të kudogjendur. Kushtet e reja në të cilat ndodhej shoqëria kishin pjellë edhe personazhet e domosdoshëm nga ato lubrifikues të kalimeve të shpejta të kodit të sjelljes, si ndërgjegje shpëlarëse e komunikimit të ndërmjetëm e të pashkak. Garxhiola ishte nevoja e njerëzve pasivë, që kishin nevojë për stimuj, për një atmosferë të shërbyer, siç shërbehet një foto pasaporte.

Kloe Rusi, një personazh pa ndonjë përmbajtje, që kish zbritur në kryeqytetin e ëndërruar, përhidhej rrugëve nën efektin e shumëngjyrtë të dritave e shikimeve të njerëzve. Ndjehej si një qenie e butë, që priste nga çasti në çast të bëhej pre e ndonjë agresioni mashkullor, të cilin ia provokonte vetë rruga; dhe ashtu, gati e dehur me veten, nuk lodhej së përqendruari në një objekt të përcaktuar qartë. Dallgëzuar nën efektin verbues të mbrëmjes, kish një dëshirë të madhe të hynte në një shkapetje të ashpër me ndonjë frymor të interesit të saj, si rastësi që të hynte e të dilte pa mundim në mbrëmjen e saj. E dëshironte këtë siç dëshironte kafenë e mëngjesit, por edhe si një gjest për t’u mbajtur mend, apo si një film dyorësh nga ku do merrte formën e përplasjes së agravuar të sentimenteve, që ta sillte disi në vete pa i prishur ëndërrimin dhe rehatinë e të ndjerit femër në rrugë, e shkorkolepsur, pa anjë shtysë konkrete. Nuk ndihej ende gati për një lidhje të gjatë, pasi e ndjente që duhej të provonte edhe më tutje, dhe kishte një ngasje të fshehtë që projektimet e saj të ruanin tharmin e aventurës. Ecte dhe ndjente sinjalet e mesazheve në telefon, që i trokëllinin si thyerje xhamash para këmbëve, dhe nuk donte të prishte rrëshqitjen që tanimë ia kish kapur terezinë.

Krejt në delir dhe e vetë mjaftuar, arriti pranë kafenesë më të populluar në kryeqytet, mu në bash të vendit, dhe u krodh prushëm në tymnajën e lokalit, përzier me vështrime kurioze, që nuk i shqiteshin, si një uri sunduese, tipike mashkullore. Porositi një koktejl të lehtë dhe pa ceptazi me indiferencë në syprinën e telefonit të saj: një lumë mesazhesh, që ia veshën krejtësisht fytyrën me një mbivendosje kënaqësie, prej njeriu që po mblidhte mungesën e saj në dëshira të shkurtra e akute, të mbarsura me forma nga më provokueset, në të shumtën me histori minutëshe, pa gjasën e një historie të shtrirë në kohë. Për këtë sikur ia mbushnin cit mendjen edhe mesazhet tipikisht të reduktuara në dy-tri fjalë. Gjithsesi, njëri syresh e tërhoqi, që asnjëherë nuk e kish çuar në mend si mundësi, por që kishte një ngulitje të hatashme në rrjedhën se si ndërtonte frazat, si e si t’i dilte parasysh si një mundësi që nuk do peshonte për të, por do qe e ngjashme me një hedhje kohe, krejt e paemërt dhe pa ndonjë shenjë. Ishte i lehtë dhe rozë në të gjithë ngrehinën e dëshirave që afronte, por me një modesti magjepsëse, që në njëfarë mënyre ajo, Kloe Rusi, e lexonte çakërrqejf, e dorëzuar, që të linte një shije të ndërmjetme midis kripës dhe sheqerit; që i shkrifej si refleks nga dridhjet e padukshme të kuriozitetit maje flokut.

Vendosi t’i telefononte dhe pranoi që të takoheshin në mesnatë. Takimi me një djalë krejt të panjohur, që në të gjithë pamjen kishte veç dy sy të ngulët e depërtues, e kuriozonte për atë se si një natë si kjo mund t’i dorëzohej, duke mos fshehur kërshërinë e të qëndruarit përballë mjetit të fotografisë, që gjithsesi e eksitonte. Gëlltiti edhe një tjetër gotë me doza më të shtuara alkooli dhe u nis për në studion e tij.

Nën shoqërinë e mikut të tij të vjetër, një tjetër fotograf, që në njëfarë mënyre ishte dhe ati i tij shpirtëror, Françesku po navigonte në telefonin e tij me një formë të katërfishtë komunikimi me femra, duke mos harruar që çdo lloj citimi që i pëlqente ta ndante me mikun e tij fotograf, që si në eter i stimulonte në formë të shkujdesur të gjitha frazat që ai pozonte, duke shpresuar se gjahu i ngritur i seksit do ndahej përgjysmë.

Për një moment, Francesk Garxhiola u ngrit vrikthi nga gjendja e heshtur dhe pohoi befas se i duhej të largohej. Në kurthin e lartë të miklimit të shumëfishtë, njëra syresh qe bindur me një “po”; një superyll (siç i etiketonte shpesh femrat që i hidhte në kurth), një mashtab i paarritshëm si Kloe Rusi, që tashmë ishte e ftuara e natës në studion e tij. Mes shakave dhe ikjes elegante, u ndje disi si para një të papriture, që më së shumti i rezultonte si një zbardhje në fytyrë, dhe që për një moment iu kthye në një mundësi që e destabilizonte. Filloi të çonte nëpër mend gjithë atë kthinë mishtore që zhvishej pranë tij, me gjithë forcën e indiferencës, dhe se si do i duhej që për një çast ta sillte në një stuhi komplimentesh, që vetëm ai dinte t’i bënte, në një intimitet të mundshëm për ta prekur e vështruar gjatë. Dashuria e fundit që i kish pllakosur e kishte stepur disi për aventurë; por ishte i bindur se si shumë të tjera, kurioziteti për t’u fotografuar ishte më i epërm se një takim intim me depërtime e histori të thella.

Por, gjithsesi ishte i kënaqur, pasi format e manipulimit të sedrës së femrave në zë i kishte transformuar në një udhëtim zbulues, për të faqosur në bllokun e madh të ndodhive të rrugës edhe një histori plus, që duhej mbajtur mend. Iu kujtua Shirli H., një vajzë nga provinca, që kishte qenë formula më e mundimshme e jetës së tij, ngaqë kishte aftësinë e shkakut përmbysës për parashikimet që ai bënte. Në vend që ta zhvishte e ta hidhte në krahë, e kishte gjetur veten krejt të zbuluar e të çarmatosur, pikërisht poshtë këmbëve të egos së saj; se nuk i dorëzohej lehtë – me një formë tërheqjeje që dita-ditës e kishte groposur brenda lojës që pat lartuar pa teklif.

Që nga ajo ditë vuante si kafshë, sepse Shirli ishte forma shpërbërëse e zbuluar e të gjitha ngrehinave që ai manipulonte lehtë. Një gjë e rrallë, kurrë ndodhur më parë, që e linte pa gojë e të paralizuar me gjithsej. Iu desh shumë kohë e mundim të vinte në gjendjen e parë, për të rimarrë veten në një pamje që do i ngjante në ardhje një skifteri të kohëve moderne, pa kufij e pengesa, në sajë të lojës së tij mikluese ndaj gjahut të zgjedhur. Kishte marrë një shpullë nga jeta, por nuk jepej, dhe e mbushte kohën me frytet e mbjelljeve, si rrjeta merimange për fluturat e radhës.

Françesk Garxhiola ndjente se duhej të ishte në terapi me një psikolog. Një materie e mbushur tashmë me llogore, pjesë e manipulimit njerëzor, që nuk kishte në hulli trajta të larta vlerash që kishin të bënin me përfitime, por një fond të përsëritur fjalësh e fjalish që i prodhoheshin si masivë të pashtershëm skemash për të ndërsyer në mënyrë të pashqitshme, si rrëmbim i jetës së shfaqur, ose si një udhëtim i zgjatur e pa kuptim, ku ai ishte pjesë përbërëse në mënyrë të pazgjidhshme. Një udhëtim lartësues e kalimtar, ku sfumonte përmasa e ngjasime duke e zhbërë formën e tyre drejt një pike fatale; duke lëshuar një tërësi morboze që shpërndahej si lëndë tretëse, që rrethonte lëngshëm ndërgjegje që i lipseshin trajektores së tij.

Të tilla kthina njerëzore ishin të shpërndara në eter, të përsëritura me shpejtësinë e erës, si  virus i padukshëm; sharm e zgjatim, që i ngjante pasqyrimit dhe ndriçimit të shformuar të miliona reflekseve të përsëritura, që kërkonin strehë e shpëtim. E gjithë bota i dukej si një përshkënditje e feksjes njerëzore, e shpërndarë në atmosferë, si elokuencë e përqasjes së pakufi, që nuk se ndalon, por shumëfishohet si shtysë e të qenit fashë e likuiditetit njerëzor, që përmbys forma të lëshuara të ndërgjegjes. Diç jashtë njerëzore, që ka të bëjë me natyrën e puhiztë të lehtësisë së ajrit, që shpesh shtjellet si ëndërr apo iluzion mbështjellës.

Kështu pra shpejtonte drejt studios së tij Françesku, me një ndjesi të rënduar në ndërgjegje, krejtësisht i impresionuar pas presë së tij, që rastësisht kish kthyer formën e rëndesës në një çudi befasuese. Nxitonte të përgatiste atmosferën, që të arrinte të papriturën e mesnatës, që do bëhej pjesë në ajrin e rifreskuar të studios. Historitë e kësaj studioje ishin kthyer në copëza eksperimenti, në një komunikim të shumëfishtë mënyrash dhe trajtash, që bënin pjesë në teknikat e reja që i shpikeshin në kokë si hamendje të automatizuara.

Kloe po merrte kthinën e fundit për tek studioja e fotografit. Kishte në avancë një duhmë alkooli, që e bënte të mos përballte asnjë pengesë për ta dominuar atë me befasinë e shpejtë, si një mur i shembur para këmbëve, që i kish marrë mendjen “të ngratit”.

– Le të jem fati i natës së kujtdo, – tha me vete. – Mundësisht pa ngarkesa e njohje të zgjatura e të shpifura.

Një çast i lirë me gëzimin e një dhurate që e shkëmbente bujarisht dhe shpejt, pjesë e eksperimentit të pakontrolluar, për ta harruar si asgjë. Kishin shteguar në jetën e saj tipa të shumtë, nga ata më krenarët, të vetëndjerët e deri të ata më agresivët dhe maçot, si një radhë ushtarësh të frustruar, që u rrinte në ballinë me dhuntinë e femrës, që i pushtonte si dush i ngrohtë dhe i viktimizonte si forma të përdorura e të dystuara në harresë. Të tilla marrëdhënie i ishin kthyer në fushëbeteja imagjinare, si në filma thriller, me personazhe nga më skandalozët. E tërhiqte kjo pjesë e errët e raportit pa shpjegim, një pasion që do vinte e do shuhej me ngadalë në ditët e saja të mëvonshme, atje larg, ku ndihej e kontrolluar në një mërzi të përsëritur, të ngadaltë e të pafund. E dalë nga histori ndërvarjesh të shumta, ndihej e dërmuar; dëshironte një jetë të lehtë e të shpejtuar, pa shumë ndalesa e pa vraga dhune; diçka që i ngjan përshtypjes së parë, që nëse të tingëllon, mos e lër të kalojë pa e bërë tënden.

Kloe e ndjente që ishte e dëshiruar dhe tërheqëse, dhe ky fakt nuk e lumturonte edhe aq tanimë. I pëlqente një lloj ajri i rremë, pa të vërteta të hidhura; një ajër me kusht, që ta sillte në formë egon, ose jetën e saj përjashtë gjërave që kishin privilegjin t’i provonin të gjithë. Një formë e zgjedhur veçmas për të, pa kushte e histori të ngritura; pa heronj të radhës dhe viktima të përlotura, diç që t’i fekste si një këngë a film.

Përfytyroi për një çast pamjen e mashkullit minjok, që me siguri nuk do e shikonte drejt e në sy, siç shohin mjeshtrit e këtyre takimeve, por do i ndërtonte një mirësjellje të zgjatur e të rehatshme, që të bënte të harroje nëse duheshin mbulesa dhe forma hyrëse. Imagjinoi prozhektorët e kursyer, se si do mundohej të shumëfishonte konturet e saj dhe dy sy të kërcyer, të ngulët, që e ruanin me uri e heshtje nga matanë. Kërkonte ajër , që të lëshohej në atë shtrirje mikluese, pa të cilën ndihej e pavlerë. Në ballë ndiheshin reflekse semaforësh të kuq që i ndryshonin dritëhijet mbi fytyrë. Qeshi lehtë dhe përfytyronte njeriun që shtrihej në dysheme për të kapur e fiksuar pikërisht atë refleks që merr njeriu në rrugë papritur. Çdo gjë tjetër ju duk e kotë, jeta ishte e bukur pikërisht për kaq e pak gjë, një refleks, një çast ,një shkrepje e kimi e asgjë më shumë. /Gazeta Liberale

 

 

 

 

 

 

 

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back