Aktualitet

Agron Malaj? Jo të gjithë gardistët e 21 janarit janë njëlloj

               Publikuar në : 17:00 - 15/05/19 Liberale

Si u shndërrua ish-komandanti i Gardës së Republikës në socialistin që kandidon për Bashkinë e Matit, çfarë informoi ai për ngjarjet e 21 janarit, ku ishte drejtues i grupit të snajperëve, dhe pse Malaj për kryeministrin Rama del të jetë ndryshe nga 10 gardistët që u përjashtuan më 2013-n nga Garda

Suadela Balliu

Përpara se kryeministri të sillte në vëmendje protestën e 21 janarit të vitit 2011 për të përforcuar, sipas tij, pangjashmëritë me atë të 11 majit, ngjarja ishte ndërmendur në media dhe opinionin publik përmes kandidatit të socialistëve për Bashkinë e Matit. Agron Malaj ishte drejtues i seksionit special, të snajperëve, i cili tetë vjet më parë, në ditën që u vranë katër protestues, ishte me urdhër shërbimi te Kryeministria. Seksion që më vonë u emërtua nga ish-kryeministri Berisha si “grupi i zjarrit”.

“Agron Malaj ishte pjesë e Gardës së Republikës, ka qenë pjesë e atij grupi, por është e provuar katërcipërisht se nuk ka marrë pjesë në asnjë shkelje të ligjit”, do të shprehej kreu i qeverisë ditën e djeshme, ndërsa i parapriu përgjigjes në konferencë me gazetarë se ishte një rast që të qartësonte edhe atë çka po përdorej si propagandë nga pala tjetër.

“Në cilën sferë të imagjinatës do të shkoja unë për të pranuar dhe vendosur në një lidership lokal të PS-së, një person që do të ishte fajtor, qoftë edhe moralisht më 21 janar. E kundërta është e vërtetë. Ishte një nga ata që kanë informuar imtësisht për 21 janarin”, u përgjigj Rama, ndërsa largimin e Malajt nga detyra në vitin 2013, kur Partia Socialiste erdhi në pushtet, kryeministri e argumentoi si largim bashkë me shumë të tjerë “jo për të konfirmuar fajësinë morale, në këtë rast, por për t’i dhënë transparencë procesit”.

Për të treguar se ishte i qetë në drejtim të akuzave apo hamendjeve që ishin ngritur, pasi Partia Socialiste zbuloi të shtunën emrat e kandidatëve të saj për bashkitë në zgjedhjet e 30 qershorit, kryeministri hoqi edhe njëherë paralele, për të përforcuar pangjashmëritë. “Edhe në protestë nuk janë të gjithë ata që vijnë fajtorë. Nuk mund ta them kurrë që një pjesë e atyre që ishin përpara Kryeministrisë, edhe kur hidheshin molotovë, janë huliganë. Huliganë janë ata që bëjnë një sjellje prej huligani”.

Një prej vendimeve të para, të marra prej ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në tetor të 2013-s ishte shkarkimi nga detyra dhe përjashtimi përfundimisht nga shërbimi i Gardës dhe Policisë së Shtetit, i gardistëve të cilët ishin pjesë e operacionit më 21 janar të 2011-s, ku mbetën të vrarë katër protestues. Ndër 10 të përjashtuarit, përmes atij vendimi, ishte edhe Agron Malaj, drejtues i grupit të snajperëve. Por shpejt Partia Socialiste do ta nxirrte Malajn nga grupi i ish-gardistëve të 21 janarit, për ta emëruar në krye të PS-së për Matin, ndërsa në të njëjtën kohë do të merrte edhe detyrën e drejtorit të OSHEE-së për Qarkun e Dibrës.

Në fushatën e zgjedhjeve lokale të 23 qershorit 2015, Malaj u shfaq në krah të kryeministrit Edi Rama për të kërkuar votat për kandidaten socialiste, megjithëse matjanët zgjodhën kandidatin e PD-së, Nezir Rizvani. Katër vjet më vonë, Malaj bëhet kështu oferta e socialistëve për Matin.

Ajo që i bindi socialistët dhe kreun e tyre, se Malaj ishte ndryshe nga grupi i gardistëve të 21 janarit, ku Gjykata e Tiranës dënoi vetëm dy prej tyre, ish-komandantin Andrea Prendi me një vit dhe gardistin Agim Llupo me tre vjet burg, ishte, siç tha Rama një ditë më parë, informimi me hollësi për ngjarjen.

Pesë vjet pas ngjarjes, ish-kreu i njësisë speciale të Gardës së Republikës do të rrëfente publikisht versionin e tij të ngjarjeve, ndërsa e cilësonte si të keqpërdorur për qëllime politike. “Është për të ardhur keq se si u deformua ngjarja e 21 janarit dhe se si po përdoret nga disa qarqe të caktuara. Dua të sqaroj të gjithë se prokuroria nuk hapi çështje ndaj meje, pasi të gjitha veprimet e mia ishin në përputhje me ligjin”, shprehej Malaj, i cili në atë kohë ishte shndërruar nga një punonjës i Gardës, në politikan lokal. Malaj ishte i caktuar në gatishmëri për hapjen e zjarrit me armë luftarake, në rast të çarjes së kordonëve nga hyrja e ministrave, si mbështetje e njësisë së dytë. “’Grupi i zjarrit’, siç e etiketuan më 24 janar 2011, drejtohej nga ana ime. Ai është instruktuar me kujdes nga ana ime dhe për këtë ka prova e dokumente. Nga ekspertiza që iu bë armëve që dispononte grupi që unë drejtoja nuk rezulton të jetë qëlluar mbi njerëzit. Të gjithë vartësit e thirrur janë lënë të lirë nga drejtësia, pasi nuk u faktua se ata kanë shkaktuar viktimat e 21 janarit”, vijonte rrëfimin e tij ish-gardisti.

Atëkohë ish-kryeministri Berisha do të akuzonte nga Kuvendi mazhorancën socialiste se kishin zgjedhur kryetar të PS-së në Mat, ish-komandantin e “grupit të zjarrit” në Gardë. “Garda nuk funksionon me urdhra, por me ligj. Ju papagaj mjeranë që derdhni lot krokodili për ata të cilët i çuat në grykën e zjarrit, ju komandantin e grupit që kishte armët e zjarrit në rrethin e Kryeministrisë, ju sot e keni kryetar të PS-së”, akuzonte Berisha më 2016-n, ndërsa Taulant Balla do t’i kundërpërgjigjej se urdhrin e kishin dhënë pikërisht kryeministri i asokohe, Sali Berisha, dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. “Gjyqtarët tuaj falën Ndrea Prendin. Prokuroria e kapur prej jush nuk e ka marrë në pyetje Sali Berishën për fshehjen e provave.” Vetë ish-komandanti Malaj do të përgënjeshtronte ish-kryeministrin se më 21 janar nuk kishte pasur asnjë “grup zjarri”. “Duke marrë shkak nga debatet e fundit në Parlamentin shqiptar, dua të informoj të gjithë që ‘grupi i zjarrit’ nuk ka ekzistuar më 21 janar, kjo gjë mund të verifikohet lehtësisht në librin e shërbimit të Njësisë Speciale të dt. 21 janar”, zbulonte Malaj.

Me nisjen e reformës në drejtësi, kreu i qeverisë do të deklaronte në shtatëvjetorin e përkujtimit të vrasjes së Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Aleks Nikës dhe Faik Myrtajt se do të niste edhe ndëshkimi i të korruptuarve që mbajtën peng drejtësinë si prokurorë apo si gjykatës”, ndërsa tetëvjetori u përkujtua në heshtje dhe lule, në marshimin e përvitshëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe me një projektligj për t’u dhënë të katër të vrarëve statusin “Dëshmorë të Atdheut”.

Me gjithë pafajësinë e zotit Malaj në rastin e ngjarjes së 21 janarit, ku ai ishte në krye të detyrës, kandidimi i tij nga socialistët për Bashkinë e Matit, më së paku shkakton habi dhe argumentimi i kryeministrit një ditë më herët, ndërsa thoshte se nuk i fuste “të gjithë në një thes”, duket se, ish-gardisti i shkarkuar nga detyra, po shpërblehej pikërisht për atë informacion të imtë që kishte dhënë pas ngjarjeve, kur në pushtet erdhën socialistët.

Ajo që i bindi socialistët dhe kreun e tyre, se Malaj ishte ndryshe nga grupi i gardistëve të 21 janarit, ku Gjykata e Tiranës dënoi vetëm dy prej tyre, ish-komandantin Andrea Prendi me një vit dhe gardistin Agim Llupo me tre vjet burg, ishte, siç tha Rama një ditë më parë, informimi me hollësi për ngjarjen.

 

 

Etiketa: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *