Aktualitet

Agresioni rus në Ukrainë, një kërcënim për sigurinë ushqimore të Shqipërisë

Shkruar nga Liberale
Agresioni rus në Ukrainë, një kërcënim për

Nga Florion Metohu

Ajo që po ndodh në Ukrainë, si rezultat i agresionit rus, nuk është vetëm një histori horroresh dhe shkatërrimi, që do të ngelet gjatë në memorien kolektive të atij kombi.

Pasojat ekonomiko – sociale të atij konflikti po ndihen në çdo cep të botës, për shkak të pozicionit të veçantë që këto dy vende zënë në sigurinë ushqimore botërore.

Ukraina është quajtur “hambari i botës” dhe bashkë me Rusinë përbëjnë rreth 30% të eksportit ndërkombëtar të grurit, 20% të misrit, 20% të elbit dhe më shumë se 60% të farës së lule diellit. Rusia, gjithashtu, bashkë me Bjellorusinë – e cila është një bashkëpunëtore në pushtimin e Ukrainës – përbëjnë dhe 40% të eksporteve botërore të fertilizantëve.

Eksporti i këtyre produkteve, nga ana e Ukrainës, zhvillohej pothuajse ekskluzivisht nëpërmjet porteve të saj në Detin e Zi, të cilët ose janë të pushtuara ose janë nën një bllokadë detare nga ana e flotës ushtarake ruse, duke e bërë të pamundur furnizimin e tregut ndërkombëtar dhe si pasojë edhe rritjen marramendëse të çmimeve.

Aktualisht, sipas Ukrainës, në depot e saj janë të bllokuara rreth 22 milion ton grurë, i cili nuk mund të eksportohet si pasojë e pushtimit rus. Por, ajo që është edhe më shqetësuese, lidhet me faktin e shpërnguljes së detyruar apo angazhimin në mbrojtje të territorit të dhjetëra mijërave fermerëve që, nëse lufta do të vazhdoj edhe për shumë kohë, rrezikojnë të mos kthehen, dukë vënë në pikëpyetje sezonin e ardhshëm të mbjelljeve, me pasoja katastrofale për sigurinë ushqimore të qindra miliona personave në mbarë globin.

Shqipëria, sigurisht, nuk është dhe nuk do të jetë e imunizuar nga pasojat e këtij shoku të çmimeve dhe kjo ndihet tashmë në kostot e shportës së produkteve bazë, me tendencë përkeqësimi.

Duke parë gjeografinë e importeve të drithërave kuptohet se sa lehtë është e rrezikuar siguria jonë ushqimore. Në vend të parë në vitin 2021, si shteti prej të cilit Shqipëria importonte më shumë drithëra, ishtë Rusia, që zinte rreth 41.2% të totalit në vlerë, dhe rreth 45.5% në peshë, nga 39.1% në vlerë që zinte në 2020-ën, apo 43.2% në peshë. Në vend të dytë ndjek Serbia, me rreth 36.2% të totalit të importeve në peshë, Franca me 3.5%, dhe Ukraina me rreth 2.93%. Pra, këto katër shtete zënë rreth 88% të totalit të importeve të drithërave në vendin tonë.

Si rezultat edhe i rolit aktiv që ka luajtur në OKB, si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit, me anë të projekt – rezolutave që dënojnë agresionin rus ndaj Ukrainës, Shqipëria është bërë pjesë e listës së shteteve “jo mike” ndaj të cilëve Moska ka ndërprerë, ndër të tjera, eksportin e drithërave.

Në periudhë afatshkurtër, mundësia më e mirë për Shqipërinë për të zëvendësuar importet ruse është Serbia, pasi Ukraina nuk mundet të eksportoj dhe India, si prodhuesja e dytë më e madhe e grurit, ka pezulluar eksportin për arsye të sigurisë ushqimore të popullsisë së vet, duke patur parasysh rritjen e pakontrolluar të çmimeve në tregjet botërore.

Gjasat janë që konflikti Rusi – Ukrainë nuk do të zgjidhet shpejtë, duke vënë në rrezik sigurinë ushqimore në mbarë arenën ndërkombëtare, për shumë vite në vijim. Kështu që qeveria shqiptare ndoshta duhet të angazhohet në një planifikim afatgjatë të përmbushjes së nevojave me anë të stimulimit të prodhimit të brendshëm të drithërave.

Subvencionimi i karburanteve dhe i fertilizanteve do ishte hapi i parë. Por një nga politikat me rezultat mbase të menjëhershëm në rritjen e prodhimit vendas do ishte dhe garantimi i shtetit ndaj fermerëve për blerjen e kuotave të caktuara të këtyre produkteve, nëse këta të fundit nuk do arrinin ti shisnin të treg.

Nga njëra anë fermeri do kishte sigurinë dhe rrjedhimisht inçentivin e kultivimit të këtyre kulturave bujqësore, nga ana tjetër Shqipëria do bëhej më auto sufiçente dhe qeveria do kishte mundësi, me anë të blerjes së produktet të pashitura, të krijonte dhe një rezervë strategjike për drithërat duke imunizuar tregun e brendshëm nga shoku i çmimeve në vitet e ardhshme dhe eleminuar ankthin e një krize ushqimore, të cilën jemi duke e përjetuar të gjithë në këto kohëra të vështira.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Gutierres, në 18 maj ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë ka ndihmuar në nxitjen e një krize globale ushqimore që mund të zgjasë me vite nëse nuk kontrollohet. Është momenti që qeveria shqiptare të marri masa proaktive në stimulimin e prodhimit të brendshëm dhe krijimin e një rezerve strategjike.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH